Shkollat mbajnë mësim me orar të shkurtuar për shkak të mungesës së ngrohjeve

Që dy ditë disa shkolla të Komunës së Ferizajt kanë zhvilluar procesin mësimor me orar të shkurtuar e disa kanë ndërprerë procesin mësimor të tërin, për shkak të mungesës së energjisë elektrike, ku si pasojë e saj nuk ka funksionuar ngrohja.

 Drejtori i Arsimit në Ferizaj Afrim Llabjani, tha se në shkollat që nuk kanë pasur ngrohje me lejen e tij është mbajtur procesi mësimor me orar të shkurtuar, kurse në shkollën e fshatit Dramjak mësimi është ndëprerë në tërësi.

 “Shkollat të cilat na kanë njoftuar se që nga dje nuk kanë energji elektrike dhe nuk mund të kenë ngrohje nëpër shkolla pasi pompat punojnë me rrymë elektrike dhe na kanë njoftuar që kanë shkurtuar orarin dhe jemi dakorduar që orën ta bëjnë 30 minuta, por kemi edhe një shkollë që e ka ndërprerë procesin mësimor në tërësi është në fshatin Dramjak, ndërsa shkollat të cilat janë duke punuar me orar të shkurtuar është shkolla në fshatin Rahovicë, në Talinoc, në Lloshkobare, në Rakaj, kurse në Mirosalë kemi një telashe, aty është tentuar të bëhet një ngrohje, por është krijuar defekt tjetër dhe nga ora e tretë është mbajtur mësimi me orar të shkurtuar”, tha Llabjani.

Drejtoresha e shkollës “Dy dëshmorët” në fshatin Talinoc të Muhaxherëve, thotë se kjo situatë krijohet sa herë që ndalet rryma. Ajo njofton se kanë bërë kërkesë që të furnizohen me gjeneratorë, por ende janë në pritje.

Era që ka fry ka shkaktuar probleme me energji elektrike, kemi filluar sot pa ngrohje dhe kemi mbajtur mësimin me orar të shkurtuar, por problematikë në shkollën tonë është mungesa e e gjeneratorit që shpeshherë kur ndalet rryma kemi këso probleme, kërkesa është në Drejtorinë e Arsimit dhe po presim një përgjigje pozitive nga Drejtoria e Arsimit”, tha Emini.

Një problem të tillë e ka edhe shkolla “Ramadan Rexhepi”  në Sojevë.  Drejtoresha e kësaj shkolle  Arta Tahiri, thotë se këto dy ditë janë munduar të bëjnë një zgjidhje për ngrohje, por nëse vazhdon kjo situatë nuk munden të zhvillojnë mësimin. Edhe Tahiri thotë se kanë paraqitur kërkesë për gjeneratorë.

“Sojeva ka dy ditë që s’ka rrymë, kjo ka ndikuar pasi sa do që nxehemi me dru pompa që qarkullon ujin nëpër radiatorë është përmes rrymës, por jemi munduar që të ulim nivelin e temperaturës, kemi arritur të bëjmë një zgjidhje, por nëse kjo situatë vazhdon do të jetë problem, sepse pompa e nxemjes duhet patjetër me qarkullu. Gjeneratorë nuk ka, janë bërë kërkesa, por ende nuk ka ndonjë gjë“, tha Tahiri.

Kurse, drejtori Llabjani thotë se janë duke punuar që shkollat të cilat nuk kanë gjeneratorë t’i furnizojnë me ta.

 ”Ne do të mundohemi t’u bëjmë zgjidhje shkollave për faktin se e kemi edhe obligim të bëjmë një gjë të tillë dhe do të mundohemi që për një kohë të shkurtër t’i furnizojmë këto shkolla me gjeneratorë që mos të kenë telashe, të paktën me gjeneratorë të vogël që të paktën t’i startojnë pompat që mos të ketë telashe për ngrohje“, tha Llabjani.

Nga 4 shkurti disa lagje të qytetit dhe disa fshatra të komunës së Ferizajt janë pa energji elektrike. Drejtori i Distriktit për rajonin e Ferizajt  Ramadan Ahmeti, përmes telefonit tha se ekipet e KEDS-it janë në terren dhe janë duke bërë maksimumin për të sanuar defektet që janë shkaktuar nga erërat e forta.

Leave a Comment

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.