Edi Rama propozon rezolutë në Këshillin e Evropës.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kërkuar nga Këshilli i Evropës një raport tjetër vijues në lidhje me akuzat e paprovuara për trafikimet e organeve nga anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kështu ka kërkuar ai në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës.
“Ju bëj thirrje të rrëzoni akuzat kundër Kosovës. Ju bëj thirrje që të pranoni kërkesën e Shqipërisë për miratimin e rezolutës që kërkon një raport vijues në lidhje me akuzat e paprovuara për trafikimet e organeve nga anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – një krim ky që nuk është kryer dhe kurrë nuk do të duhej t’i atribuohej UÇK-së”.
Ai ka shtuar se një rezolutë e tillë nuk do t’i bënte nder Kosovës, por vetë Këshillit të Evropës.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se “Shtëpia e verdhë”, në të cilën raporti i Dick Martyt pretendonte se janë nxjerrë organe njerëzish nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk ishte as e verdhë dhe as nuk ishte klinikë.
“Raporti përqendrohet dhe e vendos një theks të veçantë tek një vend specifik mjekësor, një shtëpi e verdhë ku ishin përqendruar operacionet”.
“Kjo shtëpi nuk është e verdhë dhe as klinikë, është një shtëpi prej të shumtave në një zonë të thellë të Shqipërisë. Vetë fshati ndodhet në një zonë shumë të largët të Shqipërisë”.
“Ky nuk ishte vendi ideal për heqjen e organeve. Imagjinojeni të heqësh organe, pa rrymë, pa ujë dhe pa rrugë – e lerë më pa pajisjet e specializuara”.
“Ndërkohë edhe fshatarët kanë thënë se nuk kanë parë dhe dëgjuar të tilla gjëra”.
Tutje, Rama i ka ftuar të pranishmit në Këshillin e Evropës që të shkojnë dhe ta vazhdojnë shtëpinë në fjalë në mënyrë që ta vërtetojnë se pretendimet e Martyt ishin një gënjeshtër e madhe./KK