Kryesuesja e Kuvendit Komunal të
Ferizajt, Kristina Gashi-Bytyqi bëri përmbledhjen e punës së Kuvendit të
Komunës në një konferencë për media.
Gashi-Bytyqi tha se gjatë këtij viti
Kuvendi i Ferizajt mori mbi 80 vendime, u miratuan e ndryshuan disa rregullore,
ndërsa nga tërë këto vendime, 5 prej tyre u kthyen prapa për rishqyrtim pas kërkesës
së nivelit qëndror.
“Në vitin 2019 janë aprovuar 81 vendime që kanë qenë të propozuara
nga Kryetari i Komunës . Kuvendi i Komunës së Ferizajt ka miratuar dhe
ndryshuar 6 rregullore. Rregullorja mbi themelimin dhe strukturimin e asambleve
komunale të fëmijëve, plotësim ndryshimi i rregullores për dhënien e
dekoratave, rregullorja për transparencën komunale, rregullorja komunale për varrezat
– ofrimin e shërbimeve të varrimit dhe mirëmbajtjen e tyre, rregullorja për
rregullin dhe shërbimet komunale si dhe ajo mbi vendosjen e tatimit në pronën e
paluajtshme për vitin tatimor 2020, poashtu si draft rregullore kemi draft
rregulloren për vendosjen, ndërtimin dhe largimin e objekteve të përkohshme në
pronën publike si dhe kemi aprovuar statutin e muzeut të kujtesës”, tha Gashi-Bytyqi.
Kryesuesja e Kuvendit të Ferizajt, e cilësoi
të suksesshme punën e Kuvendit të Komunës,
por jo kënaqshëm tha se kanë kaluar edhe debatet publike të cilat shpesh
kanë dështuar në mungesë të qytetarëve.
“Sa i përket pjesëmarrjes së qytetarëve në diskutime publike nuk mundemi të themi që jemi të kënaqur,
sepse çdoherë kemi bërë ftesat në bazë të ligjit, po ashtu përmes mediave,
faqes zyrtare, megjithatë pjesëmarrja nuk është e kënaqshme, unë vazhdimisht i
kam ftu qytetarët që të jenë pjesë aktive dhe të japin fjalën e tyre, mirëpo e
keni parë që nuk kemi pasur pjesëmarrje të mirë, megjithatë çdoherë u kam dhënë
mundësinë edhe pas diskutimit publik që përmes mediave edhe 15 ditë të tjera që
t’i sjellin këresat e tyre me shkrim edhe nëse nuk kanë pasur mundësi me ardhë
në atë diskutim publik”, tha Gashi-Bytyqi.
Kuvendi Komunal i Ferizajt gjatë
këtij viti ka mbajtur 11 senaca të rregullta, ndërsa të fundit për këtë vit do
ta mbajë pas 3 dite.