Connect with us

Kosovë

Escobari merr Lajçakun me vete – Niset drejt Prishtinës dhe Beogradit

Published

on

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, pritet të vizitojnë këtë javë Prishtinën dhe Beogradin, ka njoftuar REL-i nga burimet diplomatike në Bruksel.

Sipas këtyre burimeve, Escobar dhe Lajçak do të qëndrojnë të martën në Prishtinë. Ata do të bëjnë përpjekje për të bindur palët që të arrijnë marrëveshje për tejkalimin e tensioneve në veri të Kosovës si dhe për çështjen e targave të veturave dhe dokumentet serbe.

Në takimin e fundit të nivelit të lartë në Bruksel, që është mbajtur më 18 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk kanë arritur marrëveshje për këto çështje.

Megjithatë burimet e BE-së kanë thënë se “do ta vazhdojnë punën intensive në kërkim të zgjidhjes” dhe se “derisa të mos arrihet zgjidhja, nuk do ta konsiderojnë këtë rund të dialogut si të përfunduar”.

Në Bruksel, diplomatët pranojnë se ka hapësirë për rritjen e tensioneve, prandaj edhe duan që të dyja palët të jenë të përgjegjshme, të kërkojnë zgjidhje dhe të evitojnë sjelljet që mund të shkaktojnë përshkallëzim të situatës.

Në BE e kanë përsëritur se “nuk duan të shohin në Kosovë, skena çfarë janë parë në fund të muajit korrik dhe fillim të muajit gusht”.

Fakti se Escobar dhe Lajçak pritet të shkojnë së bashku në Beograd dhe Prishtinë, shihet si dëshmi se BE-ja dhe SHBA-ja po punojnë së bashku në drejtim të arritjes së një zgjidhjeje për çështjet e targave dhe dokumenteve serbe.

Shtetet e Bashkuara e kanë përsëritur se mbështesin plotësisht procesin e ndërmjetësuar nga blloku evropian.

Ndërkohë zyrtarë të BE-së i janë falënderuar SHBA-së për rolin aktiv dhe konstruktiv në kërkim të zgjidhjes dhe në mbështetje të dialogut.

Esobar ka qëndruar në Bruksel më 18 gusht, kur është zhvilluar dialogu mes Kurtit dhe Vuçiqit.

Ai është takuar ndaras me të dy liderët dhe Lajçakun.

Burimet diplomatike në Bruksel pohojnë se këto ditë ka interesim dhe angazhim të shtuar edhe të disa liderëve perëndimorë për të gjetur zgjidhje.

Vetë Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë pas takimit të liderëve të Kosovës dhe Serbisë se ka kohë deri më 1 shtator, ndonëse ka tërhequr vërejtjen se koha “po ec”.

Nga takimet e të dërguarve të posaçëm të BE-së dhe SHBA-së në Prishtinë dhe Beograd, do të varet nëse do të ketë takim të ri në kuadër të dialogut në Bruksel, dhe nëse po, në çfarë niveli.

Takimet në Bruksel u thirrën pasi serbët lokalë më 31 korrik dhe 1 gusht vendosën barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të dy vendimeve: për targat e makinave dhe dokumentet serbe. /Rel

Kosovë

Mbahet seanca fillestare për masakrën e Mejës

Published

on

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca fillestare ndaj 53 të akuzuarve për masakrën e Mejës.

Gjykimi për këtë rast zhvillohet në mungesë dhe të akuzuarit përfaqësohen nga avokatët e tyre gjatë seancave gjyqësore.

Avokatët e të akuzuarve kanë 30 ditë kohë që të ankohen ndaj pretendimeve të prokurorisë.

Masakra e Mejës ka ndodhur në prill të vitit 1999, kur 370 shqiptarë të Kosovës u vranë. Trupat e tyre më pas u gjetën në tetë varreza masive në Batajnicë të Serbisë.

Gjatë seancës fillestare, gjyqtarja Violeta Namani-Hajra, konstatoi se asnjëri nga të akuzuarit nuk ishte i pranishëm në gjykatore dhe se gjykata nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tyre.

“Mbahet gjykimi në mungesë ndaj Momir Stojanoviq dhe të tjerëve”, tha gjyqtarja, teksa argumentoi vendimin e gjykatës se kushtet juridike të plotësuara që ky gjykim të mbahet në mungesë.

Momir Stojanoviq, ish-shef i Departamentit për Siguri në Komandën e Korpusit të Prishtinës, i cili ka qenë edhe drejtor i Agjencisë Ushtarake dhe të Sigurimit të Serbisë, është ndër të dyshuarit kryesor për masakrën e Mejës.

Aktakuza për këtë rast është ngritur dhjetorin e vitit 2023 dhe është plotësuar në prillin e vitit pasues.

Në mesin e atë akuzuarve për krimet në Mejë dhe fshatrat e tjera në Gjakovë janë edhe zyrtarë të tjerë të Shërbimit të Sigurimit të Shtetit të Serbisë dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët akuzohen për planifikimin dhe zbatimin e operacionit “Reka”, gjatë të cilit u vranë 370 civilë shqiptarë.

Ata akuzohen për vrasje, dhunë fizike dhe seksuale, tortura, plaçkitje dhe dëbim etnik të shqiptarëve.

Gjykimet në mungesë në Kosovë janë mundësuar që të mbahen pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale më 2022. Gjykime të tilla mund të mbahen vetëm me kusht që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shterur të gjitha mjetet për të për të siguruar praninë e të akuzuarit.

Kodi i Procedurës Penale thotë se personat që gjykohen në mungesë, për shkak se autoritetet nuk kanë arritur të sigurojnë praninë e tyre, kanë të drejtë për një rigjykim pa kushte, kur të arrestohen.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, që nga ndryshimet që mundësuan gjykimet në mungesë deri në shkurt të këtij viti, janë ngritur 15 akuza në mungesë kundër 73 anëtarëve të forcave serbe, të cilët dyshohen se kanë kryer krime lufte në Kosovë. Ndërkaq, aktgjykimi i parë në mungesë u shqiptua dhjetorin e vitit 2024, kundër Çedomir Aksiqit, i cili u dënua me 15 vjet burgim për krime kundër popullatës civile në Shtime më 1999.

\Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Kurti pas deklaratës së Trumpit: T’i bëhet trysni Beogradit

Published

on

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është i mundur dhe për t’u arritur kjo, duhet që t’i bëhet trysni Beogradit që të zbatojë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve, të arritur më 2023.

Kështu u përgjigj Kurti në pyetjen nëse mund të ketë shpejt një marrëveshje me Serbinë, pas një deklarate të bërë një ditë më parë nga presidenti amerikan, Donald Trump, lidhur me raportet mes Prishtinës dhe Beogradit.

Kurti përsëriti qëndrimin se Kosova dhe Serbia veçse e kanë arritur një marrëveshje për normalizim, që tha se po shkelet nga Beogradi, teksa përsëriti kërkesat e Kosovës për këtë proces.

“Për të normalizuar marrëdhëniet midis dy vendeve tona është e domosdoshme që ata pikë së pari t’ua dorëzojnë autoriteteve të shtetit tonë Millan Radoiçiqin, kriminelin i cili na e vrau rreshterin policor, heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku. Më pas, të pranojnë ta nënshkruajnë Marrëveshjen bazike me Aneksin e zbatimit. Njëkohësisht, ta tërheqin edhe atë letrën nga dhjetori i vitit 2023, kur ish-kryeministrja [serbe, Ana] Bërnabiq ka thënë që nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës”, tha Kurti.

Trump shkroi të dielën në Truth Social se gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Kosova dhe Serbia ishin “duke shkuar drejt një përplasje të ashpër” dhe ishte gati shpërthimi i një lufte, por shtoi se ai e ndaloi atë, duke e akuzuar pasardhësin e tij, ish-presidentin Joe Biden, se e “ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime shumë të pakuptimta, por unë do ta rregulloj, sërish”.

Gjatë mandatit të parë të Trumpit, më 2020, Kosova dhe Serbia arritën në Shtëpinë e Bardhë një marrëveshje për normalizim ekonomik. Kjo marrëveshje, që përfshiu edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nuk është zbatuar plotësisht.

Pas fitores së Trumpit në zgjedhjet presidenciale nëntorin e vitit të kaluar, Kurti ishte pyetur lidhur me zbatimin e kësaj marrëveshjeje, që njihet si Marrëveshja e Uashingtonit.

Atëbotë, ai po ashtu kishte deklaruar se së pari duhej të zbatohet marrëveshja e arritur më 2023 në Bruksel, dhe aneksi për zbatimin e saj, për të cilin palët u dakorduan në Ohër.

“Besoj që normalizimi është i mundur, trysnia duhet të jetë mbi Beogradin dhe gjithmonë e mirëpresim rolin e SHBA-së, që është aleatja jonë kryesore, partnerja e pazëvendësueshme dhe mikja speciale në tri fusha kryesore. E para është mbrojtja, e dyta është diplomacia, dhe e treta është zhvillimi”, tha Kurti për gazetarët më 16 qershor.

Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve nuk është nënshkruar nga palët, për shkak të refuzimit të Serbisë që të bëjë një gjë të tillë. Por, Bashkimi Evropian – që ndërmjetëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – insiston se marrëveshja është obligative për palët.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Kosova dhe Serbia që nga shtatori i vitit 2023 nuk kanë zhvilluar takim të dialogut në nivel të lartë politik. Së voni, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka bërë me dije se po bëhen përgatitje për një takim të ri të dialogut në nivel të lartë politik.

/Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Arbëri

Qyteti i Ohrit lëkundet nga tërmeti

Published

on

Maqedonia e Veriut, është goditur nga një tërmet me magnitudë 4.0 ballë të Rihterit.

Njoftimi u bë Qendra Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare.

Sipas EMSC-së, epiqendra e tërmetit, që u regjistrua në orën 04:34 sipas kohës lokale, ishte rreth 4 kilometra në veri-perëndim të zonës së qytetit të Ohrit në thellësi  prej 5 kilometrash.

Përpos Ohrit me rrethinë, tërmeti u ndje edhe nga banorët në zonat kufitare me Shqipërinë dhe në qytetin e Elbasanit.

Deri më tani, nuk ka informacione për dëme të mundshme apo për persona të lënduar.

Continue Reading

Trending