Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka publikuar listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjet e radhës në kuadër të Ligës së Kombeve.
Në listë janë portierët Arijanet Muriq, Amir Shaipi dhe Visar Bekaj. Për repartin e mbrojtjes janë ftuar Albian Hajdari, Mërgim Vojvoda, Lumbardh Dellova, Ilir Krasniqi, Ron Raçi, Leard Sadriu e Dion Gallapeni.
Kurse në mesfushë janë ftuar Ermal Krasniqi, Leon Avdullahu, Baton Zabërgja, Veldin Hoxha, Vesel Demaku, Lindon Emërllahu, Donat Rrudhani, Muharrem Jashari, Valmir Matoshi, Milot Rashica dhe Edon Zhegrova.
Sulmit do t’i prijnë Vedat Muriqi, Fisnik Asllani e Albion Rrahmani.
Në këtë edicion të ri të ligës, mungojnë kapiteni i deritashëm Amir Rrahmani, i cili ka vendosur të largohet nga ekipi shkaku i pakënaqësive me FFK-në dhe Florent Hadërgjonaj, i cili u largua shkaku i pakënaqësive me shtabin teknik. Gjithashtu tash e tutje fanellën e Kosovës nuk do ta veshin as Valon Berisha dhe Fidan Aliti të cilët deklaruan se kanë përfunduar karrierën tek “Dardanët”.
Për shkak të lëndimeve mungojnë Elvis Rexhbeçaj, Florent Muslija dhe Kreshnik Hajrizi.
Ekipit i është bashkuar talenti i madh 17 vjeçar i Bayernit, Erblin Osmani, mesfushori Dion Kaçuri që luan tek Austria Lustenau dhe Milot Avdyli, 24 vjeç, i cili luan për Celjen në Slloveni. Më 24 shtator, Kosova pret në Prishtinë Irlandën, më 27 shtator i shkon Austrisë, më 1 tetor luan me Izraelin në Hungari ndërsa më 4 tetor Dardanët presin Austrinë në “Fadil Vokrri”.