Në Prishtinë u hap “Java
Evropiane e Sportit”, një organizim i cili synon të aktivizojë qytetarët e
Kosovës që të merren me sport dhe aktivitete fizike. Në ceremoninë e hapjes, Ministri në detyrë, i Kulturës, i Rinisë
dhe i Sporteve të Kosovës, Kujtim Gashi, para të pranishmëve tha se sivjet
pritet një pjesëmarrje masovike e rreth 22 mijë qytetarëve në aktivitetet që organizohen
anembanë Kosovës, si një vazhdimësi e sukseseve nga viti i kaluar.
“Vlerësimet për organizimin e
vitit të parë kanë qenë shumë të mira. Më lejoni të ndaj me ju lajmin se Kosova
për vitin e kaluar ka prirë me nivelin dhe seriozitetin e organizimit të javës
dhe është ndër shtetet e rajonit që ka qenë me një nivel shumë të lartë. Si rezultat i kësaj,
sivjet Bashkimi Evropian ka zgjedhur të financojë një ngjarje të posaçme e cila
do të mbahet më 27 shtator në Suharekë. Me marrjen e detyrës si ministër, jam
angazhuar maskimalisht që të plotësoj dhe avancoj infrastrukturën ligjore e
fizike të sportit, ngase sporti është një fushë jashtëzakonisht e rëndësishme e
cila sjell rezultate të shumanshme, si dhe po promovon imazhin dhe shtetin e
Kosovës në arenën ndërkombëtare”, tha Gashi.
Presidenti i Komitetit Olimpik të
Kosovës Besim Hasani, si nikoqir i ngjarjes “Forumi për sportin” në
kuadër të Javës Evropiane të Sportit,
tha se ky forum tash e tutje do të ketë punime të rregullta dhe qëllime shumë
të qarta.
“Forumi do të jetë tashmë i rregullt, në
mënyrë që…një
lloj brainstorming të jetë, një hudhje e ideve dhe këtë e kam parë nga një përfaqësues i
Federatës botërore të Golfit në një panel ku ai ishte dhe ai tha se kemi nisur
me organizimin e forumeve, në mënyrë që të dëgjojmë të gjithë hisedarët, të
gjitha palët e interesit, për shqetësimet e tyre, në mënyrë qe në fund të bëhen
rekomandime dhe konkluzione që do t’i obligojnë organet vendimmarrëse t’i
shqyrtojnë si një mundësi që edhe ato të fillojnë të implementohen”, u shpreh ai.
Java Evropiane e Sportit sivjet
shënon 5 vjetorin e themelimit nga Komisioni Evropian, ndërkaq nga sot e deri
më 30 shtator, në Republikën e Kosovës është planifikuar mbajtja e 84
aktiviteteve sportive të cilat organizohen nën patronatin e Minisitrit në detyrë
të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, Kujtim Gashi.
Kthimit si kampion i Ligës Botërore të Karatesë për të Rinj nuk i është gëzuar vetëm klubi “Fituesi”, ku Mevlan Dalipi u kalit për të pushtuar majën botërore të suksesit. Atë e kanë nderuar në rresht edhe nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës së tij, “Tefik Çanga” në Ferizaj kur filloristi nga lagja multietnike e Sallahanes u kthye në dhjetor nga Venecia e Italisë. Atje nxënësi i klasës së tetë si fitues u ngjit në piedestalin e garës.
“E vlerësoj këtë shumë dhe u uroj krejve të arrini suksese si unë”, u ka thënë Dalipi shkollarëve të tjerë.
Dalipi është fjalëpakë e punëshumë, thotë trajneri i tij, Bajram Bajrami, gjatë ushtrimeve në një mbrëmje të ftohtë dimri në sallën e familjes së Rexhep Bajramit, njëri prej trajnerëve më të suksesshëm jo vetëm në Ferizaj për nxjerrjen e kampionëve europianë e botërorë të karatesë.
Varg suksesesh
Suksesi i Dalipit është i fundit në vargun e trofeve, sikur se parapëlqen Rexhep Bajrami t’u referohet karateistëve e karateisteve të tij të përkatësive të ndryshme etnike. “Unë nuk dua të nxjerr vetëm kampionë, por mbi të gjitha sportistë”, përsërit disa herë Rexhep Bajrami gjatë intervistës, teksa i biri, Bajrami i udhëheq karateistët e rinj.
“Është ndër dy ose tri klubet aktive – sepse të regjistruar mund të ketë të tjera që veç janë regjistrua – në krejt Kosovën që është multietnik, që funksionon dhe ka rezultate”, thekson Bajram Bajrami. “Nuk është klub që qëndron sa për sy e faqe, por është një prej klubeve më të forta edhe në Kosovë, edhe në rajon me suksese në gara që zhvillohen në Kosovë, Maqedoni e rajon, sepse unë i ndjek këto gara jashtëzakonisht shumë”.
“Heej”, nxjerrin pasthirrma djemtë e çikat karateiste teksa bëjnë lëvizje refleksive në sinkron. Hapërimi, i shoqëruar me taktika sulmuese e mbrojtëse me duar, përfundon me britmën “Hoo”.
“Shkojmë edhe njëherë”, urdhëron Bajram Bajrami.
Para suksesit të madh të Dalipit, klubi “Fituesi” nxori kampione Evrope edhe Behije Mustafën. Por nën urdhrat e Rexhep Bajramit janë përgatitur edhe kampionë të tjerë me emër, si Shqipe Zogiani, apo Enver Idrizi.
Rexhep Bajramit, veteran i karatesë së Kosovës, nuk ia prishin fare rrjedhën e rrëfimit kronologjik britmat e sportistëve tinejxherë.
“Ky klub është shumë interesant se ka disa karakteristika që nuk i kanë klubet tjera”, thotë Rexhep Bajrami, njëherësh zyrtar i zyrës për komunitete në Komunën e Ferizajt, teksa kthehet në fillimvitet nëntëdhjetë kur ai dhe sportistët e tjerë të Kosovës ishin dëbuar nga palestrat dhe garat zyrtare pasi refuzuan t’i nënshtroheshin regjimit represiv të liderit të atëhershëm serb, Sllobodan Milosheviq.
“Është klubi i parë pas pavarësimit të sportit. Mandej është klubi i parë që ka arritur deri në 300 nxënës t’i ketë brenda ditës në dy dhoma të ushtrimeve”, kthehet mbi çerekshekulli në kohë Bajrami, që do të kthehej në adresë për qindra prindër që dëshironin t’i përfshinin fëmijët e tyre në aktivitete sportive pavarësisht se Kosova po përjetonte njërën prej dekadave me shtypjen më të madhe në ish-Jugosllavi.
Mbrojtja e lagjes nga ish-karateistë ushtarë
“Është për me u mburr që prej atyre dy dhomave kemi nxjerrë kampionë Kosove, Ballkani, Evrope”, thotë ai. “Mandej kemi pasur nxënës edhe dëshmorë kombi, si Besim Sopa, por edhe shumë ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Rexhep Bajrami thotë se lagja më e madhe multietnike në Ferizaj, ku janë të përqendruar shumica e ashkalinjve dhe romëve, por edhe dhjetëra shtëpi shqiptarësh, nuk është përballur me probleme sigurie në kaosin e pasluftës për shkak se ish-karateistët që i ishin bashkuar UÇK-së nuk lejuan që të rrezikohej paqja dhe bashkëjetesa ndëretnike.
“Edhe ata nuk i kanë lanë, sepse kanë thënë: “Na jemi këtu'”, tregon Rexhep Bajrami, duke i treguar me emra e mbiemra disa prej ish-kryengritësve që i kishte ushtruar para se t’i bashkoheshin luftës për liri.
Ish-karateistët dhe komuniteti sportiv e përshkruajnë Rexhep Bajramin si trajner të rreptë, por të drejtë. Rexhep Bajrami, por edhe i biri i tij, Bajrami, thonë se puna e tyre me sportistët e vegjël nuk përfundon në palestër dhe gara.
“Pasha Zotin, Bajrami shkon interesohet për këta fëmijë edhe në shkollë që ta shohë qysh janë me sjellje e nota”, thekson Rexhep Bajrami, duke marrë shembull sjelljen e lavdëruar të Mevlan Dalipit nga kujdestarja dhe drejtori i shkollës.
“Është model shumë i mirë. Unë shpesh iu them nxënësve se me rëndësi është mësimi, por me rëndësi është gjithashtu që fëmijët të merren edhe me sport, shumë më pak të rrinë rrugëve dhe shumë më shumë të merren me çfarëdo sporti”, ka thënë Qefsere Demiri, kujdestare klase e Dalipit, të cilin shkolla “Tefik Çanga” e ka nderuar me mirënjohje për titullin kampion të Ligës Botërore të Karatesë për të Rinj.
“Më së lehti është me ba një kampion, ose një rrugaç, por me ba tamam sportist është pak ma vështirë”, thekson Rexhep Bajrami, derisa karateistët e karateistet vazhdojnë ushtrimet me shfryrjet “Heej” e “Hoo”.
Bajram Bajrami thotë se nëse “Fituesi” do të kishte mbështetje financiare, “brenda dy vjetësh, i kishim pasë ose dy, ose tri medalje evropiane ose botërore”. Ai ka kryer fakultetin juridik dhe praktikën në një avokati, por të ardhurat familjare i siguron vetëm prej punës me nxënësit karateistë.
Mungesa e ndihmës së shtetit
Dhe sfidat janë të shumta. Rexhep Bajrami e ka ndërtuar me investime të veta palestrën në oborrin e shtëpisë në rrugën “Ejup Statovci”, që është zemra e “Sallahanes”. Telashet shtohen gjatë muajve të dimrit për shkak të kostos së lartë të ngrohjes së palestrës. Ferizaj për rreth një muaj, në funddhjetor dhe fillimjanar, kur ishin temperaturat më të ulëta, u përball me reduktime të ashpra deri në tetë orë për shkak se rrjeti nuk e përballonte kërkesën e madhe të konsumatorëve. Rexhep Bajrami nuk e ka ndier dorën e ndihmës as nga komuna e as nga niveli qendror.
Në vjeshtë, jo vetëm ai, por krejt lagjja u trondit në pasditen e 11 nëntorit 2024 kur F.I. sulmoi me thikë një burrë egjiptian në rrugën “Enver Topalli”, që lidhet me “Ejup Statovcin”, dy vajza të mitura nga komuniteti ashkali në rrugën “Rifat Berisha” dhe një burrë rom nga Shqipëria në pjesën tjetër të qytetit në rrugën “Remzi Hoxha”. Sulmuesi është arrestuar dhe paraburgosur. Viktimat e mbijetuan sulmin. Prokuroria Themelore e Ferizajt tha pas arrestimit se ekziston dyshimi se sulmi ishte kryer me dashje për shkak të përkatësisë etnike të viktimave.
Veterani i karatesë, Rexhep Bajrami, ka thënë se rasti nuk duhet të shfrytëzohet për të fajësuar kolektivisht shumicën shqiptare. “Kushedi çfarë të kaluar ka pasur ai njeri, sepse njeri nuk e bën atë çmenduri pa lu mendsh”, ka ngulmuar ai.
Derisa fëmijët e përkatësive të ndryshme etnike vazhdonin ushtrimet në një natë të acartë dimri, Rexhep Bajrami fliste për lidhjen e nyjshme emocionale që e ka me karateistët e tij tinejxherë. “Nëse unë e mbylli, këta dikun tjetër nuk shkojnë”, thekson Rexhep Bajrami, duke treguar se ishte detyruar ta ndërtonte me paratë e veta palestrën ngase, ndryshe prej shumë klubeve të tjera sportive, Komuna e Ferizajt, ku punon vetë në zyrën për komunitete, nuk ia lejoi “Fituesit” shfrytëzimin e ndonjërës prej palestrave shkollore për ushtrime mbrëmjeve. I biri i tij, Bajrami, i cili ka të fituar medalje evropiane ekipore për regjione, krenohet që e ka nxjerrë Dalipin kampion të Ligës Botërore të Karatesë për të Rinj. “Është rezultati, mundem me thanë më i madhi (nga radhët e komuniteteve) për shkak se është nivel botëror”, thekson Bajrami. “Por Mevlani ka përfaqësuar krejt Kosovën pa dallim”.
Ndeshja e ndërmjet dy gjigantëve evropianë, Manchester City dhe Real Madrid është një nga përballjet më interesante e çifteve të plejofit të Ligës së Kampionëve.
Me shumë kërshëri pritet edhe ndeshja mes Brest dhe Paris Saint-Germain, si dy ekipet franceze me ecurinë më të mirë në fazën e parë të formatit të ri Ligës së Kampionëve.
Nga tërheqja e shortit për fazën e plejofit në Ligën e Kampionëve që u zhvillua sot në Nyon të Zvicrës u mësuan edhe çiftet tjera të barazhit për kalim në raundin e 1/8-ës të kësaj gare elitare.
Ekipet që do të luajnë mes vete në fazën e plejofit janë:
Ndeshjet e para të plejofit do të zhvillohen më 11 dhe 12 shkurt, ndërsa ndeshjet e kthimit më 18 dhe 19 shkurt.
Fituesit e këtyre takimeve do të përballen me ekipet që kaluan direkt në raundin e 1/8-ës, Liverpool, Barcelona, Arsenal, Inter, Atletico Madrid, Bayer Leverkusen, Lille apo Aston Villa.
Raundi i 1/8-ës do të luhet më 4-5 dhe 11-12 mars 2025.
Laura Fazliu fitoi medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, pasi në kategorinë deri në 63 kilogramë, mposhti xhudisten kroate Katarina Kristo.
Laura ishte bartëse e tretë dhe kështu në xhiron e parë ishte e lirë. Në të dytën e mposhti kinezen Jing Tang, ndërsa në çerekfinale humbi nga francezja Clarisse Agbegnenou.
Deri tek mundësia për të luftuar për medaljen e bronztë, 23 vjeçares kosovare iu deshtë ta mposhte në repasazh Catherinë Beauchemin-Pinardin nga Kanadaja.
Kjo është medalja e parë olimpike për Laurën dhe e pesta në përgjithësi në historinë e sportit kosovar. Në këtë olimpiadë kjo është medalja e dytë për Kosovën, pas medaljes së argjendtë që e fitoi Distria Krasniqi në fundjavë.