Drejtoria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit në Ferizaj, ka organizuar ceremoninë e ndarjes së çmimeve për artistin dhe vullnetarin e vitit 2020.

Mentor Haziri është shpallur artisti i vitit, ndërsa Alma Topalli është zgjedhur vullentarja e vitit 2020.

“Ky vit ka qenë i jashtëzakonshëm, për mua si artist ka qenë mjaft i suksesshëm pasi kam bërë tri videoklipe dhe njëra nga to fitoi çmimin si kënga më e mirë në Ulqin. Ndërsa ky çmim është më i rëndësishëm pasi unë jetoj në Ferizaj dhe për mua ka shumë vlerë“, tha Haziri.

Drejtoresha e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit në Ferizaj Xhemile Murati-Shabani, tha se komuna e Ferizajt është angazhuar që të sjell projekte në të mirë të të rinjve.

“Jemi munduar që si drejtori dhe komunë t’iu ofrojmë përkrahje të rinjve, po ashtu edhe sa i përket infrastrukturës kanë filluar disa projekte si pallati i kulturës që do të jetë një zgjidhje për zhvillimin e të gjitha aktiviteteve kulturore”, tha Murati-Shabani.

Gjatë shpalljes së artistit dhe vullnetarit të vitit, Drejtoria e Kulturës shpalosi një përmbledhje të aktiviteteve kulturore të realizuara gjatë vitit 2020.

Të ngjashme

Të tjera