Kryeministri në detyrë Albin Kurti, përmes një video paraqitjeje dërguar mediave, bëri elaborimin e arsyeve që sollën deri tek shkarkimi i bordeve dhe menaxhmeneve të disa ndërmarrjeve publike në Kosovë.
Kurti theksoi se qëllimi i keqpërdoruesve ishte pasurimi i
tyre në kurriz të parasë publike, si dhe krijimi i opinionit se ndërmarrjet
publike nuk mund të operojnë në sistemin e ekonomisë së lirë të tregut, në
mënyrë që shërbimet e tyre të zëvendësoheshin me tenderë të kurdisur për
biznese të caktuara.
Në këtë paraqitje, ministrja në detyrë e MEPTINIS, Rozeta Hajdari, shpalosi disa nga të gjeturat e kësaj ministrie në këto ndërmarrje, duke numëruar humbjet në rritje, rritjen e borxheve, shpenzimet e paarsyeshme, punësimin e bazuar ne nepotizëm dhe shumë parregullsi të tjera.
Zyra e Kryeministrit: Video adresimi mediave 26 Prill 2020
Në vazhdim po e publikojmë tekstin e kësaj video paraqitjeje në tërësi:
“Paraprakisht gjej rastin të falënderoj në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës punëtorët dhe specialistët e Ndërmarrjeve tona publike të cilët janë duke punuar e ofruar shërbimet jetike për vendin tonë në këto kohë të vështira të pandemisë COVID-19.
Motivi i këtij falënderimi lidhet padyshim edhe me rolin e tyre të patjetërsueshëm që megjithatë kanë bërë në mbrojtjen e ndërmarrjes ku janë pjesë. Falë tyre shumë ndërmarrje edhe pse me goditje të orkestruar nga ish drejtuesit e menaxherët e lartë, nuk kanë falimentuar.
Shumë tajkunë në vendin tonë u bënë të tillë në një masë të konsiderueshme duke gërryer depozitën e madhe të pasurisë publike të ndërtuar me mundin e qytetarëve apo të trashëguara nga gjeneratat paraprake. Kështu mijëra kontrata, miliona fonde dhe mungesa e besnikërisë së ish drejtuesve publikë krijuan kushtet që shërbimet publike të këtyre ndërmarrjeve për çdo sezon të merrnin goditje derisa shumë prej tyre mbetën pa të ardhura dhe me vështirësi për të paguar vetë punëtorët.
Ndërmarrjeve tona ua grabitën hapësirën për afarizëm, duke grumbulluar fitime shpesh jo të ligjshme prej tenderëve të kurdisur e kontratave të dëmshme, dhe duke krijuar përshtypjen shoqërore se enti publik nuk ka mundësi të operojë në kushtet e ekonomisë së tregut.
Teksa dëgjohen me zë të lartë pretendimet për konkurrencën e lirë, jemi dëshmitarë të përdorjes së saj si alibi për t’ia marrë punën nga dora punëtorit të ndërmarrjes publike për ta kthyer atë në një kontratë ku gjithnjë humb ndërmarrja publike.
Njëjtë edhe për politikën e burimeve njerëzore, ku ata që dinin e guxonin u shtynë të dalin jashtë, të dorëzohen, pasivizohen, apo të largohen. Në shumë raste kërkesa për specialistët ka qenë heshtja dhe mospuna e detyruar, ngase produkti potencial i punës së tyre është llogaritur të nënkontraktohet nga jashtë. Kështu kemi ardhur në situatën që specialistët e fushës, kryesisht inxhinieret dhe inxhinierët e të gjitha fushave të gjenden masivish jashtë enteve publike, duke e privuar publikun nga dobitë e dijes dhe potencialit të tyre.
Këto kanë ngjarë në Telekom, Postë, në KEK, në gati të gjitha ndërmarrjet për ujësjellës e kanalizime, në Trepçë, Infrakos etj. Ne jemi të vendosur që t’i kthejmë ndërmarrjet publike, sipas profilit të tyre, nga katandisja në kërkimin e subvencioneve për çdo muaj, në organizma që prodhojnë vlerë të shtuar ekonomike e publike. Andaj siç e kemi paraqitur shumë qartë besoj, politika jonë qeveritare ka qenë:
a. ndërrimi rrënjësor i mënyrës së drejtimin të ndërmarrjeve tona të cilat ofrojnë shërbimet jetike për vendin tonë
b. largimi i zyrtarëve që me veprimin a heshtjen e tyre e kanë toleruar një situatë të tillë rrënuese për shërbimet publike dhe financat e tyre
c. Çeljen e rrugës me bordet e përkohshme dhe drejtuesit e ri për vendosjen e rregullit, praktikave normale të menaxhimit dhe përgatitjen e kushteve për rekrutimin e specialistëve që do t’i drejtojnë sipas mandatit të plotë ato.
Në veprimin tonë për realizimin e këtyre synimeve kemi hasur në dëshmi e të dhëna të cilat padyshim do të paraqiten për në organet e hetimit. Kemi hasur po ashtu në praktika gati banditeske jashtë çdo standardi minimal etik që domosdoshmërisht duhet të mbizotërojë në institucionet publike. Këto praktika janë shprehur brutalisht këto ditët e fundit, sikurse në rastin e ish kryeshefit të Telekomit, cili bashkë me persona të paautorizuar ka ndërprerë punën e bordit të përkohshëm. Obstruksioni me metoda të forcës a kërcënimit ndaj drejtuesve të rinj të ndërmarrjes publike është rast për organet e rendit dhe drejtësisë.
Le të mos orvatet asnjëri dhe askush në frikësimin e lëre më kërcënimin e anëtarëve të rinj të bordeve ngase do të përballet me forcën e ligjit, si asnjëherë më parë.
Fjala e ministres Hajdari bazuar në të gjeturatnë Ndërmarrjet Publike: Telekomi, KEK, Ibër-Lepenc, Hidroregjioni, Infrakos
Ndërmarrja Publike Qendrore “Telekomi i Kosovës” Sh. A.
Bordi i përkohshëm është mbështetur në këto gjetje në vendimet e shkarkimit të kryeshefit, zëvendëskryeshefave dhe të zyrtarit kryesor financiar:
· Thellimi i humbjeve — Gjatë vitit 2018, humbjet e ndërmarrjes kanë qenë 15,6 milionë euro. Më 2019, janë regjistruar 23,6 milionë euro humbje. Pra, humbjet janë thelluar për 50 për qind.
· Detyrimet në rritje — Detyrimet e ndërmarrjes për 2018 kanë qenë 50,2 milionë euro, kurse për 2019 detyrimet sillen rreth 72,5 milionëve. Pra, kemi një rritje prej 16,3 milionësh.
Rikujtojmë gjithashtu:
· Problemet me likuiditet — Ndërmarrja ka probleme me likuiditet, që është rënduar akoma gjatë pandemisë. Në 5–6 muajt e fundit, ndërmarrja nuk ka arritur të paguajë me rregull rrogat e punëtorëve.
Kur kemi shkarkuar bordin, kemi përmendur këto probleme kyçe: · Kontrata të pafavorshme — Ndërmarrja ka lidhur vazhdimisht kontrata të marketingut me portale fiktive ose për shuma të paarsyeshme; kontrata të rishitjes së shërbimeve me provizion tejet të lartë, të paarsyeshëm — që kanë qenë bazë për shkarkimin e bordit
· Shpenzimet e tepërta — Ndërmarrja ka dhënë rroga të larta të menaxhmentit (pesëfish rroga e ministrit), ndërkohë që menaxhmenti tashmë i shkarkuar ka kërkuar subvencione për rroga të punëtorëve.
· Mbipunësimi — Ndërmarrja është rënduar me emërime e gradime pa kriter, nepotizëm e politizim. Punëtorët përballen me diskriminim në paga.
Ndërmarrja Publike Qendrore “Korporata Elektroenergjetike e Kosovës” Sh. A.
Bordi i ri ka shkarkuar kryeshefin dhe zëvendëskryeshefin. Ka emëruar ushtrues detyre të kryeshefit z. Luigj Ymeri, drejtor i termocentralit Kosova B. Në ndërmarrje kemi identifikuar këto gjetje, për të cilat përgjegjësinë e ndajnë bordi i shkarkuar dhe dy ish-zyrtarët e lartë tashmë të shkarkuar:
· Bonuset në kundërshtim me vendimin e Ministrit — Më 2017, ministri i Zhvillimit Ekonomik ka ndaluar dhënien e bonuseve për bordet e ndërmarrjeve publike. Por bordi i KEK-ut ka vendosur t’i ndajë vetes bonuse. Për më tepër, në vitin 2019 ka përcaktuar kriteret për t’ia vlerësuar vetes punën që ka bërë më 2018. Vendimet e bordit pra janë jo vetëm të paligjshme, por të turpshme.
· Shpenzime të paplanifikuara, problemet në prokurim — Në vazhdimësi ka probleme me tenderët. Një nga shembujt më të fundit është kontrata mbi 1-milionëshe e skanimit: Në dhjetor të vitit të kaluar, KEK-u ka lidhur kontratë me vlerë mbi 1 milion euro për të digjitalizuar dokumente. Kontrata s’ka qenë fare e paraparë në planin e biznesit.
· Shkeljet në punësim
◦ Nepotizmi — Listat e të punësuarve në ndërmarrje dëftojnë për parregullsi dhe nepotizëm në procedura të rekrutimit. Anëtarët e bordit kanë arritur të punësojnë të afërmit e tyre në pozita të rëndësishme në menaxhment.
◦ Dyfishimi i pozitave — Për të mundësuar punësime të reja, ndërmarrja ka dyfishuar pozitat dhe njësitë administrative pa arsye e pa ecuri të ligjshme. Janë emëruar pa konkurs zyrtarë në sa e sa pozita të rëndësishme.
◦ Emërimet e gradime të parregullta — P.sh., është emëruar zyrtari i auditimit të brendshëm pa qenë fare kontabilist i certifikuar, siç kërkohet me ligj.
◦ Punësimi i pensionistëve — KEK-u ka punësuar kundërligjshëm persona mbi moshën 65-vjeçare të pensionimit dhe i ka mbajtur në punë për vite të tëra. Rrjedhimisht, ka shkaktuar dëm që kalon vlerën 270 mijë euro. Bordi nuk ka ndërmarrë veprime konform ligjit për të trajtuar këtë çështje.
◦ Diskriminimi në paga — Struktura e pagave është përpiluar sipas personave, jo pozitave. Ka punonjës që paguhen dyfish sa eprori.
◦ Keqpërdorimet me pagat jubilare — Ndërmarrja nuk u ka paguar punonjësve të vet pagat jubilare që u takojnë, duke shkaktuar konteste të kushtueshme në gjykata. Por në prag të zgjedhjeve, ndërmarrja u ka dhënë pagë jubilare punonjësve që nuk kanë pasur këtë të drejtë, dhe kështu ka shkaktuar padi për diskriminim dhe shpenzime shtesë të procedurave gjyqësore.
· Keqmenaxhimi i pronës dhe shkelje të tjera
◦ Vonesat në shpronësime — Shkaku i mosveprimit dhe mosbashkëpunimit me komunën, ndërmarrja shpronëson ngastra pasi ato të jenë mbushur me ndërtesa spekulative, që s’kanë qëllim tjetër pos të përfitojnë nga kompensimi për shpronësim. Kostoja e shpronësimit në dy projekte të fundit, për sipërfaqe prej rreth 170 hektarësh, pritet të tejkalojë 50 milionë euro.
◦ Rreziku nga kërkesat ligjore — KEK-u përballet me rreth 20 milionë euro kërkesa ligjore, si pasojë e keqmenaxhimit. Një pjesë e këtyre kërkesave rrezikojnë arbitrazhin, që mund të përcillet me kosto dhe ndëshkime shtesë. Në një tjetër rast, ndërmarrja nuk ka filluar me kohë dhe nuk ka vazhduar arbitrazhin për borxhin në lartësi 4,5 milionë euro që një operator privat i ka KEK-ut nga viti 2013.
◦ Keqmenaxhimi i financave — Ndërmarrja i është detyruar rreth 11 milionë euro ndëshkime Administratës Tatimore të Kosovës. 6 milionë dyshohet se janë ndëshkime e gjoba vetëm për shkak të moskomunikimit dhe shpërfilljes së rasteve prej përfaqësuesve të KEK-ut.
◦ Shpenzime të tjera — Ndërmarrja ka blerë pa nevojë mbi 20 vetura, ka paguar për shërbime të kontraktuara pa procedura ligjore, dhe ka lidhur kontrata për shitblerje të energjisë me operatorë që dyshohen të jenë rremë. Në fund, u janë dhënë bonuse menaxhmentit dhe auditorëve, si nxitje për të mos audituar menaxhmentin.
· Aktakuza ndaj drejtorit — Në prill 2020, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj anëtarit të bordit të shkarkuar dhe disa zyrtarëve të lartë të KEK-ut për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare në lidhje me pronën e ndërmarrjes. Dëmi i shkaktuar sipas aktakuzës është rreth 12 milionë euro.
Qeveria ka shkarkuar bordin duke pasur parasysh këto gjetje:
· Humbjet — Ndërmarrja ka humbje të akumuluar prej mbi 45 milionë eurosh.
· Mosrealizimi i projekteve
◦ Nuk është realizuar projekti “Riparimi i kanalit kryesor Mihaliq–Besi”.
◦ Nuk është realizuar projekti “Sanimi i rrëshqitjes së dheut” nga viti 2018. Vlera e kontratës ishte gati 500 mijë euro.
◦ Qeveria e Kosovës ka marrë 22 milionë euro kredi për Ibër-Lepencin, për të mbështetur projektin “Siguria e ujit dhe mbrojtja e kanalit”. Gjatë tri vjetëve prej se ka filluar implementimi, janë disbursuar vetëm 2 për qind e mjeteve.
· Mbipunësimi
◦ Ekspertët thonë se Ibër-Lepenci mund të operojë me më pak punëtorë.
◦ Më 2017, 73 për qind e të hyrave janë dhënë për paga e mëditje. Por ndërmarrja ka planifikuar të shtojë punësimin në planin e 2018-tës. Punëtorët e rinj janë punësuar më 2019.
· Nepotizmi — Punësimi mbi baza familjare dhe lidhje me partitë politike është më se i dukshëm në ndërmarrje.
Ndërmarrja Publike Kompania Rajonale e Ujësjellësit“Hidroregjoni Jugor” Sh.A.Prizren
Qeveria ka shkarkuar bordin e kësaj ndërmarrjeje dhe ka emëruar një bord të përkohshëm. Theksojmë këto gjetje:
· Opinioni i auditorit — Gjendja me pasqyrat financiare është përkeqësuar nga viti në vit. Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kualifikuar për vitin 2017, që domethënë se pasqyrat financiare kanë pasur gabime materiale në disa aspekte. ZKA ka dhënë opinion të kundër për vitin 2018, që domethënë se pasqyrat financiare nuk pasqyrojnë gjendjen e vërtetë në të gjitha aspektet. Përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi bordin e shkarkuar, që ka qenë i emëruar më 2015, ka pranuar pasqyrat financiare dhe nuk ka marrë masa për të adresuar çështjet.
· Shpenzimet e pakontrolluara — Përgjatë viteve 2016 e 2017, ndërmarrja ka shpenzuar rreth 50 për qind më shumë nga ç’ka planifikuar të shpenzojë. Për 2016, s’janë planifikuar as 3,5 milionë euro shpenzime, por janë harxhuar mbi 5 milionë. Për 2017, s’janë planifikuar as 3,5 milionë, e janë shpenzuar gati 5,4 milionë euro. Ndërmarrja ka planifikuar mbi 8 milionë shpenzime për 2018-tën, shumë përtej shumës së planifikuar dhe të shpenzuar në vitet paraprake. (Raportet e ZKA-së)
· Mosrealizimi i projekteve — Donatorët ndërkombëtarë janë ankuar vazhdimisht për pengesa në projekte investive për shkak të mosbashkëpunimit të menaxhmentit. Bordi nuk ka adresuar situatën.
· Investimet e dyshimta — Ndërmarrja ka dhënë një tender për të shpuar puse të ujit mes puseve ekzistuese. Çdo person laik do të mund të këshillonte ndërmarrjen se shpimet e reja nuk do të rrisnin sasinë e ujit që mund të nxirret. Në rastin e KRU Hidroregjionit, sasia e ujit që nxirret nga këto puse ka rënë.
Ndërmarrja Publike Qendrore “Hekurudhat e Kosovës – Infrakos Sh. A.”
Bordi i përkohshëm ka larguar kryeshefin, që më parë ka qenë i pezulluar nga puna.
“Disa nga keqmenaxhimet dhe shkeljet e Kryeshefit Ekzekutiv z.Agron Thaqi, Ndermarrja Pubklike Infrakos SH.A:
“ 1. Ka te ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda për vepër penale keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar.
“ 2. Janë duke zhvilluar hetime nga Policia e Kosovës, Departamenti i Krimeve të rënda, për keqpërdorim të Pronës së Hekurudhave të Kosovës Infrakos, në pronëë te Stacioni i Trenit, Komuna Prishtine.
“ 3. Ka shkelje dhe keqmenaxhim në patundshmëri, në procedura si dhe ne dhenien me qira te pronave te Infrakosit.
“ 4. Infrakosit i kanë kushtuar me shumë se 4 milionë Euro borgje si: Operatori i Trenave Trainkos, Telekomi i Kosovës si dhe furnitorë tjerë siç janë qiramarrësit e pronave etj. Po ashtu Infrakosi ka borgje në obligime tatimore ndaj Institucioneve të shtetit dhe obligime ndaj furnitorëve tjerë mbi 2.5 milionë Euro. Nga Kryeshefi Ekzekutiv z.Agron Thaqi nuk jane marrë masat e duhura për shlyrjen e këtyre borgjeve.
“ 5. Shkelje dhe keqpërdorime në punësime, punësimet nga Kryeshefi Ekzekutiv z.Agron Thaqi, janë bërë në kundërshtim me krijimin e kushteve të barabarta për punë dhe punësim si; punësimi dhe sistemimi i punëmarrësve jo sipas meritës por sipas lidhjeve miqësore e familjare etj. Po ashtu te disa zyrtarë nuk korrespodon vendi i punës (pozitës) që e mbajnë me kontratën që e kanë për punë (pozitë). Në konkursin e fundit të datës 16.01.2020 të shpallur për punësime (17 pozita), nga Kryeshefi Ekzekutiv z.Agron Thaqi, në kohën më të vështirë financiare të Infrakosit, ku Infrakosi nuk ka mjete të mjaftueshme për paga për stafin ekzistues e jo më të pranohen punëtorë të tjerë.
“Lista e të punësuarve në këtë konkurs në ndërmarrje tregon për parregullsi dhe nepotizëm, në procedura të rektutimit, ku zyrtarët e Infrakosit kanë arritur të punësojnë të afërmit e tyre, për të mundësuar punësime të reja. Kryeshefi Ekzekutiv z.Agron Thaqi, gjatë rekrutimit e ka rritur numrin e pozitave pas datës së konkursit, pa arsye dhe pa ecuri ligjore nga 17 pozita sa kanë qenë në konkurs, në fund të rekrutimit i ka pranuar në pune 27 pozita. Si dhe ka nënshkruar kontrata në mënyrë jo ligjore të këtyre punëtorëve të rinj, sepse kontratat për punëtorët e rinj nënshkruhen me një afat të caktuar të punës provuese e jo të nënshkruhet kontrata e përhershme.
“ 6. Mos transparencë rreth zbatimit të projektit- Rehabilitimi i pjesës jugore te linjës 10-të hekurudhore Fushë Kosovë – Hani i Elezit.
“ 7. Ka ankesa nga Sindikata e Pavarur e Infrastrukturës së Hekurudhave të Kosovës Infrakos, për keqpërdorim dhe keqmenaxhim nga Kryeshefi Ekzekutiv z.Agron Thaqi, si në: Punësimi i tepërt në administratë, dhe jo vetëm, pa asnjë kriter, dhe nepotizëm, keqpërdorime në Sektorin e Patundshmërisë, ku është dëmtuar kompania në masë të madhe, Keqpërdorimi i mjeteve financiare përmes tenderëve në sektorë të veçantë, Keqpërdorimi i Projektit për rehabilitimin e Hekurudhës, si dhe mos pagesa e Trustit dhe Tatimit në paga e stafit të Infrakosit.
“Prandaj duke u bazuar në të gjitha këto shkelje dhe keqpërdorime Kryeshefi Ekzekutiv z.Agron Thaqi ka vepruar në kundërshtim me detyrat fiduciare (të besuara), si: Drejtësi, llogaridhënie, ndershmëri, përgjegjësi dhe besim.”
Bahamas, shteti ishull në Karaibe, e ka njohur pavarësinë e Kosovës, njoftoi presidentja Vjosa Osmani.
Kështu Bahamas bëhet shteti i 121-të që njeh Kosovën si shtet të pavarur e sovran.
Në një njoftim në Facebook, Osmani tha se marrëveshja për njohjen e Kosovës nga Bahamas u arrit në kryeqytetin Nasau. Marrëveshja u nënshkrua nga presidentja Osmani dhe kryeministri i Bahama, Philip Davis.
“Komonuelthi i Bahamas dhe Republika së Kosovës njoftojnë se Komonuelthi i Bahamas e ka njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.
Të dyja shtetet njoftojnë gjithashtu vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Komonuelthit të Bahamas dhe Republikës së Kosovës, me efekt nga data e nënshkrimit të Marrëveshjes së Përbashkët për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961.
Të dyja shtetet riafirmojnë përkushtimin e tyre ndaj qëllimeve dhe parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë respektimin e sovranitetit, barazisë së shteteve dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve. Ato bien dakord ta zhvillojnë marrëdhënien e tyre mbi bazën e respektit të ndërsjellë, reciprocitetit dhe angazhimit konstruktiv.
Bahamas dhe Kosova shprehin synimin e tyre për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, përfshirë konsultimet politike, tregtinë dhe investimet, turizmin, arsimin dhe kulturën, teknologjinë dhe inovacionin, bashkëpunimin në sektorin publik, si dhe shkëmbimet ndërmjet njerëzve, në përputhje me ligjet dhe procedurat e secilit shtet respektiv.
Komonuelthi i Bahamas dhe Republika e Kosovës mirëpresin ndërtimin e një partneriteti të ngrohtë dhe produktiv, i cili u shërben interesave të të dy popujve dhe kontribuon në paqen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar”, ka shkruar presidentja Osmani.
Akademikja Justina Shiroka Pula është zgjedhur kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Ajo është gruaja e parë që udhëheq këtë institucion të themeluar më 1975 dhe pason në këtë detyrë akademik, Mehmet Krajën.
Gjatë mbledhjes më 19 dhjetor, ASHAK zgjodhi edhe kryesinë e saj, ku Fejzullah Krasniqi u zgjodh nënkryetar, ndërkaq Bardh Rugova sekretar shkencor.
Mandati i kryetarit të ASHAK-ut është katërvjeçar, me mundësi rizgjedhje.
Kush është Justina Shikora Pula?
Udhëheqësja e re e ASHAK-ut ka përfunduar shkollën fillore dhe të mesme në Prishtinë. Po ashtu, më 1976 ka përfunduar Fakultetin Ekonomik në Prishtinë.
Ndërkaq, studimet pasuniversitare, në fushën e teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik i përfundoi më 1984 në Fakultetin e Shkencave Ekonimike të Zagrebit.
Ajo u doktorua në UP me tezën e doktoratës me titull: “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.
Kryetarja e re e Akademisë së Shkencave ka punuar në Bankën Popullore të Kosovës dhe më 1978 ka nisur karrierën si ligjëruese në Fakultetin Ekonomik.
Sipas biografisë të publikuar në faqen e ASHAK-ut, Shiroka Pula ka marrë pjesë edhe në studime të posdoktoratës, në Universitetin e Lincit në Aushtri, në atë të Arizonës në SHBA si dhe ka kryer trajnime të ndryshme profesionale në universitete të ndryshme të botës.
Pas luftës, ajo është angazhuar në shoqërinë civile, në fushën e fuqizimit të grave, barazisë gjinore dhe zhvillimit të bizneseve dhe ndërmarrësisë.
Nga viti 2008 deri më 2011 ka qenë ministre e Energjisë dhe Minierave të Kosovës, ndërkaq nga viti 2011 deri më 2014 ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës.
Prokuroria Speciale e Kosovës konfirmoi se kanë arrestuar shtatë persona gjatë aksionit policor të zhvilluar në Prishtinë, nën dyshimet për korrupsion, keqpërdorim të detyrës zyrtare, dhënie dhe marrje të ryshfetit, ushtrim të ndikimit, mashtrim dhe armëmbajtje pa leje.
Të dyshuarit janë kapur në flagrancë gjatë shkëmbimit të parave.
Gjatë këtij aksioni, Prokuroria tha se u sekuestruan rreth 20 mijë euro para të gatshme, armë, bizhuteri, dokumente të ndryshme dhe pajisje elektrike.
Të arrestuarit, pas intervistimit janë dërguar në ndalim policor prej 48-orësh.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se personat e arrestuar janë zyrtarë të lartë publikë, përfshirë një ish-ministër dhe se aksioni kishte të bënte me procesin e shpronësimit të pronave private.
“Në këtë rast janë të përfshirë disa zyrtarë të lartë publikë dhe persona përgjegjës, përfshirë: kryetarin e degës së Gjykatës së Graçanicës, J.M.; zyrtarë nga avokatura N.K., M.D. dhe B.D.; ekspertin e gjykatës Sh.T.; zyrtarin në Departamentin e Shpronësimeve; zyrtari i ATK-së G.L si dhe ish-ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, F. I”, shkroi ai në Facebook.
Sipas Sveçlës, personat e arrestuar “kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e Republikës së Kosovës.
Ky grup dyshohet se, përmes korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ka iniciuar dhe deponuar lëndë në Gjykatën e Graçanicës me qëllim të rikompensimit të paligjshëm për shpronësimet e kryera gjatë viteve 2011–2015, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga fondet publike”, ka shkruar Sveçla.