Banorë të lagjes ”Sallahu” në fshatin Zllatar të Ferizajt ka disa muaj që po përballen me problemin e kanalizimit.
Ujërat e zeza kanë vërshuar rrugën kryesore të fshatit duke depërtuar edhe nëpër oborre të shtëpive.
Halim Sallahu thotë se përveç erës kundërmuese, ujërat e zeza i kanë lënë edhe pa ujë të pijshëm.
“Sa herë bie shi na hynë uji i kanalizimit në oborr, në puse nga edhe furnizohemi me ujë, dy herë kanë qenë ekipet me rregullu por prap ka problem, puset nuk jemi duke i përdorur, jemi duke e blerë ujin, me të vërtet është shumë keq duke e pas ujin në shtëpi ne duhet me ble”, tha Sallahu.
Përfaqësuesi i fshatit Zllatar Xhevat Sallahu, thotë se gjithë ky problem është si pasojë e cilësisë së dobët të gypave të kanalizimit.
“Ne kemi hasur shumë vende ku mbledhet zhavor në fund dhe kjo si pasojë e cilësisë jo të mirë të betonit të vendosur në fund, po ashtu kemi hasur edhe në gypa të shtypur pasi kur është bërë projekti është bërë shkel e shko. Problem me kanalizimin e ujërave të zeza nuk ka vetëm kjo pjesë, por edhe disa pjesë të tjera të fshatit, e kam thënë edhe në Kuvend që mirëmbajtja e ujërave të zeza është duke na kushtuar më shumë se vet projekti i ujërave të zeza”, theksoi Xhevat Sallahu.
Në kompaninë regjionale të ujit dhe kanalizimit “Bifurkacioni” në Ferizaj, thanë se kjo kompani ende nuk e ka nën menaxhim këtë fshat dhe për këtë arsye nuk mund të intervenojnë
.
Për të marrë një përgjigje nga Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe ajo Infrastrukturës, ekipi i Televizionit Tema e pati të pamundur përkunder tentimit disa orësh.