Seanca dëgjimore ndaj Dardan Krivaqës, i dyshuar për vrasjen e Marigona Osmanit u ndal në gjysmë.

Kjo për shkak të gjendjes shëndetësore të Krivaqës, gjendje për të cilën u desh të ndërhyjë urgjenca e Ferizajt.

Mjeku Astrit Hoxha i cili ka ndërhyrë në këtë rast tregoi për gjendjen në të cilën u gjend Krivaqa.

“Sot kemi qenë në Gjykatën Themelore në Ferizaj për ekzaminimin e personit në fjalë. Pasi që personi nuk është ndier mirë, gjykatësi ka thirrur urgjencën primare në Ferizaj. Në vendin e ngjarjes, parametrat vitale të personit kanë qenë në normë përpos një tensioni arterial të ngritur, mirëpo ka qenë një gjendje depresive bukur e rëndë, ka qenë shumë e vështirë të komunikojmë me pacientin. E gjithë kjo dyshohet se ka ardhur si pasojë e përdorimit të substancave narkotike, për të cilat personi në fjalë e ka pranuar vet dje e që në mjekësi njihet si sindromi i abstinencës”.

Astrit Hoxha – Mjek i Urgjencës së Ferizajt
Astrit Hoxha – Mjek i Urgjencës së Ferizajt

Hoxha thotë se për këtë rast duhet të këshillohet edhe psikiatri.

“Kemi pasë pak hapësirë për ndërhyrje, gjykatësi është këshilluar që të këshillohet edhe psikiatri… Gjendja ka qenë stabile, vetëm se ka qenë në gjendje depresive të rëndë dhe u këshillua që pacienti të pushojë edhe pak derisa të kalojë kjo fazë, pra trupi i tij të pastrohet nga substancat narkotike të cilat dyshohet se personi në fjalë i ka përdorur”.

Astrit Hoxha – Mjek i Urgjencës së Ferizajt

Gjykata Themelore në Ferizaj përmes një komunikate për media tregon se u konfirmua kërkesa e prokurorisë dhe Krivaqës i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Në këtë komunikatë poashtu thuhet se gjatë seancës dëgjimore “është vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 22 gusht 2021, në Ferizaj, në banesën e tij, me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta, një natë përpara, ka ushtruar fillimisht dhunën psikike, pastaj edhe dhunë fizike, e cila ka vazhduar edhe ditën kritike, derisa e ndjera ka ndërruar jetë”.

Të ngjashme

Të tjera