Connect with us

Botë

Në mesin e 14 të vrarëve në sulmin në Pragë ka edhe shtetas të huaj

Published

on

Autoritetet çeke njoftuan të premten se në mesin e 14 personave të vrarë nga një student i armatosur në një universitet të Pragës kishte edhe shtetas të huaj.

Më shumë se 20 persona të tjerë u plagosën në njërin prej sulmeve më të rënda masive në historinë e Republikës së Çekisë.

Sulmi i përgjakshëm ndodhi të enjten në departamentin e filozofisë në Universitetin e Karlit, ku sulmuesi ishte student, tha shefi i Policisë së Pragës, Martin Vondrasek. Sulmuesi vdiq, po ashtu, thanë autoritetet. Emri i tij nuk është publikuar.

Autoritetet çeke nuk treguan se shtetas të cilave vende janë viktimat.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, tha të enjten se nuk ka shtetas të Kosovës të vrarë apo të plagosur në sulmin që ka ndodhur në Pragë, sipas informacioneve të fundit që ka marrë.

Policia beson se sulmuesi e vrau babanë e vet të enjten në mëngjes në vendlindjen e tij, Hostun, në perëndim të Pragës, dhe se ai kishte planifikuar të kryente vetëvrasje, sipas Vondrasek, i cili nuk shpjegoi më shumë.

Vondrasek tha mbrëmë se 14 persona u vranë dhe 25 u plagosën, pasi fillimisht ishte raportuar për 15 të vrarë e 24 të plagosur.

Autoritetet paralajmëruan se numri i të vdekurve mund të rritet.

Vondrashek shtoi se sulmuesi kishte leje armësh dhe posedonte disa të tilla.

Motivi për të shtënat vdekjeprurëse në Fakultetin e Arteve nuk është ende i qartë. Policia tha se ka informacione të pakonfirmuara se i dyshuari – i identifikuar nga mediat si David K. – është frymëzuar nga një incident i ngjashëm në Rusi, por nuk dha detaje të tjera. Autoritetet shpallën të shtunën e 23 dhjetorit ditë zie në Çeki. Me flamujt që do të ulen në gjysmështizë dhe kambanat që do të bien në të gjithë vendin, do të nderohen dhe do të kujtohen të 14 të vrarët.

/REL/

Botë

Tërmeti i fuqishëm pranë Rusisë shkakton paralajmërime për cunami, evakuime në SHBA dhe Japoni

Published

on

Një tërmet me magnitudë 8.8, një ndër më të fuqishmit ndonjëherë, goditi të mërkurën gadishullin Kamçatka në lindjen e largët të Rusisë, duke shkaktuar një cunami deri në katër metra të lartë, dëmtime në ndërtesa dhe duke nxitur paralajmërime dhe evakuime në të gjithë Oqeanin Paqësor, raportoi Reuters.

Gjatë orëve të fundit, disa shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë, kanë lëshuar paralajmërime për cunami dhe urdhra për evakuime.

Në Kamçatka, disa persona janë lënduar, ndërsa në një pjesë të madhe të bregdetit lindor të Japonisë – i cili ishte goditur rëndë në tërmetin dhe cunamin katastrofik të vitit 2011 – është urdhëruar evakuimi i popullatës.

“Tërmeti i sotëm ishte shumë serioz dhe më i fuqishmi në dhjetë vitet e fundit”, tha guvernatori i Kamçatkës në një postim në Telegram.

Sipas ministrit rajonal për emergjenca, Sergei Lebedev, pas tërmetit është regjistruar një cunami me lartësi nga 3 deri në 4 metra.

“Të gjithë duhet të largohen menjëherë nga bregdeti”, theksoi ai në një video të shpërndarë në rrjetet sociale.

Sipas Degës Lokale të Institutit Gjeofizik të Akademisë së Shkencave të Rusisë, ky ishte tërmeti më i fuqishëm që nga viti 1952 në atë zonë. Ata e cilësuan tërmetin si një “ngjarje unike” në deklaratën e publikuar në Telegram.

Epiqendra ndodhej pranë zonës që u godit nga një tjetër tërmet më 20 korrik.

Shkencëtarët deklaruan se situata është “nën kontroll”, por paralajmëruan për pasgoditje që mund të zgjasin deri në një muaj dhe këshilluan qytetarët të shmangin zonat bregdetare për arsye sigurie.

Sipas Institutit Amerikan të Sizmologjisë, tërmeti ndodhi në një thellësi prej 19.3 kilometrash, rreth 125 kilometra nga Petropavlovsk, qytet me rreth 165,000 banorë në bregdetin e gjirit Avaça.

Japonia evakuon 1.9 milion banorë

Agjencia Meteorologjike e Japonisë paralajmëroi për valë cunami deri në 3 metra përgjatë pjesës më të madhe të bregdetit. Televizioni publik NHK raportoi se mbi 1.9 milion persona janë urdhëruar të evakuohen në vende të sigurta pasi valët filluan të godasin bregun.

Megjithëse valët ishin më të vogla sesa parashikimet fillestare, ka pasur ndërprerje të trafikut në mbarë vendin.

Agjencia Japoneze për Menaxhimin e Zjarreve dhe Katastrofave konfirmoi se rreth 2 milionë banorë në 21 prefektura ishin nën urdhër evakuimi.

Punonjësit në centralin bërthamor të dëmtuar të Fukushimës u evakuuan gjithashtu të mërkurën, raportoi AFP.

Aktivizohet sistemi amerikan i paralajmërimit për cunami

Sistemi amerikan i paralajmërimit për cunami është aktivizuar për të paralajmëruar për valë që mund të godasin bregun perëndimor të SHBA-së.

Parashikimet tregojnë se valë deri në 3 metra mund të godasin bregdetin e Rusisë dhe Ekuadorit, ndërsa valë nga 1 deri në 3 metra mund të prekin Japoninë, Havain, Kilin dhe Ishujt Solomon.

Evakuime në Havai

Në Havai, është urdhëruar evakuimi i disa zonave bregdetare.

“Largohuni menjëherë, priten cuname shkatërruese”, u tha në një deklaratë të Zyrës për Emergjenca në Honolulu.

Guvernatori i Havait, Josh Green, kërkoi qetësi dhe sjellje të përgjegjshme nga qytetarët.

“Ju lutem, qëndroni të qetë. Nëse jeni në zona të ulëta, shkoni menjëherë në vende më të larta”, tha ai. Ai shtoi se rrugët janë të mbushura dhe u kërkoi qytetarëve të bashkëpunojnë dhe të shmangin panikun, raportoi BBC.

Filipinet, Meksika dhe Zelanda e Re thirrje për kujdes

Autoritetet filipineze këshilluan njerëzit të qëndrojnë larg plazheve dhe zonave bregdetare.

“Nuk mund të jenë valët më të mëdha, por ato mund të vazhdojnë për orë të tëra dhe të rrezikojnë njerëzit që notojnë në ujë”, tha për AP-në, Teresito Bacolcol nga Instituti i Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë.

Marina e Meksikës paralajmëroi se valët e cunamit do të fillojnë të arrijnë bregun verior në Ensenada, pranë Kalifornisë, rreth orës 02:22 të mëngjesit të së mërkurës sipas orës lokale, dhe valët mund të përparojnë përgjatë bregut të Paqësorit deri në Chiapas, rreth orës 07:15 të mëngjesit.

Autoritetet në Zelandën e Re paralajmëruan për “rrjedha të forta dhe të pazakonta dhe valë të paparashikueshme” përgjatë të gjithë bregdetit të këtij shteti ishullor në Paqësorin Jugor. Agjencia e menaxhimit të emergjencave tha se njerëzit duhet të largohen nga uji, plazhet dhe zonat pranë porteve, marinave, lumenjve dhe deltave.

Tërmeti ishte më i forti që ka goditur këtë zonë në Gadishullin Kamçatka që nga viti 1952, sipas degës lokale të Sondazhit Gjeofizik të Akademisë Ruse të Shkencave.

Tërmeti me magnitudë 9.0, më 4 nëntor 1952, në Kamçatka shkaktoi dëme, por nuk pati viktima të raportuara, megjithëse shkaktoi valë prej 9.1 metrash në Havai.

Ata thanë se edhe pse situata “ishte nën kontroll”, ekzistonte rreziku i pasgoditjeve që mund të zgjasin deri në një muaj, dhe paralajmëruan që të mos vizitohen disa zona bregdetare.

Më herët në korrik, pesë tërmete të fuqishëm – më i madhi me magnitudë 7.4 – goditën në det pranë Kamçatka.

Tërmeti më i madh ishte në një thellësi prej 20 kilometrash dhe ndodhej 144 kilometra në lindje të qytetit Petropavlovsk.

\ Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

Komisionarja Kos dhe udhëheqësit e Ballkanit takohen në Shkup për Planin e Rritjes

Published

on

Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, do të zhvillojë bisedime në Shkup sot dhe nesër me udhëheqësit e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor për përshpejtimin e zbatimit të Planit evropian të Rritjes për këtë rajon, njoftoi Komisioni Evropian.

Udhëheqësit nga Kosova, Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe komisionarja Kos do të përqendrohen në reformat kyç për të “zhbllokuar” ndarjen e fondeve nga Plani i Rritjes dhe të sjellin përfitime të prekshme për qytetarët e shteteve kandidate për anëtarësim në BE para pranimit të tyre në bllok, u tha në njoftim.

Nga Plani i Rritjes, të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor – përveç Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës – kanë marrë fondet e para të para-financimit.

Takimi në Shkup po ashtu do të jetë mundësi për të diskutuar për fusha të reja të bashkëpunimit: mbrojtja e konsumatorëve, turizmi dhe rruga drejt tregut të përbashkët që do të përshpejtonte integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët të BE-së.

Gjatë takimit dyditor, Komisioni Evropian do të propozojë një paketë të investimeve në vlerë prej 87.7 milionë eurosh nën Kornizën ekzistuese të Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF), e cila pritet të tërheqë pothuajse gjysmë miliardi euro në investime private për projekte të energjisë së pastër në mbarë rajonin, u tha në njoftim.

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor ofron përfitime për shtetet e rajonit që po përgatiten për anëtarësim në BE dhe gjatë takimit, pjesëmarrësit do të rishikojnë përparimin dhe do të diskutojnë për hapat e mëtejmë.

KE-ja tha se qëllimi i Planit të Rritjes është të stimulojë ekonominë e Ballkanit Perëndimor dhe të ndihmojë shtetet e rajonit që t’i bashkohen bllokut.

Plani i Rritjes parasheh mbështetje financiare prej 6 miliardë eurosh, nga të cilat 2 miliardë janë grante dhe 4 miliardë janë kredi të buta të ofruara nga BE-ja për reforma dhe investime në fusha sikurse energjia, transporti dhe transformimi digjital me qëllim që të rritet prosperiteti dhe stabiliteti në rajon.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftoi se kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, do të ketë takim të ndarë me komisionaren Kos sot dhe të dy më pas do të kenë një adresim të përbashkët të martën. Të martën do të mbahen dy panele, e para do t’i kushtohet Planit të Rritjes dhe e dyta për mekanizma specifikë dhe mbështetje për zbatimin e planit.

\Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

Lëkundet armëpushimi pasi Izraeli thotë se Irani lëshoi raketa

Published

on

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka thënë se Irani e ka “shkelur plotësisht” armëpushimin mes Izraelit dhe Iranit duke lëshuar raketa pas hyrjes në fuqi të armëpushimit.

Katz theksoi se e ka urdhëruar ushtrinë izraelite t’i rifillojë sulmet ndaj caqeve paramilitare dhe qeveritare në Iran.

Izraeli tha se ka vërejtur raketa të lëshuara nga Irani në hapësirën e tij ajrore më pak se tri orë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit, pasi si Izraeli, ashtu edhe Irani e kishin pranuar thirrjen e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës 12-ditore që ka tronditur Lindjen e Mesme.

Pranimi i marrëveshjes nga të dyja palët mëngjesin e së martës erdhi pasi Teherani e kreu sulmin e fundit raketor ndaj Izraelit, si pasojë e të cilët humbën jetën katër njerëz në orët e hershme të mëngjesit të së martës, ndërkohë që Izraeli kreu bombardime në të gjithë Iranin para agimit.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli është pajtuar armëpushimin dypalësh me Iranin, në bashkërendim me Trumpin.

Netanyahu tregoi se të hënën në mbrëmje e kishte njoftuar kabinetin e sigurisë së Izraelit se vendi ka arritur të gjitha synimet ushtarake në operacionin 12-ditor kundër Iranit, përfshirë eliminimin e kërcënimit nga programet bërthamore dhe raketore balistike të Iranit.

Izraeli gjithashtu ka dëmtuar udhëheqjen ushtarake iraniane dhe disa objekte qeveritare, si dhe mori kontrollin mbi hapësirën ajrore të Teheranit, tha Netanyahu.

“Izraeli do të përgjigjet me forcë ndaj çdo shkeljeje të armëpushimit”, tha Netanyahu.

Trump ka thënë mëngjesin e së martës se armëpushimi midis Izraelit dhe Iranit është tani në fuqi dhe u kërkoi të dyja vendeve të mos e shkelin atë.

“ARMËPUSHIMI TANI ËSHTË NË FUQI. JU LUTEM MOS E SHKELNI!” shkroi Trump në një postim në Truth Social.

Televizioni shtetëror i Iranit raportoi se armëpushimi hyri në fuqi në orën 7:30 të mëngjesit, por zyrtarët iranianë nuk kanë folur ende pas njoftimit të Trumpit për hyrjen e armëpushimit në fuqi.

Disa orë më parë, diplomati më i lartë i Iranit deklaroi se vendi ishte i gatshëm të ndalte sulmet ajrore.

Abbas Araqchi tha herët të martën se nëse Izraeli e ndal “agresionin e tij të paligjshëm” kundër popullit iranian jo më vonë se në orën 4 të mëngjesit me orën e Teheranit të martën, Irani nuk e ka ndër mend të vazhdojë me përgjigje ushtarake më pas.

“Operacionet ushtarake të Forcave tona të Armatosura të fuqishme për të ndëshkuar Izraelin për agresionin e tij vazhduan deri në minutën e fundit, në orën 4 të mëngjesit. Së bashku me të gjithë iranianët, i falënderoj Forcat tona të Armatosura të guximshme, të cilat mbeten të gatshme të mbrojnë vendin tonë të dashur deri në pikën e fundit të gjakut të tyre dhe që iu përgjigjën çdo sulmi të armikut deri në minutën e fundit”, shkroi Araqchi në X.

Kur njoftoi pas mesnatës për një armëpushim të plotë për t’i dhënë fund një lufte, siç e quajti ai, 12-ditore, Trump la të kuptohej se Izraeli dhe Irani do të kishin kohë t’i përfundonin misionet që ishin në zhvillim e sipër, pas së cilave armëpushimi do të hynte në fuqi.

Dëshmitarët thanë se dëgjuan shpërthime pranë Tel Avivit dhe Beershebas në jug të Izraelit, para se armëpushimi të hynte në fuqi.

Ushtria izraelite tha se gjashtë valë raketash u lëshuan nga Irani dhe shërbimi kombëtar i ambulancës në Izrael tha se katër njerëz u vranë në Beersheba, viktimat e para të raportuara në Izrael që nga shpallja e armëpushimit nga Trump.

Agjencia gjysmë-zyrtare e lajmeve në Iran, SNN, raportoi të martën në mëngjes se Teherani lëshoi valën e fundit të raketave para se të hynte në fuqi armëpushimi.

Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, e siguroi marrëveshjen e Teheranit gjatë një telefonate me zyrtarë iranianë, tha për Reuters të martën një zyrtari të informuar për negociatat.

Në të njëjtën kohë, nënpresidenti amerikan JD Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff ishin në kontakt të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë me iranianët, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Disa orë më parë, tre zyrtarë izraelitë kishin sinjalizuar se Izraeli po kërkonte të përfundonte fushatën e tij në Iran së shpejti dhe ua kishin përcjellë këtë mesazh Shteteve të Bashkuara.

Armëpushimi vjen pasi SHBA-ja i goditi centralet bërthamore të Iranit dhe Teherani u përgjigj duke sulmuar bazën ajrore amerikane në Katar.

Situata në Lindje të Mesme është e tensionuar prej sulmit të befasishëm të Izraelit në qendra bërthamore dhe ushtarake të Iranit më 13 qershor.

Izraeli ngul këmbë se Irani nuk mund të ketë armë bërthamore sepse ia rrezikon ekzistencën.

Irani mohon se ka pasur ndonjëherë program për armë bërthamore, por udhëheqësi suprem, Ali Khamenei, ka thënë se, nëse do të donte ta kishte një të tillë, liderët botërorë “nuk do të mund të na ndalonin”.

Izraeli, i cili nuk është palë e Traktatit Ndërkombëtar për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, është vendi i vetëm në Lindjen e Mesme që besohet të ketë armë bërthamore. Izraeli as nuk e pranon e as nuk e mohon këtë.

\ Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending