Connect with us

Lajme

Njëri nga të arrestuarit për krime lufte dyshohet për masakrën ndaj familjes Ujkani në Reznik të Vushtrrisë

Published

on

Dragan Milloviq, Illija Elezoviq dhe Zoran Kostiq janë tre serbët e dyshuar për krime lufte për të cilët Gjykata Themelore në Prishtinë të enjten ka caktuar masën prej një muaj paraburgim.

Sipas kërkesës për caktim të paraburgimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), tre serbët dyshohen se kanë kryer krime lufte kundër popullatës civile në zonën e Vushtrrisë dhe masakrës së familjes Ujkani, gjatë vitit 1999, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në dosjen e PSRK-së, thuhet se më 24 shkurt 1999, i pandehuri Ilia Elezoviq duke lëvizur në rrugën lokale nga Vushtrria për në fshatin Nadakovc, tek ura e magjistrales së bashku me persona të tjerë ende të paidentifikuar, ka shtënë në drejtim të viktimës S.F, duke e goditur në këmbën e majtë. I dëmtuar S.F, thuhet se kishte arritur që i plagosur të largohej nga vendi kritik duke u dërguar në një fshat për intervenim kirurgjik.

Të pandehurit Milloviq, Elezoviq dhe Kostiq, sipas dosjes së prokurorisë, dyshohen se më 22 maj 1999, tek varrezat e qytetit të Vushtrrisë, së bashku me forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kanë tubuar popullatën civile shqiptare, diku rreth 20-50 mijë civil të cilët fillimisht i kanë dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe pas i kanë grumbulluar tek varrezat e qytetit të Vushtrrisë.

Në kërkesën për caktim të paraburgimit, ndër të tjera thuhet se civilët u urdhëruan të ulën në tokë dhe derisa ata ishin në atë pozitë të pandehurit filluan t’i rrahin civilët duke i goditur me shkop druri në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit.

Pastaj në bashkëkryerje me pjesëtare tjerë të forcave ushtarake-policore dhe paramilitare i ndajnë meshkujt nga anëtaret tjerë të familjes dhe i ngarkojnë në kamionë, ku në fillim siç thuhet në dosjen e PSRK-së i dërgojnë në sallën e sporteve në Vushtrri duke u kërkuar para që t’i lirojnë.

Gjithnjë sipas dosjes së Prokurorisë, thuhet se edhe pse personat të cilët shkonin të jepnin para për t’u liruar, ata nuk i lironin por rriheshin në mënyrë çnjerëzore duke i dërguar pastaj në burgun e Smrekonicës. Ndërsa, disa prej tyre pas disa ditëve maltretimi i kanë dërguar në drejtim të Republikës së Shqipërisë.

I pandehuri Zoran Kostiç, dyshohet se në muajin mars 1999, kishte udhëhequr një grup të policëve/ paramilitarëve serbë të cilët ishin vendosur në fshatin Reznik në shtëpinë e një personi.

Sipas kërkesës së PSRK-së, i pandehuri Kostiç dyshohet se kishte udhëhequr aksionin edhe në masakrën e familjes Ujkani. Ku në këtë operacion siç thuhet se pasi ishin ekzekutuar viktimat, ishin djegur shtëpitë dhe trupat e viktimave në shtëpitë e tyre në fshatin Reznik. Në Reznik të Vushtrrisë më 6 mars 1999 ishin vrarë 9 anëtarë të familjes Ujkani, kufomat e të cilëve pastaj ishin djegur.

Ndryshe, kërkesa për caktim të paraburgimit është paraqitur nga prokurorja speciale, Florije Salihu-Shamolli. Ndërsa, vendimin për caktim të masës së paraburgimit e mori gjykatësi i departamentit special Vesel Ismaili.

Tre serbët e dyshuar për krime lufte ishin arrestuar më 20 shtator 2023 me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Kosovë

Arrestohen pesë persona dhe sekuestrohen 37 kilogram heroinë

Published

on

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, ka realizuar një operacion të koduar si “Rikthimi”‘” i cili rezultoi me zbulimin dhe sekuestrimin e mbi 37 kilogramë substancë të dyshuar narkotike e llojit heroinë.

Sipas informacioneve të dhëna, në këtë operacion janë sekuestruar 37 kilogramë heroinë, të ndarë në 62 paketime, me vlerë tregu mbi gjysmë milioni euro.

Po ashtu, janë arrestuar pesë të dyshuar për veprat penale të pjesëmarrjes në grup kriminal të organizuar dhe të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve. Operacioni është realizuar mbi bazën e informacioneve të siguruara nga AKI-ja dhe falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë.

Continue Reading

Botë

Demokratët marrin kontrollin e Kongresit

Published

on

Demokratët fituan kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit amerikan në zgjedhjet e 3 nëntorit, duke shënuar fitore edhe në bastione tradicionale republikane dhe duke i dhënë një goditje të rëndë politike presidentit Donald Trump.

Rezultatet tregojnë një ndryshim të madh në raportin e forcave në Uashington, ku republikanët deri më tani kontrollonin si Senatin, ashtu edhe Dhomën e Përfaqësuesve.

Fitorja e demokratëve vjen në një kohë pakënaqësish të mëdha të amerikanëve me gjendjen ekonomike, rritjen e kostos së jetesës dhe luftën kundër Iranit, të nisur nga administrata Trump në shkurt.

Rritja e çmimeve të karburanteve pas shpërthimit të luftës e ka shtuar presionin mbi familjet amerikane, ndërsa sondazhet kanë treguar se shumë votues e konsiderojnë administratën përgjegjëse për vështirësitë ekonomike.

Demokratët kanë arritur të fitojnë vende në Senat edhe në shtete që tradicionalisht votojnë për republikanët, përfshirë: Teksasin, Kansasin, Ajovën, Ohajon dhe Karolinën e Jugut.

Në Kansas, pastori Adam Hamilton u bë demokrati i parë që fiton një vend në Senat, pas më shumë se nëntë dekadash.

Në Ohajo, demokrati Sherrod Brown fitoi vendin që më parë e mbante nënpresidenti JD Vance, ndërsa në Teksas, James Talarico mposhti prokurorin e përgjithshëm republikan, Ken Paxton.

Të dyja shtetet kishin mbështetur bindshëm Trumpin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Një tjetër fitore e rëndësishme për demokratët u shënua në Karolinën e Jugut, ku pediatrja Annie Andrews mposhti senatoren republikane, Darline Graham.

Graham ishte emëruar në Senat pas vdekjes së vëllait të saj, senatorit Lindsey Graham, dhe kishte mbështetjen e drejtpërdrejtë të Trumpit.

Presidenti amerikan kishte zhvilluar një fushatë intensive për kandidatët republikanë në javët e fundit para zgjedhjeve, duke marrë pjesë në më shumë se 24 tubime.

Ai u kishte kërkuar mbështetësve të votonin sikur edhe vetë të ishte në garë, me synimin për të mobilizuar elektoratin republikan.

Por, ndërsa rezultatet tregonin humbjen e shumicës republikane në Kongres, Trump këmbënguli se rezultati do të kishte qenë ndryshe nëse emri i tij do të ishte në fletëvotim.

“Unë nuk isha në fletëvotim dhe, po të isha, do të kishim fituar me epërsi dërrmuese”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Demokratët fituan edhe një numër vendesh në Dhomën e Përfaqësuesve që më parë kontrolloheshin nga republikanët, përfshirë në Kentaki, Nju Xhërsi dhe Karolinën e Veriut.

Suksesi i tyre është shtrirë edhe në zgjedhjet për guvernatorë.

Në Teksas, demokratja Gina Hinojosa mposhti guvernatorin republikan, Greg Abbott, ndërsa demokratët fituan edhe në Ajova dhe Ohajo.

Çfarë nënkupton rezultati për Trumpin?

Marrja e kontrollit të të dyja dhomave të Kongresit u jep demokratëve mundësi të bllokojnë nisma ligjore të presidentit Donald Trump, të nisin hetime ndaj administratës së tij dhe të ushtrojnë mbikëqyrje më të madhe gjatë dy vjetëve të mbetur të mandatit.

Sipas një analize të institutit amerikan Brookings, një nga pasojat më të rëndësishme lidhet me emërimet presidenciale, të cilat kërkojnë miratimin e Senatit.

Kjo përfshin anëtarët e kabinetit, zyrtarët e lartë dhe gjyqtarët federalë, përfshirë ata të Gjykatës Supreme.

Me demokratët në shumicë, Trump mund ta ketë më të vështirë të emërojë kandidatët e tij, veçanërisht në sistemin gjyqësor, ku gjyqtarët emërohen për gjithë jetën.

Një tjetër instrument i rëndësishëm është kontrolli mbi shpenzimet federale.

Kongresi miraton fondet për funksionimin e qeverisë dhe programet publike, duke u dhënë demokratëve mundësi të ndikojnë në prioritetet buxhetore të administratës.

Mospajtimet mund të çojnë edhe në bllokimin e financimit të institucioneve federale, nëse palët nuk arrijnë marrëveshje.

Demokratët mund të ushtrojnë presion edhe mbi politikën e jashtme, përfshirë luftën kundër Iranit, përmes hetimeve parlamentare dhe kontrollit mbi financimin e operacioneve ushtarake.

Megjithatë, Trump ruan kompetencat ekzekutive dhe të drejtën e vetos ndaj ligjeve.

Për ta rrëzuar veton nevojiten dy të tretat e votave në secilën dhomë të Kongresit.

Kontrolli i Kongresit sjell edhe përgjegjësi për demokratët, nga të cilët votuesit do të presin përgjigje ndaj shqetësimeve ekonomike, ndër të tjera.

Kjo mund t’i bëjë dy vjetët e fundit të mandatit të Trumpit një periudhë përplasjesh politike, por edhe kompromisesh të domosdoshme për miratimin e buxhetit dhe financimin e qeverisë federale.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Ferizaj

Ndahet nga jeta veterani i UÇK-së, Avdi H. Ahmeti

Published

on

Është ndarë nga jeta Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Avdi H. Ahmeti nga Ferizaj.

Njoftimi mortor u bë i ditur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Ferizaj.

Sipas njoftimit, varrimi i të ndjerit do të bëhet të mërkurën, më 04.11.2026 ora 14:15 në varrezat e lagjes Karametaj, të fshatit Greme të Ferizajt.

#

Continue Reading

Trending