Connect with us

Arbëri

Vetëm tre regjistrues shqiptarë në Medvegjë, Kamberi: Nuk po dërgohen në vendbanime shqiptare

Published

on

Në Medvegjë janë vetëm tre regjistrues me etni shqiptare të cilët po marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë. As këta tre shqiptarë nuk po dërgohen në vendbanimet shqiptare, por në dyert e tyre po trokasin regjistrues serbë.

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi tha për KosovaPress, se kjo është në kundërshtim me marrëveshjen që është bërë në ndërmjetësim me OSBE-në. Ai njofton se kanë dorëzuar ankesën në Entin Statistikor të Serbisë dhe se po presin që gjatë ditës të zgjidhet kjo çështje.

Një gjë të tillë e thonë edhe dy nga regjistruesit shqiptarë, me të cilët ka kontaktuar KosovaPress. Këta të fundit nuk kanë dashur të identifikohen, por janë emra të njohur për redaksinë. Ata kanë bërë të ditur se prej ditës kur ka nisur regjistrimi, ata janë dërguar në fshatra të cilët janë të banuar nga serbët.

Deputeti Shaip Kamberi shpreh dyshimin se kjo po bëhet me qëllim që të pamundësohen shqiptarët që të regjistrohen.

“Tre (regjistrues) janë për Medvegjë që kanë kaluar testet. Por problemi tashmë qëndron në faktin se edhe këta tre nuk janë duke i dërguar në vendbanime shqiptare, por dërgohen në vendbanime serbe. Ndërkohë që regjistruesit serbë dërgohen në vendbanime shqiptare, që është në kundërshtim me marrëveshjen që kemi pasur me Ministrinë për Dialog dhe për Drejta të Njeriut me ndërmjetësimin e OSBE-së. Ne kemi alarmuar OSBE-në edhe ambasadat perëndimore gjatë ditës së djeshme, po presim që sot të ketë një trajtim dhe respektivisht kthim për respektimin e marrëveshjes. Sepse përndryshe ne do të duhet të shqyrtojmë vendimin dhe qëndrimin tonë për regjistrimin e popullsisë në këtë komunë. Sepse dyshojmë që gjithë kjo po bëhet me qëllim që të pamundësohen shqiptarët që të regjistrohen”, njofton Kamberi.

Regjistrimi i popullsisë për shqiptarët në Serbi po bëhet pas dy dekadave.

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Kamberi, vlerëson se ky proces ka rëndësi të veçantë në proceset e dekadëshit të ardhshëm. Ai flet edhe për pasivizimin e adresave, për çka shton se shqiptarëve nuk mund t’ju merret shtetësia.

“Të gjithë ata që janë pasivizuar, qëndrimi është që të regjistrohen si banorë, sepse atyre nuk mund t’ju merret shtetësia sipas ligjit. Prandaj, si shtetas të Serbisë ata kanë të drejtë të regjistrohen. Ndërkohë, sa i përket adresave të reja si individ duhet të paraqes kërkesë për t’i dhënë adresë të re në vendin ku ai lajmërohet. Është një procedurë krejtësisht tjetër ajo, e cila duhet sigurisht që të niset menjëherë pas përfundimit të procesit të regjistrimit të popullsisë”, shton Kamberi.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk kanë marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë që u organizua në vitin 2011, për shkak se nuk u respektuan kërkesat e tyre.

“Ne nuk kemi marrë pjesë në regjistrimin e vitit 2011, për faktin se Enti Statistikor Republikan nuk ka respektuar kërkesat tona për regjistrim të diasporës, regjistrim të banorëve të zhvendosur dhe për faktin se nuk kemi pasur mjaftueshëm regjistrues shqiptarë. Sikurse në dokumentacione nuk kanë qenë në gjuhën shqipe. Kësaj here me ndërmjetësimin e OSBE-së, të gjitha këto janë arritur dhe procesi ka filluar, ashtu siç ishte planifikuar me 1 tetor”, vijon ai.

Deputeti shqiptar Shaip Kamberi pret që nga ky regjistrim që do të përfundojë gjatë këtij muaji, shqiptarëve t’u kthehen të drejtat.

“E para ka të bëjë me nivelin e integrimit që ne kërkojmë nga organet shtetërore, nga statistikat që do të tregojnë se sa është numri i shqiptarëve në këtë rajon. Kërkesa jonë do të duhet të jetë në nivel të atillë që të ri inkuadrohemi dhe të participojmë në punën e organeve shtetërore të cilat funksionojnë në komunat tona. Ka funksion dhe rol edhe në financimin e projekteve kapitale që vijnë nga qyteti dhe vijnë nga shteti për komunat tona dhe financimin e rregullt mujor që i bëhet komunave nga niveli shtetëror. Po ashtu edhe financimin që i bëhet Këshillit Nacional. Numrin e mjekëve që do të ketë ‘Shtëpia e Shëndetit’, numrin e ambulanteve që duhet të ekzistojnë në vendbanimet e caktuara, pavarësisht nga numri i popullsisë. Dhe ajo që është e rëndësishme për Preshevën është se nga numri i banorëve që do të dalë se ka kjo komunë do të varet legjitimiteti për kthimin e Gjykatës Themelorë në Preshevë, e cila në vitin 2013 është shuar”, deklaron ai për KosovaPress.

Për këtë flet edhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar për Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi i cili thotë se ky proces është përgjigje ndaj diskriminimit e pasivizimit të adresave.

Ai shton se janë ofruar kushtet optimale për regjistrim të popullsisë, proces ky që financohet nga Bashkimi Evropian dhe mbështetet e monitorohet nga EUROSTAT.

“Fletë-regjistrimet janë në gjuhën shqipe, të cilat i ka asistuar Këshilli Kombëtar Shqiptar. Instruktorët për regjistruesit janë edhe nga komuniteti shqiptar. Regjistrues janë edhe nga komuniteti shqiptar e madje edhe në disa vendbanime të përziera është lejuar edhe mundësia për asistent gjuhësor. Në këtë proces të regjistrimit të popullsisë nuk nevojitet asgjë tjetër përveç emrit, mbiemrit dhe një numri personal, me ç’rast regjistruesi e ka për detyrë tri herë të shkojë në shtëpinë e tij dhe në rast se nuk e gjen në shtëpinë e tij do të duhej të lënë një kontakt-numër dhe regjistrimin mund ta kumtojë një familjar për gjithë anëtarët e tjerë të familjes”, shprehet ai.

Në Preshevë e Bujanoc, shumica e regjistruesve janë shqiptarë, por jo edhe në Medvegjë.

“Ne kemi 83 regjistrues diku 86 regjistrues në Bujanoc, 73 regjistrues në Preshevë dhe kemi 24 regjistrues në Medvegjë, tre nga të cilët janë shqiptar”, shton Mustafi.

Në regjistrimin e fundit të popullsisë të vitit 2002, ku morën pjesë shqiptarët janë evidentuar 56 mijë banorë.

“56 mijë banorë shqiptarë kanë qenë në Luginën e Preshevës, sipas regjistrimit të vitit 2002, rezident. Dhe rreth 30 mijë kanë qenë, jo rezident që do të thotë se pjesa që jetojnë në diasporë. Ne synojmë që të ruajmë së paku këtë minim dhe të arrijmë të kemi 56 mijë, 57 mijë, rreth 60 mijë banorë rezident në Luginën e Preshevës. Ndërkohë që është shumë e qartë se diaspora jonë është rritur në ndërkohë. Sepse, kemi njerëz që janë larguar dhe migrimi ka bërë të vetën. Procesi i largimit të dhunshëm të banorëve shqiptarë nga Malësia e Bujanocit, Karadaku i Preshevës dhe fshatrave e Medvegjës që është përfunduar në vitet ’99-2000 edhe që po tentohet përmes pasivizimit të adresave të legalizohet me spastrim etnik të kryer, ka qenë një ndër arsyet që ne nuk kemi pranuar të marrim pjesë në regjistrimin e vitit 2011”, ka përfunduar deputeti Shaip Kamberi.

Në procesin e regjistrimit të popullsisë në Serbi që ka nisur ditën e shtunë, bëhet edhe regjistrimi i pronave.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe liderët e partive shqiptare në Kosovës kanë ftuar shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës që të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë, si përgjigje ndaj diskriminimit të shqiptarëve dhe pasivizimit të adresave. /KSP

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Arbëri

“Arrest shtëpiak” për drejtoreshën e Shërbimit Informativ Shqiptar, Vlora Hyseni

Published

on

Prokuroria e posaçme në Shqipëri (SPAK), ka ngritur kallëzim penal ndaj drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit Vlora Hysenin, nëN dyshimin për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror. Me kërkesë të prokurorisë, Gjykata Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) i ka caktuar Hysenit masën e  sigurisë “arrest shtëpie” edhe pse ajo aktualisht nuk ndodhet në Shqipëri.

Ndaj saj është vendosur edhe masa e pezullimit nga detyra.

Përndryshe, Vlora Hyseni ka shërbyer për vite me radhë në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), si Drejtoreshë për Marrëdhëniet me Jashtë dhe më pas si Zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme, përpara se të shkarkohej nga Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti në qershor të vitit 2021.

Pas largimit nga Kosova, ajo u zhvendos në Tiranë ku shërbeu si Këshilltare për Sigurinë Kombëtare e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, kurse në mars të vitit 2023 ajo u dekretua nga presidenti Bajram Begaj në pozitën e drejtoreshës së  Shërbimit Informativ të Shtetit.

Ndërkohë, në hetimet në lidhje me dyshimet për vepra të ndryshme penale në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI),  janë duke u zhvilluar edhe ndaj ish-drejtorit të policisë së Shtetit, Ilir Proda, kurse tashmë janë arrestuar edhe një ekspert kriminalistik në Tiranë dhe një pronar biznesi në Durrës.

Ilir Proda ishte Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në Shqipëri, derisa u shkarkua nga detyra në mars të vitit 2026.

Sipas mediave shqiptare, mëngjesin e sotëm zyrtarë të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë bastisur disa banesa në Tiranë, përfshirë banesën e Ilir Prodës dhe disa ish-zyrtarëve të tjerë. Lidhur me këtë rast, më herët janë arrestuar edhe Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj ndërsa në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” ndodhet edhe drejtuesja e AKSHI-it, Mirlinda Karçanaj.

Continue Reading

Arbëri

Shqipëria arreston tre shtetas të Kosovës në një operacion kundër trafikimit të drogës

Published

on

Në Durrës të Shqipërisë, autoritetet thanë se kanë arrestuar tre shtetas të Kosovës, dhe kanë sekuestruar rreth 80 kilogramë kanabis të llojit “Gelato”, që dyshohet se u trafikua nga Kanadaja për t’u shpërndarë më pas në Shqipëri dhe Kosovë.

Tre shtetasit e Kosovës janë identifikuar si T. D., 32 vjeç, L. G., 26 vjeç, dhe B. J., 40 vjeç, të cilët dyshohen për veprën penale të trafikimit të narkotikëve.

Sipas Kodit Penal të Shqipërisë, për veprën penale që dyshohen të arrestuarit parashihet dënim nga shtatë deri në 20 vjet burgim.

Dy persona të tjerë, H.C, i lindur dhe banues në Kukës dhe G.O, i lindur në Kosovë dhe banues në Ontario të Kanadasë janë në kërkim dhe dyshohen për po të njëjtën vepër penale.

“Si rezultat i veprimeve hetimore intensive dhe të koordinuara, u bë i mundur dokumentimi i një skeme të dyshuar të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike, të kryer në bashkëpunim, ku u sekuestruan, në Portin e Durrësit, 127 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e njohur në treg me emërtimin ‘Gelato’, me peshë totale rreth 80 kilogramë”, u tha në njoftim.

Vlera në treg e drogës së sekuestruar, sipas Policisë së Shqipërisë, është rreth 1 milion euro.

Dyshohet se lënda narkotike sigurohej në Ontario të Kanadasë dhe transportohej drejt Shqipërisë, “e fshehur në një vend të posaçëm të modifikuar në një automjet të porositur për blerje në Kanada”.

Policia tha se në bazë të hetimeve të deritanishme, dyshohet se personat e përfshirë në këtë rast kishin role të përcaktuara në sigurimin, fshehjen, transportimin dhe shpërndarjen e lëndës narkotike, nga Kanadaja drejt Shqipërisë dhe më tej drejt Kosovës.

Gjatë operacionit, të emëruar “Anchor”, autoritetet shqiptare thanë se përveç pakove me lëndë narkotike, sekuestruan edhe tre automjete, pesë telefona celularë dhe rreth 11.000 euro para të gatshme.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Arbëri

Arrestohet Artan Grubi pas më shumë se një viti në arrati

Published

on

Ish-zëvendëskryeministri maqedonas Artan Grubi është arrestuar më 23 shkurt në pikën kufitare Bllacë, pas më shumë se një viti prej kur ishte në arrati, ka konfirmuar Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut.

Grubi dyshohet për abuzim të detyrës zyrtare në rastin e njohur si “Lotaria Shtetërore”, rast për të cilin ka raportuar më herët edhe Radio Evropa e Lirë.

Në këtë rast përfshihet edhe Përparim Bajrami, i cili po ashtu përmendet në aktakuzë si i dyshuar.

Prokurorët dyshojnë se ata kanë përvetësuar rreth 8 milionë euro përmes prokurimit të pajisjeve të terminaleve të lotarisë elektronike (VLT).

Autoritetet nuk kanë bërë të ditur ende nëse Grubi do t’i nënshtrohet masës së paraburgimit apo do t’iu dorëzohet autoriteteve gjyqësore më vonë gjatë ditës.

Prokuroria pati kërkuar ndalimin e Grubit dhe Bajramit, me arsyetim se ekziston dyshim i bazuar se veprimet e të dyve kanë pasur qëllim përfitimin e paligjshëm material.

Më 17 dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria Penale pati kërkuar paraburgim prej 30 ditësh për Grubin dhe Bajramin dhe po atë ditë autoritetet maqedonase patën lëshuar urdhërarrestim ndërkombëtar për të dyja figurat.

Artan Grubi pati thënë përmes një postimi në Facebook se nuk po arratiset mirëpo që ishte në një vizitë private në Kosovë dhe që do të kthehej në shtëpi. Ditën pas asaj deklarate, policia ka kërkuar në dy lokacione mirëpo nuk e ka gjetur atë.

Kryeministri maqedonas, Hristjan Mickoski pati thënë atëbotë se Grubi “bashkë me një person tjetër, biznesmen, është larguar nga Maqedonia [e Veriut] me makinë me targa diplomatike dhe është nisur drejt vendit fqinj Kosovës” dhe që Bajrami, sipas tij, nuk ka qenë brenda territorit maqedonas për kohë të gjatë.

Mes tjerash, Grubi është futur në listën e zezë të Departamentit amerikan të Shtetit më 9 dhjetor, për shkak të, siç është thënë, përfshirjes në korrupsion, për ndërhyrje politike dhe përpjekje për të mashtruar gjyqësorin.

Arsyetimi për përfshirje në këtë listë ishte sepse ata kanë marrë ryshfet për të ndikuar në procedurat gjyqësore që lidhen me dënimin penal të ish-drejtorit të Administratës së Sigurisë dhe Kundërzbulimit (DSK), Sasho Mijalkov, në rastin “Target” të hapur nga Prokuroria Speciale Publike (PSP), i cili kishte të bënte me përgjimet masive.

Grubi ishte anëtar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) të opozitës, dikur deputet dhe zëvendëskryeministër në Qeverinë e mëparshme të LSDM-së dhe BDI-së.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending