AKR e Ferizajt dyshon se LDK-ja ka manipuluar me votat e saj

14 vendvotime në komunën e Ferizajt i janë nënshtruar procesit të rinumërimit për shkak se kandidatët për deputetë kanë marrë më shumë vota sesa subjekti politik.

Kryetari i Komisionit Komunal Zgjedhor në Ferizaj Shaban Rexha, tha se nëse vërehet se diçka është bërë në mënyrë të qëllimshme, atëherë mund të nisin hetimet nga organet e drejtësisë.

“Arsyeja kryesore është që nuk ka pasur përputhje mes votave të subjektit politik dhe kandidatëve. Ka raste kur kandidatët kanë marrë më shumë vota se subjekti  politik. Nëse një subjekt politik ka një votë në anën tjetër duhet të ketë 5 vota për kandidatë, prandaj nëse ka më shumë vota për kandidatët atëherë shkon në rinumërim vendvotimi. Ne i kemi dërguar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve fletëvotimet origjinale, formularët origjinal dhe kutitë e votimit dhe nëse evidentohet shkelje e qëllimshme atëherë janë prokurorët aty për të hapur proceset gjyqësore dhe hetimore”, tha Rexha.

Nisje të hetimeve për procesin e numërimit po kërkon Aleanca Kosova e Re në Ferizaj. Koordinatori i AKR-së në Ferizaj Sadat Ismaili, thotë se LDK-ja ua ka keqpërdorur votat kandidatëve të AKR-së, meqë ky subjekt politik nuk ka pasur sa duhet vëzhgues e komisionerë të vetë.

“Nga takimet që kemi pasur me qytetarë kemi pritur se kemi me pas shumë më shumë vota, po ashtu edhe nga bisedat që kemi bërë me njerëz kemi pritur që do të kemi rezultate më të mira dhe këtu po na bënë me dyshu se është keqpërdorur vota, prandaj publiksht kërkoj nga organet ndjekëse që të merren me këto raste dhe nëse del diçka keqpërdoruesit të dalin para drejtësisë pasi vota është e shenjtë. Behxhet Pacolli ka diku mbi 600 vota, këto i kemi nxjerrë vet nga KQZ-ja dhe në bazë të kësaj ne ku e kemi pasur cakun që mundemi me arritë vota vërtet dyshojmë se janë keqpërdorur votat e deputetëve tanë dhe krejt kjo që ne nuk kemi pasur vëzhgues e komisionerë tanë të mjaftueshëm”, tha Ismaili.

Akuzat e AKR-së i mohojnë në LDK-në e Ferizajt. Këta thonë se edhe vetë janë të pakënaqur me votat që i kanë marrë.

“Është një rezultat që nuk e kemi pritur as ne si parti, por ndoshta se kanë prit as AKR-ja, nuk qëndron ajo se u janë keqpërdorur votat, ne si LDK kemi pas një marrëveshje me AKR-në në Ferizaj dhe kemi pasur diku 10%  të vëzhguesve nga AKR-ja, po ashtu ka pasur edhe komisionerë nga AKR-ja. Të gjitha votat ashtu si i ka dhënë qytetari janë numëruar dhe nëse ka pasur diku gabime ato janë duke u rinumëruar. Ata janë të pakënaqur me rezultatet dhe tash duhet me gjetë një arsye ashtu sikur ne që jemi të pakënaqur me rezultatet, por nuk mundemi me thënë që dikush na e ka keqpërdor votën pasi kanë qenë zgjedhje fer”, tha Imri Hashani, shef i shtabit të LDK-së në Ferizaj.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj Shkuri Jashari, i kontaktuar përmes telefonit tha se deri më tani nuk kanë nisur ndonjë hetim lidhur me procesin zgjedhor.

Leave a Comment

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

300X220