Connect with us

Kosovë

I arrestuari për krime lufte dyshohet se mori pjesë në vrasjen e 71 shqiptarëve në Vushtrri

Published

on

R.D., i arrestuar më 12 shtator, dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e 71 civilëve shqiptarë në Vushtrri më 1999, bëri të ditur Policia e Kosovës.

Sipas Policisë, ai kishte qenë zyrtar i mobilizuar me njësi të përbëra nga Ministria e Brendshme serbe.

“Vepra penale është kryer gjatë periudhës kohore 22 maj 1999, duke vepruar në grup dhe të organizuar si zyrtar i mobilizuar me njësi të përbëra nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, ka marrë pjesë në privimin nga jeta-vrasjen e 71 civilëve shqiptarë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, u tha në njoftim.

Në deklaratën e lëshuar të premten nga Prokuroria Speciale dhe Policia u tha se R.D. dyshohet për krime lufte kundër popullatës civile, por nuk u dhanë detaje të tjera se kur ishin kryer këto krime dhe ku.

Së voni, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur disa akuza për krime që janë kryer gjatë luftës më 1998-99.

Në gusht, ajo madje ka dorëzuar në gjykatë një aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të më shumë se 800 mijë civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës.

Që nga përfundimi i luftës, dhjetëra persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Nga viti 2000 deri më 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Më 2018, EULEX-i dorëzoi lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe gjykatat vendore.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-1999 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Afër 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

| Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Maqedonci për blerjen e raketave kineze nga Serbia: Shpërfaqje e tendencave hegjemoniste ndaj fqinjëve

Published

on

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, i ka thënë të premten Radios Evropa e Lirë se pretendimet e autoriteteve serbe që po armatosen për t’u mbrojtur nga vendet fqinje nuk qëndrojnë, dhe me blerjet e fundit të armëve kineze ato po shpërfaqin tendencat e tyre hegjemoniste në raport me këto vende.

Maqedonci i bëri këto deklarata pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri të ditur një ditë më parë se Serbia ka blerë raketa kineze “shkatërruese”.

Bëhet fjalë për raketat balistike supersonike CM-400 nga Kina.

“Blerjet nga Rusia dhe Kina janë bërë që disa vite dhe vazhdojnë të bëhen, pra nuk lidhet me ndonjë kërcënim aktual për Serbinë…asnjë shtet fqinj i Serbisë në asnjë rast nuk ka shfaqur ndonjë qëllim agresiv apo sulmues në raport me Serbinë”, ka deklaruar Maqedonci, duke përmendur se është Serbia ajo e cila shfaq pretendime territoriale ndaj Kosovës.

Në një intervistë për Radiotelevizionin e Serbisë, Vuçiq ka thënë se Serbia i ka integruar me sukses raketat e blera kineze në aeroplanët ushtarakë rusë MiG-29, që veçse i zotëron.

“Ne kemi një numër të konsiderueshëm raketash dhe do të kemi edhe më shumë”, tha Vuçiq në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë.

Presidenti serb nuk tregoi se sa kushtuan raketat por tha se ato “janë tmerrësisht të shtrenjta. Ne i morëm me një zbritje të vogël”.

Ministri Maqedonci beson se blerjet e Serbisë nga Kina janë vazhdimësi e politikës së Vuçiqit.

“Republika e Serbisë blerjet ushtarake kryesisht i realizon nga vendet joanëtare të NATO-s. Kryesisht blerjet strategjike Serbia i ka realizuar nga Federata Ruse dhe Kina. Nga Kina, Ministria e Mbrojtjes së Serbisë ka prokuruar sistemet raketore kundër-ajrore FK3, HQ-17 dhe HQ-9 si dhe fluturake pa pilot dhe radarë të ndryshëm”.

Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes (SIPRI) në Stokholm, në periudhën 2020–2024, Serbia ka importuar më së shumti armë nga Kina (57%), më pas nga Rusia (20%) dhe nga Franca (7.4%).

Ndaj kësaj blerjeje të Serbisë ka reaguar kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, i cili paralajmëroi se për këtë çështje do të diskutojë me aleancën e NATO-s.

Duke reaguar ndaj deklaratës së Pllenkoviqit, Vuçiq tha se “Zagrebi nuk do të vendosë se çfarë do të ketë Serbia”.

Ai tha se Serbia “po përgatitet për mundësinë e sulmit nga aleanca që po formohet nga Prishtina, Tirana dhe Zagrebi”.

Në mars të vitit 2025, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan një Deklaratë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, të cilën zyrtarët serbë e cilësuan si kërcënim për sigurinë e Serbisë.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Një muaj paraburgim për Gjestin

Published

on

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Besart Kelmendit, i njohur si Gjesti, për shkak të dyshimit për veprat penale “Kanosja, Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Në njoftimin e gjykatës thuhet se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate dhe konstatoi se ekzistojnë rrethana që tregojnë se ekziston rreziku i ikjes, rreziku i ndikimit në dëshmitarë dhe rreziku i  përsëritjes së veprës penale, andaj masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale.

#

Continue Reading

Kosovë

Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë ujdi për krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore

Published

on

Prokuroritë speciale të Kosovës dhe të Shqipërisë e kanë zgjeruar bashkëpunimin duke e nënshkruar të hënën një marrëveshje për krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore, njoftoi Prokuroria Speciale e Kosovës.

Marrëveshja u nënshkrua gjatë një takimi të përbashkët pune në Prishtinë mes Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Shqipërisë, apo SPAK.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, dhe shefi i SPAK-ut, Klodjan Braho, shprehën gatishmërinë për angazhim të përbashkët për ta çuar përpara bashkërendimin ndërinstitucional, thuhet në njoftim.

Delegacioni shqiptar u prit sot në takim edhe nga ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj.

“Gjatë këtij takimi u riafirmua angazhimi i përbashkët institucional në funksion të forcimit të sundimit të ligjit në të dyja shtetet, si dhe u diskutua për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit, koordinimin dhe efikasitetin në luftën kundër krimit në të dyja shtetet”, tha Prokuroria kosovare.

Sipas njoftimit, palët u pajtuan se forcimi i bashkëpunimit dhe bashkërendimi ndërmjet dy prokurorive në fushën e drejtësisë penale është thelbësor për përballimin e sfidave të përbashkëta dhe trajtimin e çështjeve me interes të ndërsjellë.

Autoritetet kosovare dhe ato shqiptare kanë kryer operacione të përbashkëta kundër krimit të organizuar në të kaluarën.

Ato kishin shkatërruar një grup të trafikut të armëve që vepronte në të dy vendet gjatë një operacioni në vitin 2024, i cili ishte mbështetur edhe nga Eurojust dhe Europol.

Të dyshuarit ishin përgjegjës për furnizimin, transportin dhe shitjen e armëve dhe materialeve shpërthyese, duke krijuar një rrugë të ndërlikuar importi dhe eksporti drejt Bashkimit Evropian.

Gjatë atij operacionit të përbashkët më 2024 ishin arrestuar 14 të dyshuar në Shqipëri dhe Kosovë.

Puna e SPAK-ut në vitet e fundit është mbështetur dhe përshëndetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending