Vazhdojnë kundërshtimet për ndërtimet e larta në rrugën ‘’Astrit Bytyqi’’

Disa banorë të rrugës “Astrit Bytyqi” dhe “7 Shtatori” në Ferizaj, kanë shprehur pakënaqësi për fillimin e punimeve të një objekti shumëkatësh në këtë lagje, e cila deri para miratimit të Planit Zhvillimor Komunal ishte ndërtim i ulët.

Ata thonë se në këtë lokalitet nuk ekzistojnë kushtet e nevojshme për ndërtime të larta, pasi sipas tyre, infrastruktura nëntokësore nuk është e paraparë për këso ndërtimesh.

“Jemi të shqetësuar se kjo pjesë nuk ka qenë ndërtim i lartë, nuk e di se kah i kanë marr lejet e ndërtimit, tash problem është që bllokohet kanalizimi, pamja, ka zhurmë, madje kanë filluar edhe presionet tek banorët për me i shitë dhe me i largu, jemi të shqetësuar u jemi drejtuar edhe me peticione por na është refuzuar pas asnjë bazë, unë nuk e di se kah është duke shkuar ky shtet, qyteti i Ferizajt është duke u degraduar, ne do të vazhdojmë me kundërshtu në mënyrë ligjore, por nëse nuk ka efekt do të dalim t’i bllokojmë këto punime”, tha Arsim Gashi, banor i rrugës “Astrit Bytyqi”.

“Na pengon se i kemi shtëpitë këtu, unë kam punu 26 vjet jashtë për këtë shtëpi me ndërtu e tash ta shkatërroj pasurinë që e kam ndërtu për një banesë, nuk e di se si u bë ai ligj askush nuk u kanë i pajtimit, por i kanë interesat e veta me ble me shitë banesa, unë nuk e di se si bëhet kjo punë, unë nuk jam i pajtimit për këtë që po bëhet”, tha Basri Krasniqi.

Derisa banorët kundërshtojnë, punimet për ndërtimin e shumëkatëshes po vazhdojnë me  leje të Drejtorisë së Urbanizmit. Drejtori i kësaj drejtorie Lulzim Aliu, tha se në këtë mënyrë komuna është duke i zbatuar vetëm ligjet në fuqi.

“Në rrugën “Astrit Bytyqi” që është shumë problematike unë shfrytëzoj rastin publikisht t’iu kërkoj falje gjithë banorëve të cilët kanë pasur mendim e kërkesë tjetër për atë zonë, ju kërkoj falje, por unë jam i obliguar me respektu ligjin dhe ligji në këtë rast për një numër të tyre është i disfavorshëm, është edhe me pasoja në kuptimin shpirtëror, pasi kanë planifikuar dhe kanë menduar se ajo zonë ka me qenë ndërtim i ulët dhe kanë me pas një jetë më të qetë, por ligji i ndërtimit është në fuqi, po ashtu udhëzimet administrative pastaj që e rregullojnë se çfarë lloj ndërtime dhe si mund të ndërtohet janë në fuqi, unë ju garantoj që nuk ka shkelje ligjore, ndërsa a jam i kënaqur, a pajtona me ligjin që është në fuqi dhe po duhet me zbatu në këtë rast them që jo nuk jam i kënaqur”, tha Aliu.

Aliu thotë se për këtë çështje komuna nuk ka pasur zgjidhje tjetër, meqë ndërtuesi posedon lejen për ndërtim që 3 vjet.

“Unë mund të vonohem e të kthej përgjigje negative, por komuna ka me qenë para sfidave të gjykatave siç ka qenë deri tash, edhe atëherë kur është dhënë leja dhe mandej është pezulluar, pala që sot e ka marrë lejen e ka paditë komunën për humbjet që ia ka shkaktuar në këtë periudhë 3 vjeçare që nuk e ka leju me zbatu lejen e ndërtimit, është situatë e rëndë për ata banorë, por është situatë e qartë ligjore, është me ligj dhe nuk është bërë asnjë shkelje e procedurave të ligjit”, tha Aliu.

Kundërshtimin e tyre për shndërrimin e kësaj zone nga ndërtimi i ulët në ndërtim të lartë, banorët e rrugës ‘’Astrit Bytyqi’’ e kishin shprehur edhe përmes një peticioni, por i cili nuk ishte marrë parasysh me arsyetimin se disa banorë të tjerë të po asaj lagjeje ishin pro ndërtimeve të larta, e që pikërisht për këtë u ngrit aktakuzë ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit Faik Grainca dhe dy personave të tjerë për falsifikim të atij dokumenti.

Banorët e kësaj lagjeje u shprehën se kësaj beteje për t’i mbrojtur të drejtat e tyre pronësore, do t’i shkojnë deri në fund.

Leave a Comment

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

728X90
728X90