Connect with us

Ferizaj

11 të vdekur në aksidente trafiku që nga janari në Ferizaj

Published

on

Që nga janari e deri në korrik, në rajonin e Ferizajt kanë humbur jetën 11 persona si pasojë e aksidenteve në trafik. Megjithatë, bazuar në të dhënat e Policisë së Ferizajt, numri i aksidenteve këtë vit ka shënuar rënie, krahasuar me vitin paraprak. Në uljen e numrit të aksidenteve, shefi i Njësisë së Trafikut Rrugor, kapiten Gani Pajaziti, thotë se ka ndikuar shqiptimi i gjobave.

“Ne i kemi shifrat për gjashtë mujorin e parë dhe ato tregojnë se gjendja aktuale e jona në krahasim me vitin e kaluar nuk është edhe aq keq, me fatalitet vitin e kaluar kemi pas 13 persona të vdekur, ndërsa sivjet 11, mandej me lëndime vitin e kaluar kemi pas 487 të lënduar, sivjet 514, me dëme materiale 195,  133 i kemi sivjet, ndërsa për rastet me lëndim dua të them se tek ne është bërë një shprehi se nëse e paraqet rastin si i lënduar ka gjasa që kompania e sigurimeve e bën ndonjë kompensim, pra ka raste kur dëmet janë aq të vogla sa që mund të kalohet edhe me raport evropian, disa raste janë qesharake, pra nëse përmblidhen të gjitha këto kemi një rënie të aksidenteve, që do të thotë se gjendja është e mirë, një prej atyre që e ka mundësuar këtë është  se numri i tiketave është rritur, në krahasim me vitin e kaluar kemi mbi 2 mijë tiketa më shumë, kemi pas 18 mijë tiketa vitin e kaluar, sivjet i kemi 20 mijë tiketa dhe kjo është një ndër parametrat se Policia ka ndërmarrë masa’’, tha Gani Pajaziti.

Sa i përket shqetësimeve të qytetarëve për shpejtësinë e lëvizjes së automjeteve nëpër qendër të qytetit dhe mungesën e patrullave policore aty, Pajaziti thotë se po veprojnë me të gjitha mundësitë që kanë.

“Ne jemi duke dhënë maksimumin tonë, mirëpo është vështirë t’i mbulojmë të gjitha pikat, por me ato mundësitë që i kemi jemi duke dhënë maksimumin, qytetarët nuk i njohin problemet tona që kemi, mungesën e personelit, të veturave dhe një njësi patrulluese nuk mundet me qenë në të njëjtën kohë në 5 vende, por ne po mundohemi dhe kjo është maksimumi që mundemi me bë, po flas edhe për motrat e vëllezërit tanë që na vijnë, disa prej tyre është e rëndë të them, por disa prej tyre vijnë të shfrenohen këtu, unë jam çdo ditë në terren dhe disa prej tyre na thonë nuk po na leni me u kënaq”, shprehet kapiten Pajaziti.

Pajaziti kërkoi nga shoferët që të tregohen më të kujdesshëm në komunikacion, në mënyrë që të mos rrezikojnë jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në trafik.

“Qytetari ta ketë parasysh që të vetëdijesohemi njëherë e përgjithmonë që të kemi një kulturë në komunikacion, pasi gjithmonë kemi arsyetime dhe arsyeja është jam vonu në punë, nëse kemi nivel të kulturës aksidentet do të zvogëlohen, çdo polic i imi është ai që është i pari në kontakt me një trup të pajetë në komunikacion, ne jemi njerëz kur i shohim na u dhimbsen, prandaj apelojmë gjithmonë kujdes shpejtësinë, janë minutat në pyetje”, tha Pajaziti.

Në rajonin e Ferizajt për 7 muaj kanë ndodhur rreth 660 aksidente në trafik.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ferizaj

Ndërroi jetë artisti dhe koreografi i shquar ferizajas, Bajram Tahiri

Published

on

Ka ndërruar jetë Bajram Tahiri, artist,  valltar dhe koreografi i shquar i ansamblit “Kastriotët” në Ferizaj.

I ndjeri gjithë jetën e tij artistike ia kushtoi ruajtjes dhe begatimit të traditës dhe trashëgimisë kulturore, fillimisht si valltar pastaj edhe si koreograf i A.K.V ,,Kastriotët” Ferizaj.

Për një periudhë kohore, nga viti 1999-2009, Tahiri ishte Drejtor Operativ në KRM “Pastërtia”, pastaj nga viti 2017 deri në vitin 2020 shërbeu si këshilltar politik në  Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, derisa  nga viti 2010 udhëhoqi me  kompaninë “Mbrojtja e Ambientit”.

Mbledhja komemorative për artistin e ndjerë, Bajram Tahiri, mbahet më 3 Shkurt 2026, ora 14:00 në Teatrin “Adriana” kurse ceremonia e varrimit nga ora 15:30 në varrezat e reja të qytetit.

Continue Reading

Ferizaj

Ngritët aktakuza e parë për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Published

on

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzën e parë lidhur me zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, për veprën penale “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”.

Në njoftim bëhet e ditur se sipas aktakuzës, më 28 dhjetor 2025, në një qendër të votimit në qytetin e Shtimes, i pandehuri me inicialet M.A., ka dëmtuar dokumentet e votimit lidhur me zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Me këto veprime janë përmbushur elementet e veprës penale për të cilën është ngritur aktakuza pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda.

Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se të gjitha rastet eventuale që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor të 28 dhjetorit 2025, do të trajtohen me prioritet dhe në përputhje të plotë me ligjin, me qëllim të mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit.

Continue Reading

Ferizaj

Devijime minimale të rezultatit nga rinumërimi i mbi 53% të votave në Ferizaj

Published

on

Nga rezultatet e përditësuara të KQZ-së për rinumërimin e votave në Ferizaj, deri në orën 12:00, kur janë rinumëruar rreth 53% të të gjitha votave për kandidatë për deputetë, vërehet një numër shumë i vogël i devijimit nga rezultatet preliminare.

Diferencat e gjetura të votave janë përgjithësisht në marzhën e gabimeve teknike, pasi që deri tani dallimi i votave individuale në shumicën e rasteve është një shifror me disa përjashtime, ku dallimi është mes 30 dhe 40 vota.

Mospërputhjet më të mëdha, deri tani janë tek disa kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje, si tek rasti i Hekuran Muratit të cilit i shtohen +37 vota, Hajrulla Çekos +22 vota, Valon Ramadanit +19 vota derisa në të njëjtën kohë, Albin Kurtit i hiqen – 39 vota apo Glauk Konjufcës të cilit i hiqen -20 vota.

Tek PDK-ja, kandidatit Rashit Qalaj i shtohen +10 vota, Burim Bajramit +10 vota kurse kandidatit Rrahman Rama i hiqen -16 vota, Bedri Hamzës -8 vota e kështu me radhë.

Tek LDK-ja, Ukë Rugovës i shtohen +13 vota, Hykmete Bajramit +11 vota derisa janë disa kandidatë të cilëve u hiqen nga 2 ose 3 vota.

Sipas ecurisë së deritashme, pritet që rinumërimi i tërësishëm i votave në Ferizaj të përfundojë në orët e pasdites së sotme.

Continue Reading

Trending