Në Prishtinë u hap “Java
Evropiane e Sportit”, një organizim i cili synon të aktivizojë qytetarët e
Kosovës që të merren me sport dhe aktivitete fizike. Në ceremoninë e hapjes, Ministri në detyrë, i Kulturës, i Rinisë
dhe i Sporteve të Kosovës, Kujtim Gashi, para të pranishmëve tha se sivjet
pritet një pjesëmarrje masovike e rreth 22 mijë qytetarëve në aktivitetet që organizohen
anembanë Kosovës, si një vazhdimësi e sukseseve nga viti i kaluar.
“Vlerësimet për organizimin e
vitit të parë kanë qenë shumë të mira. Më lejoni të ndaj me ju lajmin se Kosova
për vitin e kaluar ka prirë me nivelin dhe seriozitetin e organizimit të javës
dhe është ndër shtetet e rajonit që ka qenë me një nivel shumë të lartë. Si rezultat i kësaj,
sivjet Bashkimi Evropian ka zgjedhur të financojë një ngjarje të posaçme e cila
do të mbahet më 27 shtator në Suharekë. Me marrjen e detyrës si ministër, jam
angazhuar maskimalisht që të plotësoj dhe avancoj infrastrukturën ligjore e
fizike të sportit, ngase sporti është një fushë jashtëzakonisht e rëndësishme e
cila sjell rezultate të shumanshme, si dhe po promovon imazhin dhe shtetin e
Kosovës në arenën ndërkombëtare”, tha Gashi.
Presidenti i Komitetit Olimpik të
Kosovës Besim Hasani, si nikoqir i ngjarjes “Forumi për sportin” në
kuadër të Javës Evropiane të Sportit,
tha se ky forum tash e tutje do të ketë punime të rregullta dhe qëllime shumë
të qarta.
“Forumi do të jetë tashmë i rregullt, në
mënyrë që…një
lloj brainstorming të jetë, një hudhje e ideve dhe këtë e kam parë nga një përfaqësues i
Federatës botërore të Golfit në një panel ku ai ishte dhe ai tha se kemi nisur
me organizimin e forumeve, në mënyrë që të dëgjojmë të gjithë hisedarët, të
gjitha palët e interesit, për shqetësimet e tyre, në mënyrë qe në fund të bëhen
rekomandime dhe konkluzione që do t’i obligojnë organet vendimmarrëse t’i
shqyrtojnë si një mundësi që edhe ato të fillojnë të implementohen”, u shpreh ai.
Java Evropiane e Sportit sivjet
shënon 5 vjetorin e themelimit nga Komisioni Evropian, ndërkaq nga sot e deri
më 30 shtator, në Republikën e Kosovës është planifikuar mbajtja e 84
aktiviteteve sportive të cilat organizohen nën patronatin e Minisitrit në detyrë
të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, Kujtim Gashi.
Shorti i hedhur sot, për ndeshjet në Ligën e Konferencës përcaktoi edhe një duel interesant mes dy ekipeve shqiptare. Drita e Gjilanit, si vendëse, do të luaj kundër Shkëndijës së Tetovës.
Sipas shortit, “Intelektualët” në këtë fazë të ligës, krahas Shkëndijës, do të jenë mikpritës edhe të ekipeve AZ Alkmaar (Holandë) dhe Omonia (Qipro) ndërkaq si mysafir i shkojnë ekipeve Rayo Vallecano (Spanjë), Kups Kupio (Finlande) dhe Shelbourne (Irlandë).
Tetë ekipet me më së shumti pikë nga Faza e Ligës kualifikohen në raundin e 16 ekipeve më të mira, kurse ato që renditen nga pozitat 9 deri 24 luajnë në fazën e playoff.
Hendbollistët e Kastriotit fituan për herë të tetë Kupën e Kosovës, pasi në finale mposhtën Besa Famgasin me rezultat 29:24.
Në praninë e rreth 3 mijë shikuesve të mbledhur në palestrën “Bill Klinton”, dy finalistët në pjesën e parë ishin të barabartë ndërsa shkëputja e ferizajasve u bë në mesin e pjesës së dytë dhe kjo epërsi u mbajt deri në fund.
Portieri Wadi Chebbi u dallua te Kastrioti edhe në finale, ndërsa u shpall lojtari më i mirë i turneut përfundimtar të Kupës.
Deniz Terziqi i shënoi dhjetë gola për Kastriotin. Pesë i shënoi Lulzim Shabani e nga katër Hamdi Salihu e Vlerson Zherka. Te Besa më efikasi ishte Olsi Mulaj me shtatë gola.
Kupën e Kosovës, kapitenit të Kastriotit, Rron Ramadani, ia dorëzoi presidenti i FHK-së, Edin Kolgeci.
Kujtojmë që në gjysmëfinale, Kastrioti mposhti Rahovecin me rezultat 27:24 kurse në takimin tjetër Besa e mposhti Vushtrrinë me rezultat 42:24.
Dy ekipet ferizajase, Ferizaj në kategorinë e femrave dhe Kastrioti të meshkujve, nesër në sallën “Bill Clinton” i zhvillojnë ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Kosovës. Prej orës 18:00, vashat e Ferizajt luajnë kundër Samadrexhës, derisa festa e hendbollit hapet në qytetin e hendbollit prej orës 14:00 me ndeshjen ndërmjet Istogut dhe Vushtrrisë. Ferizaj është kampion në fuqi i Kupës së Kosovës.
Prej orës 20:00 do të zhvillohet kryendeshja e festës së hendbollit në Ferizaj, kur do të përballen Kastrioti dhe Rahoveci. Kjo ndeshje llogaritet si finale para finales pasi dy skuadrat janë pretendentët kryesorë edhe për titullin e ligës.
Prej orës 16:00 në gjysmëfinalen tjetër të meshkujve përballen Vushtrria dhe Besa Famgas.
Dy ekipet ferizajase janë të bindura se edhe sivjet trofetë do të mbesin në qytetin e hendbollit.
Pivotja Shkurta Mehmeti ka thënë se është privilegj dhe përgjegjësi për ferizajaset që t’i luajnë finalet në Ferizaj.
“Të luajmë para publikut tonë është privilegj, por edhe përgjegjësi. Jemi të motivuara dhe të përkushtuara që ta shfrytëzojmë këtë mundësi në maksimum. Synimi ynë është i qartë – të paraqitemi me krenari, të luftojmë për çdo top dhe të japim gjithçka në fushën e lojës në mënyrë që Kupa e Kosovës të mbetet në qytetin e hendbollit, në Ferizaj”, ka thënë Mehmeti për faqen zyrtare të Federatës së Hendbollit të Kosovës.
Edhe Lulzim Shabani, aloja e Kastriotit, ka thënë se “Ujqit” do të luftojnë fort në parket, që kupa të mbetet edhe sivjet në Ferizaj.
“Përgatitjet janë duke shkuar shumë mirë. Ka kohë që kemi menduar për këtë ‘Final 4’ dhe jemi përgatitur maksimalisht. Skuadra është në gjendje jashtëzakonisht të mirë fizike, e po ashtu në anën psikologjike jemi shumë të përgatitur dhe të vendosur që edhe këtë vit ta stolisim qytetin me trofeun e çmuar të Kupës së Kosovës”, ka theksuar Shabani për faqen zyrtare të FHK-së në Facebook.
“Do të jetë më e veçantë pasi turneu final organizohet në qytetin tonë, në qytetin e hendbollit. Premtojmë spektakël, duele të forta e shumë lojë të bukur për të gjithë sportdashësit që do të jenë në ‘Bill Clinton’. I ftoj gjithë qytetarët ferizajas dhe tifozët tanë ‘Ujqit’ që të na mbështesin në mënyrë masovike dhe si gjithmonë të tregojnë kulturë e mbështetje korrekte për ekipin tonë”, ka thënë Shabani.