Lëvizja Vetëvendosje në Ferizaj ka drejtuar akuza ndaj Drejtorisë së Bujqësisë në këtë komunë për mosmenaxhimin e duhur të situatës në sektorin e bujqësisë pas të reshurave të shiut dhe breshërit.

Elbasan Shehu nga ky subjekt politik, tha se reshjet e shiut kanë dëmtuar mbi 100 hektarë kultura buqjësore në disa fshatra të Ferizajt, ndërsa drejtori i Bujqësisë e zyrtarë të tjerë të kësaj Drejtorie kanë qëndruar nëpër zyre duke mos e marrë mundin të dalin në terren.

“Kjo drejtori si gjithmonë udhëheqet nga njerëz joprofesional, planifikues e organizues të dobët të punës në terren. Të premten breshëri dhe shiu shkatërroi çdo gjë  që është mbjellur për një vit, ndërsa në vendin e ngjarjes nuk mori mundin të dalë në terren drejtori i Bujqësisë, madje shtabi emërgjent nuk arriti të formoj një komision vlerësues për dëmet që janë shkaktuar nga kjo fatkeqësi natyrore. Tokat punuese të shumë fshatrave të Ferizajt janë shkatërruar përtej të imagjinueshmes. Misri, lajthia e kulturat e tjera janë shkatërruar totalisht. Kryetari Aliu gjatë fushatës ka premtuar kanale të shumta të drenazhes për të kulluar tokën dhe në terren shihet se kjo është zero”, tha Shehu.

Vetëvendosje në Ferizaj po akuzon komunën se nuk ka krijuar një fond të veçantë për bujqësinë.

“Është për keqardhje moskrijimi i një fondi  të veçantë për bujqësinë në raste emërgjente. Vendi ynë nuk është i njohur për naftë, por ka toka pjellore që duhet  të shfrytëzohen e bujqit që duhet të mbështeten, prandaj kërkojmë nga Drejtoria e Bujqësisë të nis procesin e vlerësimit nga terreni dhe jo nga zyret, ndërsa të kompensohen fermerët sa më parë”, tha Brahim Osmani nga LVV.

Në anën tjetër, drejtori i Bujqësisë në Ferizaj Burim Bajrami, i quan shpifje akuzat e zyrtarëve të Vetëvendosjes.

“Të thuhet se drejtori i Bujqësisë qëndron në zyre shumicën e kohës dhe nuk bënë vizita në terren unë mendoj se është e pamoralshe dhe e padrejtë. Unë i kam takuar shumicën e fermerëve që kanë pësuar dëme dhe nëne dikush në Kosovës është që ka ngritur zërin për kompensim të dëmeve jam unë. Ne kemi krijuar komisionin profesional dhe kemi bërë pranimin e ankesave të të gjithë fermerëve, natyrisht duke i njoftuar që të vijnë të bëjnë ankesa zyrtare dhe ne jemi në fazën e vlerësimit të dëmeve që kanë ndodhur. Të gjithë zyrtarët e drejtorisë sime janë në punë, madje duke i shkelur edhe rregullat e Institutit që kanë bërë thirrje të punohet me staf të reduktuar ndërsa unë të gjithë i kam në punë. Konstatimet  e këtij grupi të famshëm të VV-së janë një maskë, hi syve fermerëve. Pse nuk përmendet Tërrni si fshat që ka pas probleme të vazhdueshme, aty kemi bërë hapjen e kanaleve brenda fshatit dhe nuk ka probleme me vërshime, natyrisht nuk jemi shkop magjik që të bëjmë tek të gjithë fshatrat përnjëherë hapjen e kanaleve, unë si drejtor i Bujqësisë e kam gjetë këtë drejtori me mbi 630 mijë euro mjete, ndërsa tani kam 950 mijë, kurse vitin e ardhshëm do ta kalojmë milionëshin”, tha Bajrami.

Lëvizja Vetëvendosje në Ferizaj i bëri apel ekzekutivit të Ferizajt të ketë pikësynim bujqit ferizajas, pasi ky sektor është ndër sektorët më të rëndësishëm të zhvillimit të vendit.

Të ngjashme

Të tjera