Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe zyrtarë të tjerë, kanë lansuar sot thirrjen e dytë publike për subvencionimin e masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit. Procesi i aplikimit do të hapet nesër, duke ofruar mundësi për qytetarët që të përfitojnë nga masa si izolimi i mureve të jashtme, izolimi i kulmit, dhe ndërrimi i dritareve dhe dyerve të jashtme, me mbështetje financiare deri në 45% të shumës së investimit. Mbështetja totale për një përfitues mund të arrijë deri në 5,500 euro.
Kryeministri Kurti theksoi se interesimi për thirrjen e parë vitin e kaluar ishte i madh dhe për këtë arsye, thirrja e dytë do të jetë e hapur për vetëm dy javë, ndryshe nga planifikimi fillestar.
“Thirrja ka qenë e parimit të njëjtë, kush vjen i pari, shërbehet i pari. Interesimi ka qenë i lartë dhe si rezultat, këtë herë thirrja do të jetë e hapur për dy javë,” deklaroi Kryeministri Kurti. Ai u bëri thirrje qytetarëve të aplikojnë sa më parë për të përfituar nga kjo mundësi e rëndësishme për të ulur shpenzimet e energjisë dhe për të përmirësuar cilësinë e jetesës në shtëpitë e tyre.
Ministrja Rizvanolli shtoi se ky projekt është pjesë e pakos së përkrahjes emergjente të BE-së për shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku Kosova ka përfituar 75 milionë euro, shumën më të lartë për kokë banori në rajon. “Qëllimi i kësaj pakoje ishte zbutja e efekteve socio-ekonomike. Masat janë dizajnuar për të përmirësuar cilësinë e jetesës dhe për të ulur shpenzimet e energjisë për familjet dhe bizneset tona,” shpjegoi ajo.
Qytetarët që dëshirojnë të aplikojnë duhet të sigurojnë që kanë një llogari të hapur në platformën e-Kosova dhe të kenë kryer verifikimin e nivelit të dytë. Aplikimi përfshin disa hapa të detajuara që duhet të ndiqen për të përfunduar me sukses procesin.
Për më shumë informacione dhe udhëzime për procesin e aplikimit, qytetarët mund të vizitojnë faqen zyrtare të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) ose të kontaktojnë zyrat e FKEE në Prishtinë ose në Mitrovicën e Veriut.