Connect with us

Botë

Netanyahu zotohet për hakmarrje pasi Irani sulmon një spital në Izrael

Published

on

Një spital në jug të Izraelit ka pësuar goditje direkte nga një raketë iraniane të enjten, thanë zyrtarët, të cilët shtuan se janë shkaktuar “dëme të mëdha” në këtë objekt shëndetësor.

Qendra Shëndetësore Soroka është spitali kryesor në jug të Izraelit. Një zëdhënës i këtij spitali tha se ndërtesa ka pësuar “dëme të mëdha” në disa zona. Autoritetet në këtë qendër shëndetësore u kanë kërkuar qytetarëve që të mos kërkojnë trajtim mjekësor në këtë institucion.

Një tjetër raketë goditi një ndërtesë të lartë dhe disa ndërtesa banimi në Tel Aviv. Të paktën 40 persona u plagosën nga këto sulme, tha Shërbimi i Shpëtimit i Izraelit.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e dënoi sulmi ndaj spitalit dhe u zotua se do të kundërpërgjigjet.

“Tiranët në Teheran do të paguajnë çmim të lartë”, tha ai.

Lidhur me sulmet e së enjtes, ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha se udhëheqësi suprem i Iranit, ajatollah Ali Khamenei, “më nuk mund të vazhdojë të ekzistojë”.

“Një diktator i Khamenei, që udhëheq një shtet si Irani dhe e ka mision shkatërrimin e Izraelit, më nuk mund të vazhdojë të ekzistojë. Ushtria izraelite është udhëzuar dhe di si të veprojë që të arrihen të gjitha qëllimet, ky person nuk mund të vazhdojë të ekzistojë”, tha ai.

Ndërkaq, më vonë gjatë së enjtes, Irani tha se caku kryesor i sulmeve me raketa, ku u godit spitali, ishte një bazë ushtarake izraelite dhe një e inteligjencës, e jo objekti shëndetësor.

“Caku kryesor ishte Komanda e Ushtrisë izraelite dhe baza e inteligjencës [C4I e ushtrisë izraelite], kampi i inteligjencës ushtarake, që gjenden në afërsi të spitalit Soroka”, tha agjencia shtetërore e lajmeve Irna.

Sipas kësaj agjencie, sulmet direkte ishin ndaj ndërtesave ushtarake dhe se spitali u godit “nga vala shpërthyese”.

Edhe Garda Revolucionare Islamike tha se ishin goditur qendra komanduese të ushtrisë dhe inteligjencës së Izraelit, që gjendeshin pranë spitalit.

Spitali i goditur ka mbi 1.000 shtretër dhe ofron shërbim për pothuajse 1 milion banorë në jug të Izraelit, sipas uebfaqes së spitalit.

Sulmi erdhi pasi Izraeli goditi reaktorin e ujit të rëndë [reaktor bërthamor që përdor ujë të rëndë].

Ushtria izraelite tha se sulmin ndaj ndërtesës Arak është kryer me avionë luftarakë.

“Sulmi shënjestroi komponentët e nevojshëm për prodhimin e plutoniumit, në mënyrë që të parandalohej që reaktori të përdorej për zhvillim të armëve bërthamore”, tha ushtria.

Sipas televizionit shtetëror iranian, “nuk ka asnjë rrezik nga rrezatimi”. Një gazetar i këtij televizioni, gjatë një lidhje të drejtpërdrejtë nga qyteti i afërt Hondab, tha se objekti është evakuuar dhe nuk ka dëme në zonat civile që gjenden përreth reaktorit.

Mëngjesin e së enjtes, Izraeli paralajmëroi se do të godiste këtë ndërtesë dhe u bëri thirrje banorëve që të largohen nga zona. Ushtria izraelite tha se gjatë sulmeve ajrore të së enjtes ka shënjestruar Teheranin dhe disa zona të tjera të Iranit, pa dhënë detaje të hollësishme. Më pas tha se Irani ka nisur një valë të re sulmesh raketore ndaj Izraelit dhe u bëri thirrje njerëzve të strehoheshin.

Dita e shtatë e sulmeve mes Izraelit dhe Iranit vjen një ditë pasi udhëheqësi suprem i Iranit refuzoi thirrjet e Shteteve të Bashkuara për t’u dorëzuar dhe paralajmëroi se çdo përfshirje ushtarake e amerikanëve do të shkaktonte “dëme të riparueshme për ta”. Izraeli po ashtu ka hequr disa kufizime për njerëzit, duke sugjeruar se kërcënimi nga raketat e Iranit është ulur.

Përmes fushatës ajrore, Izraeli deri më tani ka goditur ndërtesat për pasurimin e uraniumit të Iranit në Natanz, objektet për prodhimin e centrifugave përreth Teheranit dhe centralin bërthamor në Isfahan. Po ashtu ka vrarë gjeneralë dhe shkencëtarë bërthamorë iranianë.

Irani ka thënë se deri më tani, si pasojë e sulmeve izraelite janë vrarë 224 persona, ndërkaq Izraeli ka raportuar për 24 të vrarë.

Ndryshe, reaktori Arak – që ishte cak i sulmeve izraelite – gjendet 250 kilometra në jugperëndim të Teheranit.

Uji i rëndë ndihmon në ftohjen e reaktorëve bërthamorë, por gjithashtu prodhon si nënprodukt plutoniumin, i cili potencialisht mund të përdoret për krijimin e armëve bërthamore. Kjo do t’i ofronte Iranit edhe një rrugë tjetër drejt një bombe bërthamore, përveç përmes pasurimit të uraniumit, nëse vendi dëshiron të prodhojë armë të tilla.

Më 13 qershor, Izraeli nisi fushatë ajrore duke goditur qendra ushtarake dhe bërthamore brenda Iranit, duke thënë se synon t’ia pamundësojë armikut të tij posedimin e armëve bërthamore.

Irani, që është përgjigjur duke kryer sulme ndaj Izraelit, vazhdimisht ka mohuar se synon të ketë armë bërthamore, duke argumentuar se programi i tij bërthamor ka qëllime civile.

 \Radio Evropa e Lirë

Botë

Trump thotë se ka “mundësi serioze” për ujdi me Iranin, pasi i pezulloi sulmet ndaj caqeve energjetike

Published

on

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë të hënën se ka “mundësi shumë serioze” për të arritur marrëveshje me Teheranin, pasi tregoi se SHBA-ja dhe Irani zhvilluan bisedime gjatë fundjavës, gjë që e shtyu atë t’i pezullojë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike iraniane për pesë ditë.

Duke folur për gazetarët para se të hipte në avionin Air Force One më 23 mars, Trump tha se i dërguari special, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, janë përfshirë në bisedimet e nisura nga Irani.

Ai tha se bisedimet po zhvillohen me një lider “të lartë” iranian – por jo me udhëheqësin suprem Mojtaba Khamenei – dhe se në to janë arritur “pika të rëndësishme të marrëveshjes”.

Zyrtarët dhe mediat shtetërore të lidhura me Iranin e kanë mohuar menjëherë se po zhvillohen bisedime të tilla.

Agjencitë e lajmeve Tasnim dhe Fars, të dyja të afërta me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), cituan burime që thanë se “nuk po zhvillohen bisedime”, as drejtpërdrejt dhe as tërthorazi, midis Teheranit dhe Uashingtonit.

Ndërkohë, Omani po “punon shumë për të vendosur masa të sigurta kalimi për Ngushticën e Hormuzit”, tha ministri i Jashtëm i vendit, Badr al-Busaidi, në rrjetet sociale pak para se Trump të deklaronte se Shtetet e Bashkuara kishin zhvilluar “bisedime frytdhënëse” për t’i dhënë fund luftës.

“Bazuar në tonin dhe përmbajtjen e këtyre bisedimeve të thella, të detajuara dhe frytdhënëse, të cilat do të vazhdojnë gjatë gjithë javës, kam udhëzuar Departamentin e Luftës që ta shtyjë çdo sulm ushtarak ndaj centraleve dhe infrastrukturës energjetike iraniane për një periudhë pesëditore,” tha Trump në një postim në rrjetet sociale më 23 mars, duke shtuar se pezullimi varet nga suksesi i bisedimeve.

Nuk ka pasur njoftime paraprake se po zhvilloheshin bisedime midis Uashingtonit dhe Teheranit.

Ndërkohë, Izraeli – i cili tha menjëherë pas njoftimit të Trumpit se po kryente sulme ajrore në Iranin qendror – nuk ka komentuar publikisht.

“Ne kemi eliminuar fazën e parë të udhëheqjes, fazën e dytë dhe në masë të madhe fazën e tretë. Por, po merremi me njeriun që unë besoj se është më i respektuari dhe lideri”, tha Trump për gazetarët.

“Ne nuk duam pasurim [të uraniumit], por gjithashtu duam uranium të pasuruar”, shtoi ai.

Afati për Ngushticën e Hormuzit

Të shtunën, Trump e kishte paralajmëruar Iranin se centralet e tij elektrike do të shkatërroheshin nëse Teherani nuk do ta “hapte plotësisht” Ngushticën e Hormuzit për të gjithë transportin detar brenda 48 orësh.

Trump e caktoi afatin deri të hënën rreth mesnatës.

Paralajmërimi i tij nxiti kërcënime për kundërpërgjigje nga Garda Revolucionare e Iranit, e cila në një deklaratë të hënën tha se do t’i sulmonte centralet elektrike të Izraelit dhe ato që i furnizojnë bazat amerikane në rajonin e Gjirit, nëse Trump do ta zbatonte kërcënimin e tij për ta “shkatërruar plotësisht” rrjetin energjetik të Iranit.

Ndërsa, Mohammad Baqer Qalibaf, kryetar i Parlamentit iranian, paralajmëroi se “menjëherë pas shënjestrimit të centraleve elektrike dhe infrastrukturës në vendin tonë, infrastruktura jetike, si dhe infrastruktura energjetike dhe e naftës në të gjithë rajonin, do të konsiderohen objektiva legjitime dhe do të shkatërrohen në mënyrë përherë”.

Më shumë se 3.000 njerëz janë vrarë në luftën që SHBA-ja dhe Izraeli e nisën më 28 shkurt, sipas grupit iranian për të drejtat e njeriut, HRANA.

Lufta ka tronditur tregjet, ka rritur kostot e karburantit, ka nxitur frikë për inflacion global dhe ka lëkundur aleancën perëndimore të pasluftës.

Kërcënimi për sulme ndaj rrjeteve elektrike në Gjirin Persik ka rritur frikën për ndërprerje të mëdha në procesin e shkripëzimit të ujit për pije dhe ka trazuar edhe më shumë tregjet e naftës.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

Izraeli thotë se ka vrarë zyrtarë të lartë të inteligjencës iraniane

Published

on

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se kanë vrarë zëvendësministrin e inteligjencës së Iranit për çështjet e Izraelit, Sayed Yahya Hamidi.

Jalal Pour Hossein, udhëheqës i divizionit të spiunazhit në Ministrinë e Inteligjencës, u vra gjithashtu, së bashku me “zyrtarë të tjerë të regjimit”, thuhet në njoftim.

Detaje se si, kur ose ku u vranë nuk jepen.

Por, shtohet se selia e Ministrisë së Inteligjencës në Teheran u godit “pak kohë më parë”.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

Gjysmëhëna e Kuqe: Më shumë se 550 persona të vrarë në Iran

Published

on

Organizata iraniane Gjysmëhëna e Kuqe njoftoi të hënën se 555 persona janë vrarë në sulmet e përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.

Sipas raportit të saj, 131 qytete janë përfshirë nga sulmet që nga dita e parë e tyre më 28 shkurt.

Gjysmëhëna e Kuqe shtoi se operacionet e shpëtimit, ndihmës, transportit dhe shërbimeve mjekësore janë duke vazhduar.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending