Këndi në hyrje të Muzeut të Qytetit të Ferizajt është më i vizituari. Është vendi që pasqyron me artefakte dekadën më të lavdishme të shekullit njëzetë të historisë së Kosovës dhe jo vetëm. Vizitori mund t’i prekë uniformat e dëshmorëve dhe ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ka edhe veshmbathje të të rinjve të vrarë si civilë vetëm pse donin të mësonin në gjuhën e nënës. Është guri i shkulur krenarisht i kufirit nga luftëtarët e lirisë përgjatë në betejën lavdiplotë të Koshares. Ruhen edhe antilumbi i një polici serb të mposhtur në betejë. Bashkë me të edhe prangat e zgjidhura si një trofe lufte.
“I kemi lënë të hapura si simbolikë e fitores dhe e lirisë”, thekson Ilir Bytyçi, përgjegjës i Muzeut të Qytetit të Ferizajt.
Kronologjikisht, ai nisë të rrëfejë fije e për peri historikun e secilit artefakt, por e plotëson rrëfimin me informacione që i ka dëgjuar prej dhuruesve të tyre, apo prej bashkëluftëtarëve. Edhe prej dokumenteve zyrtare e shkrimeve shkencore për vitet nëntëdhjetë.
Fillim vitet ‘1990 ishin shumë të vështira për Kosovën, pasi Serbia e kasapit të Ballkanit, Slobodan Milosheviq, nisi dëbimin e shqiptarëve nga vendet e punës e objektet shkollore.
Nuk i kurseu as fëmijëve kur ua ndaloi shkollat, të cilave, aty ku nuk kishte mjaftueshëm nxënës serbë për t’i zaptuar, u vuri drynin.
“Vlen të përmendet se në Ferizaj krahas largimit të mësimdhënësve dhe nxënësve nga shkollat, helmimet ishin ato që kishin goditur më së shumti Ferizajn. Ishin helmet ushtarake me emrin “Sarin” që goditën më shumë se njëmijë nxënës dhe qytetarë”, thekson Bytyçi, duke marrë shkas nga fotografia e helmimeve në qytetin e Ferizajt.
Kutia e referendumit
Në anën e djathtë ka një kuti druri të mbështjellë me flamurin kombëtar, ku ishte votuar në shtatorin e vitit 1991 për Kosovën e pavarur. Ishte shkuar në referendum një vit pas miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut në 7 shtatorin e vitit 1990. Kutia është sjellë nga një qytetar ferizajas, në shtëpinë e të cilit ishte votuar në referendum.
“Viti 1991 ishte vit për forcim dhe legjitimimin e përpjekjeve institucionale të Kosovës. Në këtë kuti në Lagjen e Sheerretëve, është përdorur për të votuar për katër ditë në referendumin, ku kanë dalë 99.98 për qind e qytetarëve për Kosovën, shtet të pavarur dhe sovran”, thekson Bytyçi.
Në vazhdën e këtyre ngjarjeve, është rezistenca e armatosur që kishte nisur në mes të viteve nëntëdhjetë kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës po konsolidonte radhët e veta organizative dhe po mendonte të niste fushëveprimin ushtarak e luftarak në terren. Mospërfshirja e Kosovës në Marrëveshjen e Paqes në Dayton (SHBA) ishte një moment kthese që dëshmoi se nuk po mjaftonin vetëm përpjekjet legjitime demokratike paqësore.
Krahu i domosdoshëm i luftës
“Andaj u deshtë të shtohej edhe komponenti i armatosur që i mungonte organizimit institucional.
Lufta e armatosur u organizua kryesisht nga të rinj dhe të reja të Universitetit të Prishtinës, të cilët lanë bankat universitare dhe dolën në mal për të rrokur pushkën”, thekson Bytyçi para uniformave të dëshmorit të parë ferizajas, Nazmi Uksmajli e palltos së dëshmorit tjetër, Arsim Zeqiri, që janë sjellë nga familjarët për t’ua dëshmuar vizitorëve historinë e lavdishme në luftën për liri.
“Është veshja e parë për mbrojtje nga shiu e dëbora të dëshmorit Nazmi Uksmajli.
Rënia e tij më 16 korrik 1998 në Jezerc, shënon një loj kushtrimi për të rinjtë e të rejat gjithandej Kosovës në rrugën drejt lirisë. Kemi edhe kapelën e tij që e kishte mbajtur deri në momentin e rënies”, thekson ai. “Edhe pallto e lëkurës e Arsim Zeqirit ishte pjesë e luftës çlirimtare. Dhe ky më 28 shtator 1998 bie dëshmor në atë që njihet si Epopeja e Jezercit. Sot Muzeu i i qytetit të Ferizajt e ruan me një ndjenjë krenarie kujtimin e shumë të rinjve dhe të rejave që dhanë jetën që ne të gëzojmë lirinë”.
Por po aty ndodhet edhe kutia e armatimit dhe një pjesë e veshjes ushtarake të dëshmorit tjetër, Hasan Çerkini. Ferizaj i ka pasur 360 ushtarë në Brigadën 138, “Agim Ramadani”.
Ishte grupi i dytë kontributdhënës pas Drenicës në çlirimin e Kosovës, thekson Bytyçi.
“Beteja e Koshares ka qenë vendimtare, kryesore dhe më e madhja të Ushtrisë Çlirimtare sepse kjo ka shënuar një kthesë të madhe”.
Shkulja e gurit të “Murit të Berlinit të shqiptarëve”
Shkulja e gurit të kufirit më 9 prill 1999 në Koshare shënon heqjen e kufirit të ndarjes ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë. “Ky shënon fundin e juridiksionit serb mbi Kosovën dhe hap rrugën drejt çlirimit përfundimtar”, thotë Bytyçi para gurit që në njërën katër faqeve të tij ka të shkruar me alfabet cirilik RSFJ.
“Ky gur i kufirit dhe shumë të tjerë janë një lloj ‘Muri i Berlinit i shqiptarëve’, sepse thjesht afër një shekull na ka ndarë, por rënia e këtij guri dhe shumë të tjerëve në vargun e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, atëherë Shqipërisë dhe RSFJ-së, andaj me rënien e këtij guri ka nënkuptuar se përfundimisht ra juridiksioni i Serbisë”, thotë Bytyçi.
Afër gurit ka edhe disa mbetje granatash të hedhura nga forcat serbe në betejën e tyre kundër ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët në fund dolën ballëlart nga lufta për çlirimin e vendit.
“Vepra e Bogdanit” e Rugovës që ndali plumbin
Poshtë këndit të krenarisë, sikur se i referohet drejtori i muzeut, ndodhen gjashtë ekzemplarë të “Rrethimit” të Tajar Hatipit dhe dy ekzemplarë të “Veprës së Bogdanit” të presidentit Ibrahim Rugova. Librat janë sjellë nga shkolla fillore “Përparimi” në Lashkobare të Ferizajt.
Plumbi i forcave serbe, që shkollën e kishin kthyer në punkt në pranverën e vitit 1999 përgjatë magjistrales Ferizaj-Shtime, kishte çarë gjashtë librat e “Rrethimit”, por jo edhe ballinën e “Veprës së Bogdanit” të arkitektit paqësor të pavarësisë së Kosovës.
“Dhe natyrisht kur ka qenë punkt, shpesh kanë gjuajtur qëllimisht për t’iu shkatërruar objektet, dhe ne jemi dëshmitarë se shumë shkolla janë djegur e demoluar”, thekson Bytyçi.
“Gjuajtjet kanë qenë edhe të qëllimshme. Kjo tregon se edhe libri dhe shumëçka tjetër, ishin caqe që ishin shkatërruar nga forcat policore e ushtarake serbe në Kosovë”.
Sipër janë ekspozuar edhe disa armë e mjete luftarake prej viteve tridhjetë, me qëllim që të ruhet trashëgimia dhe t’u tregohet të rinjve vlera e sakrificave që janë bërë ndër breza për të jetësuar përpjekjet shekullore për liri.
“Shqiptarët çdoherë kanë bërë rezistencë ndaj Serbisë dhe në Kosovë llogaritet se nga data 18 tetor 1912, kur ka nisur Lufta e Parë Ballkanike, shqiptarët e Kosovës kanë vazhduar betejën kundër pushtimit serb dhe liria erdhi me shumë sakrifica deri në çlirim në vitin 1999”, thotë Bytyçi.
“Gjeneratat e reja mbesin të habitur e gojëhapur kur iu shpjegoj. Unë u shpjegoj me kënaqësi me qëllim që ta mësojnë historinë e re. Dhe ne duhet të bëjmë edhe më shumë për shkak se historia e luftës së UÇK-së mësohet shumë shkurtimisht e me disa informacione të përgjithshme në tekste shkollore, andaj është shumë e rëndësishme kur ata thonë se po mësojnë gjëra që nuk i kanë ditur më parë. Këtë e shoh edhe në libër të përshtypjeve”, thekson Bytyçi para këndit që ai e quan “Kënd i Krenarisë”.
Visar Azemi është zyrtarisht kandidat i LDK-së për kryetar të Ferizajt.
Kandidatura e Azemit, i cili njëkohësisht është edhe kryetar i degës së kësaj partie në Ferizaj, u konfirmua në takimin e sotëm të kryesisë së LDK-së.
Në konferencën për media pas takimit të kryesisë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bëri të ditur emrat që i kanë zyrtarizuar të jenë kandidatë për kryetarë të shumicës së komunave në zgjedhjet e 12 tetorit.
Abdixhiku tha se të gjithë emrat janë votuar pa asnjë kundërshtim e abstenim. Kështu, për kryetar të Prishtinës do të garojë Përparim Rama, për Lipjan Imri Ahmeti, për Obiliq Xhafer Gashi, për Fushë Kosovë Besnik Osmani, për Podujevë Ekrem Hyseni, për Drenas Gazmend Heta, për Vushtrri Xhafer Tahiri, për Mitrovicë Gëzim Plakolli, për Pejë Gazmend Muhaxhiri, për Istog Ilir Ferati, për Junik Ruzhdi Shehu, për Deçan Jeton Mushkolaj, për Dragash Behgjet Xheladini, për Prizren Driton Selmanaj, për Suharekë Ardian Shala, për Ferizaj Visar Azemi, për Shtime Kastriot Shabani, për Shtërpcë Valmir Ahmeti, për Viti Sokol Haliti, për Gjilan Arbër Ismaili, për Artanë Bajrush Ymeri, për Gjakovë Shefqet Shehu dhe për Rahovec Burim Krasniqi.
Sipas Abdixhikut, kandidatët për kryetar në Klinë, Malishevë, Kaçanik dhe Kamenicë do të zyrtarizohen ditëve në vijim.
Është ndarë nga jeta eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Naim Ymeri.
Lajmi u bë i ditur në Facebook nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së – dega Ferizaj.
Ymeri, gjatë luftës ishte epror i lartë në Zonën Operative të Nerodimes në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, shef i G1 personelit, derisa pas luftës shërbeu në TMK dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës deri në pensionim.
Në nderim të jetës dhe veprës së tij në shërbim të atdheut, nën patronatin e FSK-së, ish-Komandantit të Zonës Operative të Nerodimës dhe OVL-UÇK-së Dega në Ferizaj, sot 08.07.2025 do të organizohen ceremonitë mortore:
12:00 – Akademi përkujtimore në Sallën e Kuvendit Komunal të Lipjanit
14:00 – Homazhe pranë arkivolit në Kazermën e FSK-së – “Skënderbeu” në Ferizaj
18:00 – Ceremonia e varrimit, në varrezat e fshatit Gllogoc – Lipjan
Për periudhën nga 30.06.2025 deri më 06.07.2025 në Policinë e Ferizajt janë raportuar 31 aksidente komunikacioni.
Sipas Policisë, në 12 aksidente u lënduan 21 persona ndërsa 19 aksidente të tjera ishin me dëme materiale.
Për të njëjtën periudhë, Policia e Kosovës ka shqiptuar 1,715 gjoba për kundërvajtje në komunikacion derisa janë pezulluar 33 patentë-shoferë për drejtuesit e mjeteve që kanë kryer shkelje të rënda në trafik.