Lëvizja Vetëvendosje në Ferizaj, ka akuzuar pushtetin lokal për neglizhencë në procesin e subvencionimit të fermerëve me pleh artificial.
Në konferencën e sotme për media asamblisti i Vetëvendosjes, Brahim Osmani kërkoi nga drejtoria e Bujqësisë në Ferizaj sqarim për mos hapjen e aplikimit për subvencionet e këtij viti pasi sipas Osmanit fermerët edhe pse kanë paguar për aplikim, nuk janë subvencionuar as vitin e kaluar.
“Më 8 shkurt të vitit 2021, Drejtoria e Bujqësisë e kishte shpallur thirrjen për aplikim drejtuar fermerëve që do të marrin plehun artificial për grurin e mbjellur. Sot e kësaj dite asnjë fermer nuk e ka marrë asnjë kilogram pleh artificial edhe pse tenderët ishin shpallur e anuluar. Fermerët patën aplikuar dhe kushtet i kishin plotësuar, por vetëm komuna nuk e ka bërë punën e saj duke mos i’u dhënë bujqëve plehun artificial që e meritonin atëherë dhe që e meritojnë edhe në këtë vit. Bujqit e meritojnë plehun por jo këtë qeverisje që as pleh nuk siguron.
E ftoj publikisht drejtorin që të mos heshtë por të tregoj se çfarë po ndodh me mjetet që janë planifikuar për blerjen e plehut të vitit të kaluar dhe të hapë sa më parë thirrjen për aplikim të këtij viti. Kjo qeverisje duhet të ndjekë shembullin e mirë të qeverisë Kurti, e cila ka shumëfishuar ndihmën pothuajse në të gjitha kulturat bujqësore që mbillen më shumë në vendin tonë. Ne nuk kemi pritshmëri nga kjo qeverisje sepse e njohim çfarë është, por ata nuk duhet të presin më shumë për të hapur thirrjen për aplikim për pleh sepse edhe ashtu janë vonuar tepër shumë.” tha Brahim Osmani nga Lëvizja Vetëvendosje
Në përgjigje të akuzave nga Lëvizja Vetëvendosje, drejtori i Bujqësisë, Burim Bajrami tha se arsyeja për mos dhënien e subvencioneve vitin e kaluar, është për shkak të mos shqyrtimit të tenderit për pleh artificial nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.
‘Zotëriu në fjalë tha pa vërteta të mëdha, kur përmendi se fermerët e Komunës sonë kanë bërë pagesa për me përfitu pleh azotik në vitin e kaluar. Vitin e kaluar i kemi zhvilluar të gjitha procedurat e nevojshme nga ana e drejtorisë tonë. Meqenëse operatorët ekonomik kanë pasur probleme mes vete dhe janë ankuar disa herë në Organin Shqyrtues të Prokurimit i cili ende sot e kësaj dite nuk ka bord për të analizuar ankesat e operatorëve ekonomik kemi mbete pa e shpërndarë plehun azotik vitin e kaluar. Mirëpo të njëjtat mjete (financiare), shuma prej 60,000 € është bartë nga viti i kaluar, për këtë vit dhe këtë vit e kemi iniciuar procedurën e prokurimit më 4 shkurt. Ku kemi kërkuar që në vlerën prej 120.000€ të na furnizojnë me pleh azotik dhe prapë të njëjtat kompani nuk i kanë plotësuar kriteret që Zyra e Prokurimit i ka paraparë dhe ne ta ri-tenderojmë prapë të njëjtin procedurë dhe e kemi ri-tenderu më 24 mars, ku kjo procedurë tani është në fazën e vlerësimit. Në momentin që Zyra e Prokurimit e bënë vlerësimin dhe vjen në përfundim se një operator ekonomik i plotëson kushtet për furnizim me 125 mijë kilogram pleh azotik, ne jemi të gatshëm që ta shpërndajmë qysh në javën e parë pasi të nënshkruhet kontrata. Keni parasysh që të gjitha aplikimet e vitit të kaluar janë relevante dhe vlejnë për fermerët tonë. Nuk ka nevojë që të aplikohet përsëri, listat i kemi të gatshme për sasinë që do ta përfitojnë fermerët e komunës sonë dhe vetëm po presim që Zyra e Prokurimit të nënshkruajë kontratën dhe ne t’i zhvillojmë punimet në terren.” tha Burim Bajrami – Drejtor i Bujqësisë në Ferizaj
Afati për dorëzimin e ofertave në aktivitetin e ri-shpallur të prokurimit për furnizim me pleh artificial është publikuar para tri ditësh ndërsa në tender kishte aplikuar vetëm një operator ekonomik.