Connect with us

Botë

Temperatura rekorde, Europa përgatitet për kulmin e të nxehtit

Published

on

Evropa po përgatitet për temperatura të larta të martën, gjatë një vale nxehtësie ndërkohë që zjarret kanë përfshirë pjesë të hemisferës veriore, duke shtyrë autoritetet që bëjnë evakuimin e 1.200 fëmijëve pranë një resorti bregdetar grek.

Autoritetet shëndetësore, nga Amerika e Veriut, Evropa e Azia, kanë lëshuar paralajmërime, duke u kërkuar njerëzve të qëndrojnë të hidratuar dhe të kërkojnë strehim nga dielli përvëlues.

Evropa, kontinenti me ngrohjen më të shpejtë në botë, po përgatitet për kulmin e valës aktuale të të nxehtit, me ishujt italianë të Sicilisë dhe Sardenjës, të cilët do të goditen nga një temperaturë maksimale prej 48 gradësh celsius, ka parashikuar Agjencia Evropiane e Hapësirës.

Rekordi i mëparshëm i temperaturës në Evropë u regjistrua në vitin 2021 në Sicili, që arriti në 48.8 gradë celsius, sipas agjencisë së motit të OKB-së.

Në afërsi të Athinës, shërbimet e urgjencës vazhduan të luftojnë zjarret për të dytën ditë radhazi në lokacione të ndryshme.

“Shqetësimi ynë kryesor është t’i mbrojmë njerëzit”, tha një zëdhënës i zjarrfikësve në Greqi.

Një zjarr në pyll u ndez nga erërat e forta pranë qytetit të plazhit të Loutrakis, ku kryebashkiaku tha se 1.200 fëmijë ishin evakuuar nga kampet e pushimeve.

“Moti ekstrem… po ka një ndikim të madh në shëndetin e njerëzve, ekosistemet, ekonomitë, bujqësinë, energjinë dhe furnizimet me ujë”, tha sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO) Petteri Taalas.

“Kjo thekson urgjencën në rritje të uljes së emetimeve të karbonit sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai.

Në Evropë, italianët u paralajmëruan të përgatiteshin për “valën më intensive të të nxehtit”, pasi temperaturat arritën një rekord prej 39 gradësh celsius të hënën në Romë.

Një turist amerikan, Colman Peavy, nuk i besonte vapës teksa pinte një kafe me gruan e tij Ana në fillim të një pushimi dyjavor.

“Ne jemi nga Teksasi dhe atje është vërtet vapë; menduam se do t’i shpëtonim vapës, por këtu është edhe më nxehtë”, tha 30-vjeçari.

Sipas shërbimit të monitorimit të motit të BE-së, qershori tashmë është muaji më i nxehtë i regjistruar në mbarë botën dhe duket se korriku do të kapërcejë edhe rekordet e mëparshme.

Në Spanjë, të hënën u raportua për temperatura 44.7 gradë celsius në qytetin jugor të Jaen.

Në Qipro, ku temperaturat pritet të mbesin mbi 40 gradë, një burrë 90-vjeçar vdiq si pasojë e nxehtësisë dhe tre të moshuar të tjerë u shtrinë në spital, bënë të ditur zyrtarë shëndetësorë.

Pjesë të Azisë janë prekur nga temperatura të larta, që shkaktuan shi të rrëmbyeshëm.

Kina raportoi një rekord të ri për mesin e korrikut në veriperëndim të vendit, ku temperaturat arritën në 52.2 gradë celsius në fshatin Sanbao të rajonit Xinjiang, duke thyer nivelin e mëparshëm prej 50.6 gradësh celsius, të vendosur gjashtë vjet më parë.

Thirrjet për t’u larguar nga të nxehtit ishin lëshuar në 32 nga 47 prefekturat e Japonisë, kryesisht në rajonet qendrore dhe jugperëndimore. Të paktën 60 njerëz u trajtuan për shkak të goditjeve nga nxehtësia, raportuan mediat, duke përfshirë 51 të dërguar në spital në Tokio.

Një çerek milion njerëz u evakuuan në Kinën jugore dhe Vietnam përpara se një tajfun i madh të godiste bregun të hënën vonë, duke sjellë erëra dhe shira të ashpra dhe duke detyruar anulimin e qindra fluturimeve dhe trenave.

Në Pekin, i dërguari i SHBA-së për klimën, John Kerry, u angazhua në diskutime me zyrtarët kinezë, në përpjekje që dy ndotësit më të mëdhenj të planetit të ringjallin diplomacinë që synon reduktimin e emetimeve që kontribuojnë në ngrohjen globale.

Duke iu drejtuar audiencës në Sallën e Madhe të Popullit së bashku me diplomatin kryesor të Kinës, Wang Yi, Kerry theksoi nevojën e “udhëheqjes globale” kur bëhet fjalë për trajtimin e shqetësimeve të lidhura me klimën.

Një valë e nxehtë përvëluese përfshiu shtetet perëndimore dhe jugore të SHBA-së, duke prekur rajone të mësuara me temperatura të larta.

Në Luginën e Vdekjes në Kaliforni, një vend që shpesh njihet si një nga më të nxehtit në Tokë, temperaturat u rritën në nivele gati rekord prej 52 gradësh celsius të dielën pasdite.

Kryeqyteti i shtetit të Arizonës, Feniks, shënoi rekordin e tij me 18 ditë rresht mbi 43 gradë celsius, pasi temperaturat arritën në 45 gradë celsius të hënën.

Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA-së parashikon temperatura të ngjashme të larta që do të vazhdojnë të paktën deri të dielën.

Ndërsa vala e të nxehtit u përhap në Kaliforninë jugore, zjarre të shumta shpërthyen në zonat rurale në lindje të Los Anxhelosit. Zjarri më i madh, i quajtur “Zjarri i Lepurit”, kishte djegur rreth 8.000 hektarë dhe u raportua se 35 për qind e tij ishte vënën nën kontroll të hënën në mëngjes.

Ndërkohë, në Kanadanë fqinje, autoritetet raportuan 882 vatra zjarri aktive të hënën, me 579 prej tyre të kategorizuara si jashtë kontrollit.

Tymi që del nga zjarret ka zbritur edhe një herë mbi Shtetet e Bashkuara, duke çuar në alarme për cilësinë e ajrit në pjesën më të madhe të verilindjes./REL

Botë

Komisionarja Kos dhe udhëheqësit e Ballkanit takohen në Shkup për Planin e Rritjes

Published

on

Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, do të zhvillojë bisedime në Shkup sot dhe nesër me udhëheqësit e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor për përshpejtimin e zbatimit të Planit evropian të Rritjes për këtë rajon, njoftoi Komisioni Evropian.

Udhëheqësit nga Kosova, Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe komisionarja Kos do të përqendrohen në reformat kyç për të “zhbllokuar” ndarjen e fondeve nga Plani i Rritjes dhe të sjellin përfitime të prekshme për qytetarët e shteteve kandidate për anëtarësim në BE para pranimit të tyre në bllok, u tha në njoftim.

Nga Plani i Rritjes, të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor – përveç Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës – kanë marrë fondet e para të para-financimit.

Takimi në Shkup po ashtu do të jetë mundësi për të diskutuar për fusha të reja të bashkëpunimit: mbrojtja e konsumatorëve, turizmi dhe rruga drejt tregut të përbashkët që do të përshpejtonte integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët të BE-së.

Gjatë takimit dyditor, Komisioni Evropian do të propozojë një paketë të investimeve në vlerë prej 87.7 milionë eurosh nën Kornizën ekzistuese të Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF), e cila pritet të tërheqë pothuajse gjysmë miliardi euro në investime private për projekte të energjisë së pastër në mbarë rajonin, u tha në njoftim.

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor ofron përfitime për shtetet e rajonit që po përgatiten për anëtarësim në BE dhe gjatë takimit, pjesëmarrësit do të rishikojnë përparimin dhe do të diskutojnë për hapat e mëtejmë.

KE-ja tha se qëllimi i Planit të Rritjes është të stimulojë ekonominë e Ballkanit Perëndimor dhe të ndihmojë shtetet e rajonit që t’i bashkohen bllokut.

Plani i Rritjes parasheh mbështetje financiare prej 6 miliardë eurosh, nga të cilat 2 miliardë janë grante dhe 4 miliardë janë kredi të buta të ofruara nga BE-ja për reforma dhe investime në fusha sikurse energjia, transporti dhe transformimi digjital me qëllim që të rritet prosperiteti dhe stabiliteti në rajon.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftoi se kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, do të ketë takim të ndarë me komisionaren Kos sot dhe të dy më pas do të kenë një adresim të përbashkët të martën. Të martën do të mbahen dy panele, e para do t’i kushtohet Planit të Rritjes dhe e dyta për mekanizma specifikë dhe mbështetje për zbatimin e planit.

\Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

Lëkundet armëpushimi pasi Izraeli thotë se Irani lëshoi raketa

Published

on

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka thënë se Irani e ka “shkelur plotësisht” armëpushimin mes Izraelit dhe Iranit duke lëshuar raketa pas hyrjes në fuqi të armëpushimit.

Katz theksoi se e ka urdhëruar ushtrinë izraelite t’i rifillojë sulmet ndaj caqeve paramilitare dhe qeveritare në Iran.

Izraeli tha se ka vërejtur raketa të lëshuara nga Irani në hapësirën e tij ajrore më pak se tri orë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit, pasi si Izraeli, ashtu edhe Irani e kishin pranuar thirrjen e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës 12-ditore që ka tronditur Lindjen e Mesme.

Pranimi i marrëveshjes nga të dyja palët mëngjesin e së martës erdhi pasi Teherani e kreu sulmin e fundit raketor ndaj Izraelit, si pasojë e të cilët humbën jetën katër njerëz në orët e hershme të mëngjesit të së martës, ndërkohë që Izraeli kreu bombardime në të gjithë Iranin para agimit.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli është pajtuar armëpushimin dypalësh me Iranin, në bashkërendim me Trumpin.

Netanyahu tregoi se të hënën në mbrëmje e kishte njoftuar kabinetin e sigurisë së Izraelit se vendi ka arritur të gjitha synimet ushtarake në operacionin 12-ditor kundër Iranit, përfshirë eliminimin e kërcënimit nga programet bërthamore dhe raketore balistike të Iranit.

Izraeli gjithashtu ka dëmtuar udhëheqjen ushtarake iraniane dhe disa objekte qeveritare, si dhe mori kontrollin mbi hapësirën ajrore të Teheranit, tha Netanyahu.

“Izraeli do të përgjigjet me forcë ndaj çdo shkeljeje të armëpushimit”, tha Netanyahu.

Trump ka thënë mëngjesin e së martës se armëpushimi midis Izraelit dhe Iranit është tani në fuqi dhe u kërkoi të dyja vendeve të mos e shkelin atë.

“ARMËPUSHIMI TANI ËSHTË NË FUQI. JU LUTEM MOS E SHKELNI!” shkroi Trump në një postim në Truth Social.

Televizioni shtetëror i Iranit raportoi se armëpushimi hyri në fuqi në orën 7:30 të mëngjesit, por zyrtarët iranianë nuk kanë folur ende pas njoftimit të Trumpit për hyrjen e armëpushimit në fuqi.

Disa orë më parë, diplomati më i lartë i Iranit deklaroi se vendi ishte i gatshëm të ndalte sulmet ajrore.

Abbas Araqchi tha herët të martën se nëse Izraeli e ndal “agresionin e tij të paligjshëm” kundër popullit iranian jo më vonë se në orën 4 të mëngjesit me orën e Teheranit të martën, Irani nuk e ka ndër mend të vazhdojë me përgjigje ushtarake më pas.

“Operacionet ushtarake të Forcave tona të Armatosura të fuqishme për të ndëshkuar Izraelin për agresionin e tij vazhduan deri në minutën e fundit, në orën 4 të mëngjesit. Së bashku me të gjithë iranianët, i falënderoj Forcat tona të Armatosura të guximshme, të cilat mbeten të gatshme të mbrojnë vendin tonë të dashur deri në pikën e fundit të gjakut të tyre dhe që iu përgjigjën çdo sulmi të armikut deri në minutën e fundit”, shkroi Araqchi në X.

Kur njoftoi pas mesnatës për një armëpushim të plotë për t’i dhënë fund një lufte, siç e quajti ai, 12-ditore, Trump la të kuptohej se Izraeli dhe Irani do të kishin kohë t’i përfundonin misionet që ishin në zhvillim e sipër, pas së cilave armëpushimi do të hynte në fuqi.

Dëshmitarët thanë se dëgjuan shpërthime pranë Tel Avivit dhe Beershebas në jug të Izraelit, para se armëpushimi të hynte në fuqi.

Ushtria izraelite tha se gjashtë valë raketash u lëshuan nga Irani dhe shërbimi kombëtar i ambulancës në Izrael tha se katër njerëz u vranë në Beersheba, viktimat e para të raportuara në Izrael që nga shpallja e armëpushimit nga Trump.

Agjencia gjysmë-zyrtare e lajmeve në Iran, SNN, raportoi të martën në mëngjes se Teherani lëshoi valën e fundit të raketave para se të hynte në fuqi armëpushimi.

Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, e siguroi marrëveshjen e Teheranit gjatë një telefonate me zyrtarë iranianë, tha për Reuters të martën një zyrtari të informuar për negociatat.

Në të njëjtën kohë, nënpresidenti amerikan JD Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff ishin në kontakt të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë me iranianët, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Disa orë më parë, tre zyrtarë izraelitë kishin sinjalizuar se Izraeli po kërkonte të përfundonte fushatën e tij në Iran së shpejti dhe ua kishin përcjellë këtë mesazh Shteteve të Bashkuara.

Armëpushimi vjen pasi SHBA-ja i goditi centralet bërthamore të Iranit dhe Teherani u përgjigj duke sulmuar bazën ajrore amerikane në Katar.

Situata në Lindje të Mesme është e tensionuar prej sulmit të befasishëm të Izraelit në qendra bërthamore dhe ushtarake të Iranit më 13 qershor.

Izraeli ngul këmbë se Irani nuk mund të ketë armë bërthamore sepse ia rrezikon ekzistencën.

Irani mohon se ka pasur ndonjëherë program për armë bërthamore, por udhëheqësi suprem, Ali Khamenei, ka thënë se, nëse do të donte ta kishte një të tillë, liderët botërorë “nuk do të mund të na ndalonin”.

Izraeli, i cili nuk është palë e Traktatit Ndërkombëtar për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, është vendi i vetëm në Lindjen e Mesme që besohet të ketë armë bërthamore. Izraeli as nuk e pranon e as nuk e mohon këtë.

\ Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

Irani sulmon bazat amerikane në Katar dhe Irak

Published

on

Irani ka lëshuar disa raketa balistike drejt bazave amerikane në Katar dhe Irak.

Shteti i Katarit ka dënuar ashpër sulmin e Iranit kundër bazës ajrore amerikane Al-Udeid, megjithëse zyrtarët vendas kanë thënë se raketat janë rrëzuar dhe nuk ka raportime për viktima.

“Ne e konsiderojmë këtë shkelje flagrante të sovranitetit të shtetit të Katarit, hapësirës së tij ajrore, ligjit ndërkombëtar dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara. Ne theksojmë se Katari rezervon të drejtën për t’u përgjigjur drejtpërdrejt dhe në mënyrë të barabartë me natyrën dhe shkallën e këtij agresioni”, ka thënë Majed al-Ansari, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Katarit, përmes një postimi në rrjetin social X.

Në ndërkohë, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë bërë të ditur se kanë mbyllur hapësirat ajrore.

Sekretariati i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit ka thënë se numri i raketave që Irani përdori për të sulmuar Bazën Ajrore Al Udeid në Katar ishte i njëjtë me numrin e bombave që SHBA-të përdorën për të goditur objektet bërthamore iraniane, transmeton CNN.

Continue Reading

Trending