“Doni Fruits” furnizon “Burger Kingun” në 77 vende të botës

Kompania ferizajase “Doni Fruits” ka arritur marrëveshje me kompaninë ndërkombëtare “Burger King”, për furnizim të saj në 77 vende të botës.

Kompania e cila punon në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, konsideron se furnizimi i ”Burger Kingut” do të sjell edhe ndërkombëtarizim të kompanive kosovare, gjë që do të ndikoj edhe në shtimin e vendeve të reja të punës.

Drejtori për Financa në këtë kompani Bekim Sinani, shpreson që premtimi i Qeverisë për krijimin e një banke zhvillimore do të realizohet, sepse një institucion i tillë do të ndikonte pozitivisht tek fermerët dhe qendrat e grumbullimit, pasi që bankat komerciale në Kosovë kanë norma të larta të interesit për agronomi.

“Informaliteti është problem i rëndë për funksionimin tonë normal. Në fund çmimin për produkt e paguan konsumatori. Nëse ka mundësi të uljes së informalitetit edhe konsumatori për produktet e blera do të shpenzonte më pak. Kemi edhe humbje të tjera që nuk janë trajtuar nga qeveritë e kaluara. Nuk ka një ligj për humbjen në peshë në Kosovë, kjo është një çështje që shpresojmë që do të trajtohet që bizneset të kenë mundësi më të mirë në zhvillimin e tyre“, tha ai.

Sinani mendon se bujqësia ka nevojë për përkrahje në mënyrë që të zhvillohet ekonomia në vend.

“Është një potencial i madh për kompanitë për t’u njohur ndërkombëtarisht. Ta them një batutë “nëse malli më i kërkuar është paraja, atëherë do duhej të lihet anash si mall i kërkuar edhe pemtë dhe perimet”.  Kontrata siç është kjo me ”Burger Kingun” vetvetiu krijon mundësi për njohje dhe për kredibilitet edhe për shtetin përmes kompanive që operojnë me kompani ndërkombëtare”, u shpreh Sinani.

Kompania “Doni Fruits” furnizon me pemë dhe perime edhe kampin “Bondsteel” në Ferizaj.

Leave a Comment

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

300X220