Fëmijët me nevoja të veçanta në Qendrën
e kujdesit ditor “Pema” në Ferizaj, sot u argëtuan me muzikë nga
këngëtarët Olta dhe Olsa Miftari. Përpos
argëtimit me muzikë, këngëtaret kanë shpërndarë
edhe dhurata për fëmijët e kësaj qendre me rastin e festave të
fundvitit.
“Ishte kënaqësi që ishim këtu sepse për nder të festave të fundvitit ne
shpërndamë disa dhurata dhe i argëtuam me këngët e tona. Iniciativa ishte e
prindërve, por edhe bashkë me ne sepse ne deshëm t’iu dhurojmë dhurata fëmijëve
të qendrës “Pema”. Me këtë rast ne kemi dëshirë t’iu urojmë të gjithëve vitin
e ri 2020 që ky vit të jetë një vit i mbarë dhe me shumë suksese për të gjithë”, u shprehën Olta dhe Olsa Miftari.
Për gëzimin që patën këta fëmijë sot,
u shpreh mirënjohëse koordinatorja e qendrës “Pema”, Marigona Rexhepi.
“Në emër të qendrës “Pema” ne jemi shumë falënderues ndaj Olsës dhe Oltës
që kanë ardhur sot dhe i kanë argëtuar fëmijët. Iniciativa të tilla janë shumë
mikëpritëse në qendrën tonë për faktin se fëmijët gëzohen shumë dhe kënaqen në
aktivitete të tilla. Fëmijët të cilët kanë qenë sot prezent i njohin Olsën dhe
Oltën, ata i dëgjojnë çdo ditë këngët e tyre dhe muzika e tyre sot këtu ka qenë
argëtuese”, tha Marigona Rexhepi.
Fëmijët e qendrës “Pema” u zbavitën
duke kënduar këngët e tyre të preferuara së bashku me artistet Olsa dhe Olta
Miftari.