Të hënën nuk do të mbahet mësimi në shkollat e Ferizajt

Shkollat e komunës së Ferizajt të hënën do të jenë të mbyllura për nxënës dhe mësimdhënës. Kjo pas një vendimi të marrë nga Ministria e Arsimit të Kosovës, me qëllim të dezinfektimit dhe ajrosjes së objekteve shkollore të cilat gjatë ditës së diel do të jenë qendra votimi.

Drejtori i Arsimit në Ferizaj Afrim Llabjani, thotë se mësimi nuk do të mbahet as në ato shkolla të cilat nuk do të shfrytëzohen si qendra votimi.

“Në ditën e 14 shkurtit do të ketë qarkullim të madh të njerëzve në shkolla dhe duke pasur parasysh këtë lëvizje të madhe ne kemi vendosur që dita e 15 shkurtit të jetë ditë pushimi në mënyrë që shkollat të  pastrohen dhe që nxënësit kur të kthehen më 16 shkurt të jetë një ambient sa më i sigurt dhe mos të ketë mundësi të infeksionit për shkak të lëvizjes së njerëzve”, tha Llabjani.

Gjatë fushatës zgjedhore e cila do të mbyllet sot, partitë politike i kanë shfrytëzuar objektet shkollore për mbajtjen e tubimeve me qytetarë. Për këtë Llabjani tha se nuk është rrezikuar shëndeti i nxënësve, sepse partitë e kanë shfrytëzuar vetëm një klasë që më pas është dezinfektuar.

“Ka qenë e lejuar  që të mbahen tubimet e partive politike nëpër shkolla, por në fakt ata e kanë shfrytëzuar vetëm një klasë, por ne gjithmonë kemi kërkuar nga shkollat që të jetë një personel teknik sa mbahet tubimi dhe më pas klasa të ajroset dhe të dezinfektohet”, tha Llabjani.

Në komunën e Ferizajt janë gjithsej 60 objekte shkollore, 44 prej të cilave do të shfrytëzohen si qendra votimi të dielën.