Nis Java Evropiane e Sportit në Kosovë

Në Prishtinë u hap “Java Evropiane e Sportit”, një organizim i cili synon të aktivizojë qytetarët e Kosovës që të merren me sport dhe aktivitete fizike.  Në ceremoninë e hapjes, Ministri në detyrë, i Kulturës, i Rinisë dhe i Sporteve të Kosovës, Kujtim Gashi, para të pranishmëve tha se sivjet pritet një pjesëmarrje masovike e rreth 22 mijë qytetarëve në aktivitetet që organizohen anembanë Kosovës, si një vazhdimësi e sukseseve nga viti i kaluar.

“Vlerësimet për organizimin e vitit të parë kanë qenë shumë të mira. Më lejoni të ndaj me ju lajmin se Kosova për vitin e kaluar ka prirë me nivelin dhe seriozitetin e organizimit të javës dhe është ndër shtetet e rajonit që ka qenë me një  nivel shumë të lartë. Si rezultat i kësaj, sivjet Bashkimi Evropian ka zgjedhur të financojë një ngjarje të posaçme e cila do të mbahet më 27 shtator në Suharekë. Me marrjen e detyrës si ministër, jam angazhuar maskimalisht që të plotësoj dhe avancoj infrastrukturën ligjore e fizike të sportit, ngase sporti është një fushë jashtëzakonisht e rëndësishme e cila sjell rezultate të shumanshme, si dhe po promovon imazhin dhe shtetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, tha Gashi.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës Besim Hasani, si nikoqir i ngjarjes “Forumi për sportin” në kuadër të Javës Evropiane të  Sportit, tha se ky forum tash e tutje do të ketë punime të rregullta dhe qëllime shumë të qarta.

 “Forumi do të jetë tashmë i rregullt, në mënyrë që…një lloj brainstorming të jetë, një hudhje e ideve  dhe këtë e kam parë nga një përfaqësues i Federatës botërore të Golfit në një panel ku ai ishte dhe ai tha se kemi nisur me organizimin e forumeve, në mënyrë që të dëgjojmë të gjithë hisedarët, të gjitha palët e interesit, për shqetësimet e tyre, në mënyrë qe në fund të bëhen rekomandime dhe konkluzione që do t’i obligojnë organet vendimmarrëse t’i shqyrtojnë si një mundësi që edhe ato të fillojnë të implementohen”, u shpreh ai.      

Java Evropiane e Sportit sivjet shënon 5 vjetorin e themelimit nga Komisioni Evropian, ndërkaq nga sot e deri më 30 shtator, në Republikën e Kosovës është planifikuar mbajtja e 84 aktiviteteve sportive të cilat organizohen nën patronatin e Minisitrit në detyrë të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, Kujtim Gashi.    

Leave a Comment

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

728X90
728X90