Connect with us

Arbëri

Hetohen rrethanat e rrëzimit të aeroplanit sportiv në liqenin e Mavrovës

Published

on

Komiteti për Hetimin e Aksidenteve Ajrore dhe Incidenteve Serioze (KHAAIS) ka nisur hetim pasi dy shtetas të Kosovës, janë lënduar kur aeroplani i vogël sportiv me të cilin po fluturonin, u rrëzua në Liqenin e Mavrovës më 12 dhjetor.  

Kryetari i këtij komiteti, Marjan Prposki, në deklaratën për Agjencinë Maqedonase të Informimit (MIA),  tha se ekuipazhi i avionit nuk ndodhet në rrezik për jetën. Sipas tij, pas njoftimit për rrëzimin e aeroplanit sportiv, dje rreth orës 12:30, ekipet emergjente kanë dalë menjëherë në terren dhe kanë filluar hetimet.

“Avioni është në pronësi private dhe ka targa regjistrimi amerikane. Ekuipazhi nuk është në rrezik për jetën,” deklaroi Prposki, duke paralajmëruar se më shumë informacione nga hetimi do të publikohen në ditët në vijim.

 “Sipas raportimit, nga avioni në tokë kanë arritur të dalin dy shtetas të Kosovës, J.P. (41) dhe D.M. (64), i cili drejtonte mjetin fluturues. Ata kanë pësuar lëndime dhe janë transportuar në spitalin e Gostivarit për trajtim mjekësor,” deklaroi zëdhënësi i SPB Tetovë, Fatmir Rexhepi.

Pronari i aeroplanit “Piper 28”, shtetasi kosovar  D.M. u tha zyrtarëve policorë se për shkak të një problemi me motorin është detyruar të ulet në liqenin e Mavrovës.

Arbëri

Mijëra njerëz protestojnë në Shkup për “drejtësi të mirëfilltë” në gjyqit e Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Published

on

Mijëra njerëz u mblodhën të shtunën pasdite në qendër të kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut, Shkup, për të kërkuar “drejtësi të mirëfilltë” në përfundim të gjyqit për krime lufte ndaj ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë.

Ata u tubuan në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup mes brohoritjeve “UÇK, UÇK”, dhe valëvitjeve të flamujve kombëtarë shqiptarë dhe flamujve të UÇK-së.

Qëllimi i protestës, e thirrur nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, ishte shprehja e pakënaqësive me gjyqin ndaj ish-eprorëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Gjyqi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit nisi më 2023 dhe pritet të përmbyllet në fillim të vitit të ardhshëm.

Që të gjithë ata i mohojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999.

Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, tha se sot “jemi mbledhur këtu për ta ngritur zërin”, dhe për të kërkuar “drejtësi të mirëfilltë”, për ish-krerët e UÇK-së.

“Ne sot, me këtë numër kaq të madh njerëzish… i tregojmë Trendafilovës se Ushtria Çlirimtare e Kosovës buron, lind dhe vepron nga populli”, tha Gucati duke iu referuar Ekaterina Trendafilovës, kryetares së Dhomat të Specializuara të Kosovës në qytetin holandez.

Ai shtoi se UÇK-ja “u rrit dhe u mbrojt nga populli dhe sot populli i qëndron mbrapa asaj. Ne sot kërkojmë drejtësi. Kjo gjykatë i ngjan gjykatave të Serbisë dhe merret me fakte të falsifikuara dhe fabrikuara, të cilat nuk qëndrojnë”.

Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim nga Maqedonia e Veriut, Ali Ahmeti, si dhe politikanë nga Kosova, si Fatmir Limaj e Daut Haradinaj, morën pjesë në protestë.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, tha më herët këtë javë se nuk do ta mbështeste protestën, por njoftoi se ishte formuar një shtab krize për ta vëzhguar të gjitha rrjedhën e tubimit 24 orë para dhe pas tij.

Megjithatë protesta u mbështet nga kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, i cili vjen nga VLEN, partia shqiptare që është partnere e koalicionit qeverisës së Mickoskit.

Protesta kaloi pa ndonjë incident të raportuar dhe nën mbikëqyrje të rreptë policore.

Kjo protestë vjen në një sërë protestash të ngjashme që janë mbajtur këtë vit në qytete të ndryshme, përfshirë në Prishtinë, Tiranë, Hagë dhe Strasburg.

Gjykimi në Hagë

Gjykata Speciale e Kosovës e ka selinë në Hagë të Holandës dhe përbëhet nga gjyqtarë dhe avokatë ndërkombëtarë, pasi u themelua Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, për t’i gjykuar rastet kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së sipas ligjit të Kosovës.

Gjykimi ndaj katër ish-eprorëve të UÇK-së nisi në vitin 2023, tri vjet pasi ishin arrestuar dhe dërguar në mbajtje në qytetin holandez.

Tani, më shumë se dy vjet më vonë, gjyqi ndaj tyre po shkon drejt përfundimit, pasi mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, e përfundoi paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve.

Në mbrojtje të dëshmuan në shtator ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, këshilltari ligjor i delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje më 1999, Paul Williams, i dërguari i posaçëm i SHBA-së gjatë luftës në Kosovë, Chris Hill, dhe ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan.

Që të gjithë thanë në dëshmitë e tyre se Thaçi nuk kishte autoritet mbi UÇK-n.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të përfundojë në fillim të vitit të ardhshëm.

Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999, Veseli udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, Krasniqi zëdhënës, ndërsa Selimi anëtar i shtabit të përgjithshëm.

Aktakuza kundër tyre përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime.

Këto krime dyshohet se ndodhën midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme në Kosovë, por edhe në veri të Shqipërisë.

Sipas Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbajnë përgjegjësi penale personale për këto krime, por të gjithë ata e mohojnë fajësinë.

Avokatët mbrojtës kanë deklaruar se UÇK-ja nuk do të kishte fituar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare nëse do të kishte ekzistuar një plan kriminal, siç pretendojnë prokurorët.

Sipas tyre, aktakuza bazohet në një keqinterpretim selektiv të ngjarjeve.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Arbëri

Lahuta futet në listën e UNESCO-s për mbrojtje urgjente

Published

on

Lahuta, një vegël e njohur muzikore shqiptare, është futur edhe zyrtarisht në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë, UNESCO, njoftoi të martën kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Lahuta është shpallur zyrtarisht pasuri e trashëgimisë kulturore jomateriale në listën e UNESCO-s, për mbrojtje urgjente”, shkroi Rama në Facebook.

Lahuta është instrument prej druri me një tel të vetëm, me një trup të zbrazët të mbuluar me lëkurë dhe një qafë të gdhendur, i cili ndërtohet, luhet dhe shoqërohet me këndim kryesisht në veriun dhe veriperëndimin e Shqipërisë.

Instrumenti punuar me dorë prej druri, dikur kishte tela prej qimesh kali, ndërsa sot shpesh përdor fije najloni. Ajo luhet në rrethin familjar dhe bashkësi, si dhe në raste të veçanta si dasma dhe festa.

“Lahuta kontribuon në ruajtjen e kujtesës së përbashkët dhe vlerave shoqërore. Nëse dikur përqendrohej në legjenda lokale, sot praktika përfshin edhe tregime personale, duke e lejuar traditën të evoluojë. Kjo ndërthurje e së vjetrës me të renë e mban praktikën të rëndësishme dhe të pranishme”, tha UNESCO në njoftimin e saj.

Lahuta është më e fundit në mesin e disa trashëgimive shqiptare të UNESCO i merr zyrtarisht nën mbrojtje.

Dhjetorin e kaluar, UNESCO e mori nën mbrojtje vallëzimin e njohur festiv shqiptar, “K’cimi i Tropojës”, ndërsa më 2022, xhubletën shqiptare, një veshje 4 mijë vjeçare.

Pjesë e listës së pasurive botërore që mbrohen nga UNESCO janë edhe Butrinti, Berati, Gjirokastra, iso-polifonia dhe tradita e shtegtimit të bagëtive apo “Transhumanca”.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Arbëri

Dy tërmete lëkundin Shqipërinë mëngjesin e sotëm

Published

on

Disa lëkundje të njëpasnjëshme toke janë regjistruar mëngjesin e sotëm në Shqipëri.

Sipas Qendrës Euro-mesdhetare Sizmologjike, dridhja e parë e tokës u regjistrua  në ora 03:20. Epiqendra ishte  rreth 21 kilometra në  jug-perëndim të Durrësit me magnitudë 3.4 shkallë të Rihterit.

Kurse lëkundja e dytë ishte në ora 06:15, me epiqendër 11 kilometra në lindje të Korçës dhe ishte me fuqi  3.0 shkallë të Rihterit.

Deri tani nuk u raportua për të lënduar apo dëme materiale.

Tërmet  me magnitudë prej 4.4 shkallë të Rihterit është regjistruar edhe të hënën derisa epiqendra e tij ishte rreth 50 kilometra larg Vlorës.

Continue Reading

Trending