Personeli i gjimnazit ”Kuvendi i Arbrit” rezulton negativ për COVID-19 në ritestimin e bërë brenda dy ditësh

Dje rezultoi pozitiv me COVID-19, ndërsa sot testi i doli negativ. Është ky ndihmësi teknik Hajrush Reshani, i cili punon në gjimnazin “Kuvendi i Arbrit”  në Ferizaj, që gjatë ditës së djeshme bashkë me 4 kolegët e tij, një profesor dhe një nxënëse rezultuan se janë infektuar me koronavirus, por nga ritestimi që ata e bën e kuptuan se nuk janë infektuar, përveç nxënëses të cilës për të dytën herë testi i doli pozitiv.

Reshani thotë se kjo situatë e ka shqetësuar mjaft shumë.

“Me tregu drejt u shqetësova, një herë më thanë pozitiv, me thirrën të nesërmen me bë testin apet, shkova e bëna sot dhe më thirrën që kam dalë negativ, nuk e di, simptoma nuk kam pasur fare, na ka shqetësu mjaft, duhet me i shiku ata testet pak më mirë”, tha ai.

Për rezultatet e ndryshme brenda një periudhe të shkurtër kohore, zëvendësdrejtoresha e shkollës Dardane Beqiri, thotë se do të kërkojnë llogari nga Instituti i Shëndetit Publik, teksa thekson se procesi mësimor do të vazhdojë sipas rekomandimeve shëndetësore, përveç klasës së 11 ku ka rezultuar pozitive nxënësja.

“Ne si shkollë sot ose nesër do të kërkojmë një sqarim nga Instituti se si kanë rrjedhur këto lëshime apo gabime, pasi është krijuar një tollovi këtu në shkollë. Brenda një dite kanë dalë rezultate të ndryshme, me datën 5 janë testu, me datën 6 kanë ardhë rezultatet, ndërsa kur janë ritestu dje, sot kanë rezultate të tjera me përjashtim të nxënëses e cila ka rezultuar pozitive për të dytën herë, pra klasa 11/7 vazhdon mësimin online, ndërsa procesi mësimor vazhdon për të tjerët ashtu sipas skenarit të mëhershëm”, tha Beqiri.

Në këtë gjimnaz sot po u merreshin strishot mësimdhënësve të cilët nuk janë testuar asnjëherë. E disa nga ta nuk pranuan ta realizojnë atë.  Minire Kurteshi profesoreshë e matematikës në këtë shkollë,  thotë se nuk dëshiron ta kryej testin pasi nuk ka besim tek Instituti.

“Ne i kemi 1700 nxënës, secili nxënës i ka dy prindër, mos të flasim, me mijëra njerëz, prindër, nxënës e qytetarë që janë të shqetësuar, mua më brengosë ky rast, sot pritet me bë këta tjerët, por besim nuk kemi më në institucione, pse me dalë herë pozitiv herë negativ, pardje u bë testi kanë rezultuar dje pozitiv 7 persona, sot rezultuan negativ prej dje deri sot, unë mendoj se nuk janë të ndërgjegjshëm dhe duhet me i paditë se nuk guxon kështu me kriju shqetësim, duhet me marrë përgjegjësi për rezultate e jo me dalë herë pozitiv herë negativ, nuk është në rregull”, tha Kurteshi. 

Në testimet që janë bërë ditën e djeshme, pozitive ka rezultuar edhe një nxënëse e po të njëjtës klasë me nxënësen që u testua dy herë dhe në të dyjat doli pozitive.

Leave a Comment

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.