Connect with us

Ferizaj

Kërkohet shqyrtimi i provave të reja në rastin Grainca

Published

on

Procesi gjyqësor ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit në Ferizaj, Faik Grainca, i nisur më 21 shkurt të vitit 2018, hyri në vitin e tretë. Ndaj Graincës, i cili akuzohet se gjatë hartimit të Planit Zhvillimor Komunal 2017-2025 ka bërë falsifikim të dokumentit zyrtar dhe ka keqpërdorur pozitën zyrtare, u mbaj sot edhe një seancë gjyqësore, në të cilën pala e dëmtuar Imri dhe Bekim Haliti, pronarë të shtëpive në rrugën ”Astrit Bytyqi”, i propozuan trupit gjykues që si provë materiale të marrë edhe një dokument shtesë, si dhe të thirren  për dëshmi edhe 13 dëshmitarë të tjerë, emrat e të cilëve, sipas Imri Halitit, figurojnë në peticionin e aprovuar nga komisioni komunal,  por që ai thotë, se ata nuk kanë nënshkruar në atë peticion.

“Gjatë kontakteve që kemi pasur rezulton se asnjë prej tyre  nuk  ka nënshkruar peticionet dhe nuk janë banorë të lagjes”, tha Imri Haliti.

Këtë propozim e kundërshtoi i akuzuari Faik Grainca.

“Nëse gjykata fton ende dëshmitarë të rinj me qëllim që ky gjykim mos të ketë mbarim për vite të tëra atëherë propozoj të gjithë nëshkruesit që janë në listën e Orhan Ibrahimit të thirren edhe ata, por nëse Gjykata e refuzon  kërkesën e palës që pretendon që është e dëmtuar atëherë edhe unë tërhiqem nga kërkesa ime”, tha Grainca.

Propozimi i Imri Halitit për të thirrur 13 dëshmitarë të tjerë, u refuzua nga trupi gjykues, me arsyetimin se thirja e këtyre dëshmitarëve është e panevojshme, mirëpo u aprovua propozimi që dokumentet e nxjerra nga organet e administratës komunale, të vitit 2016 dhe 2017, të merren si prova materiale.

“Trupi gjykues marrjen e provave të tilla për të plotësuar provat e tjera  e konsideron të panevojshme dhe të tepërt, sepse çështja në fjalë është e njohur në vija të përgjithshme dhe se dëgjimi i këtyre dëshmitarëve vetëm sa do të bënte zvarritjen e procedurës penale. Ndërsa, aprovohet propozimi i përfaqësuesit të palëve të dëmtuara avokatit Kushtrim Palushit, që si prova materiale të lexohen dokumentet e propozura në shqyrtimin gjyqësor janar 2019 të cilat janë nxjerrë nga organet e administratës komunale të Ferizajt”, tha Sahit Krasniqi, kryetar i trupit gjykues.

Pala e dëmtuar, Haliti, kërkoi që si prova të merren edhe incizimet që janë bërë gjatë mbajtjes së debateve publike lidhur me hartimin e PZHK-së, ku ata thonë se kanë ngritur kundërshtimet për ndërtimet e larta në rrugën ”Astrit Bytyqi”.

“Nëse ka mundësi që CD-ja ku kemi qenë prezent në dëgjime publike të shikohet edhe ajo, ku shihet se ne kemi qenë prezent, pasi është e rëndësishme se ne kemi marrë pjesë, kurse në dokumentin që ka shku në ministri na kanë hequr nga lista”, tha Imri Haliti.

“Ne kemi marrë vendim që me shiku vetëm vetëm seancën m ku është aprovuar Plani Zhvillimor jo të tjera“, tha Sahit Krasniqi.

Seanca gjyqësore në rastin Grainca do të vazhdoj nesër.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ferizaj

Aktakuzë ndaj dy personave për vrasjen e kryer vjet në Bibaj të Ferizajt

Published

on

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë kundër F.R., dhe J.M., nga Ferizaj, për vrasjen e një personi  në oborrin e një salle dasmash në Bibajt të Ferizajt,  më 16 gusht 2024.

Sipas prokurorisë, i akuzuari F.R ,me dashje dhe me qëllim të hakmarrjes, e ka qëlluar me breshëri plumbash viktimën S.S., duke e lënë të vdekur në vend, kurse J.M. akuzohet për ndihmë në këtë vrasje.

“Ekziston dyshimi i bazuar “se i pandehuri F.R., më 16 gusht 2024, rreth orës 19:21, në parkingun e restorantit “Fron Palace”, në fshatin Bibaj, komuna Ferizaj, gjatë një ceremonie martesore, me dashje dhe paramendim, me qëllim hakmarrjeje për motive të pretenduara familjare të pabazuara dhe të pakonfirmuara juridikisht, në prani të dhjetëra personave përfshirë të mitur, me armë zyrtare automatike të policisë, me dashje dhe qëllim të privimit nga jeta, me breshëri plumba shtien në drejtim të viktimës S.S., duke e privuar nga jeta, ku, si pasojë e të shtënave është rrezikuar seriozisht edhe siguria e personave tjerë të pranishëm në atë moment, me këtë veprim kreu veprën penale të ”Vrasjes së rëndë” nga neni 173 paragrafi 1, nën paragrafi 1.8 dhe 1.11 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.” – thotë Prokuroria.

Kurse, J.M., akuzohet se me dashje e ka ndihmuar policin në privimin nga jeta të viktimës S.S., ashtu që i pajisur me mjet të forta, ka mbrojtur perimetrin e sulmit dhe ka parandaluar çdo ndërhyrje, në mënyrë që i akuzuari F.R., të realizonte pa pengesë veprën penale të vrasjes së rëndë.

Continue Reading

Ferizaj

Policia e Ferizajt pezullon 20 patentë shoferë brenda një jave

Published

on

Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se gjatë javës së kaluar, nga data 07-13.07.2025, janë shqiptuar 1,681 gjoba kundërvajtëse, si dhe janë pezulluar 20 patentë-shoferë për drejtuesit e mjeteve që kanë kryer shkelje të rënda në trafik.

Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar gjithsej 40 aksidente, nga të cilat 22 aksidente me lëndime, ku kanë mbetur të lënduar 29 persona kurse 18 aksidente ishin vetëm me dëme materiale

Policia Rajonale e Ferizajt bëri të ditur do të vazhdojë me aktivitete të shtuara për të parandaluar aksidentet  derisa ka apeluar tek të gjithë drejtuesit e automjeteve që të respektojnë rregullat e trafikut.

Continue Reading

Ferizaj

Zbulohen pesë emigrantë në një kamion në Terminalin Doganor në Ferizaj

Published

on

Policia e Kosovës ka gjetur 5 emigrantë të paligjshëm  në një rimorkio kamioni në Terminalin Doganor në Ferizaj. 

Sipas policisë, tre nga emigrantët  e zbuluar janë të moshës 17 vjeç, një 18 vjeç dhe një 28 vjeç.

“Sot, më datë 11.07.2025, rreth orës 16:00, policia ka pranuar një informatë se në Terminalin Doganor, në rrugën “Driton Islami” në Ferizaj, në një rimorkio të një kamioni me targa vendore, sipas zyrtarëve doganorë, dyshohej se ndodheshin disa emigrantë të paligjshëm.

Menjëherë pas pranimit të informacionit, në vendngjarje kanë dalë njësitë reaguese dhe Njësia e Hetimeve nga stacioni policor në Ferizaj. Pas hapjes së bllokadave të rimorkios, janë hasur pesë emigrantë: tre prej tyre 17 vjeç, një 18 vjeç dhe një 28 vjeç, të cilët nuk posedonin dokumentacion identifikues.

Lidhur me rastin janë njoftuar prokurori kujdestar dhe njësia për migrim, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë në trajtim të mëtejshëm të dyshuarit, si dhe drejtuesin e kamionit, shtetasin kosovar B.B., 38 vjeç.” thuhet në njoftimin e policisë.

Continue Reading

Trending