Pa qëndrim zyrtar si do të trajtohen mësimdhënësit e pavaksinuar

13 shtatori po afrohet, por dilemat për fillimin e vitit të ri shkollor vazhdojnë të mos kenë përgjigje. Ende nuk janë vaksinuar i tërë  stafi i mësimdhënësve, sikundër as nxënësit. Po ashtu nuk dihet qartë se si do të veprohet më mësimdhënësit e pavaksinuar, se si do të zëvendësohet ata. Në Drejtorinë komunale të arsimit kërkuam sqarime më të plota:

“Ne kemi një takim sot me Ministrinë pra do të jemi në një takim online dhe do të shohim se cilat do të jenë vendimet që do të merren. Kurse sa i përket atyre kërkesave të cilat apo përgatitjeve që është dashtë të i bëjmë ne, si Komunë, qofshin teknike apo qofshin edhe përgatitje të tjera, në fakt i kemi bërë. Prioritet i kemi dhënë vaksinimit të mësimdhënësve dhe deri më tani nga 1 mijë e 784 mësimdhënës apo më mirë të themi staf mësimor, staf i cili është brenda shkollës duke përfshirë drejtorët, zëvendës drejtorët, sekretarët e shkollave, punëtorët ndihmës dhe të tjerët janë vaksinuar 1 mijë e 525, që nëse e shohim në përqindje i bie mbi 85% të mësimdhënësve të cilët janë vaksinuar. Këto shifra janë të javës së kaluar, sepse ne e kemi një formular, çdo javë jemi të obliguar që raportojmë për vaksinimin e të gjithë mësimdhënësve. Duke marrë parasysh këto përqindje dhe shifra që i thash, Komuna e Ferizajt nuk është keq sa i përket vaksinimit të mësimdhënësve dhe po besojmë se deri me datën 13 shtator, ne do të kemi përafërsisht mbi 95% të mësimdhënësve të cilët do të vaksinohen.

Afrim Llabjani – Drejtor i Drejtorisë së Arsimit
Afrim Llabjani – Drejtor i Drejtorisë së Arsimit

Ndërsa sa i përket mos vaksinimit të mësimdhënësve Llabjani, shton se ende nuk kanë marrë ndonjë vendim për ndëshkim të tyre.

“Ne nuk kemi ndonjë vendim të tillë për këtë çështje sepse është diçka e cila rregullohet me rregullativat ligjore dhe nuk kemi ndonjë vendim nga Ministria e Arsimit, se çka do të bëhet dhe cilat do të jenë masat. Por, po besoj që mësimdhënësit janë të vetëdijshëm, e dinë rëndësinë e profesionit të tyre dhe ata do të jenë të gatshëm të vaksinohen në mënyrë që të kenë siguri edhe për vete, por edhe për nxënësit, të cilët do të jenë para tyre. Prandaj nuk e shoh që do të kemi ndonjë problem, sa i përket jo vaksinimit të tyre, që për me marrë ndonjë masë ndëshkuese për ta , por do të jenë ata që do të vendosin në këtë drejtim, ku do të jenë në nivelin e detyrës dhe përgjegjësisë  që e kanë për tu vaksinuar të gjithë. Duhet ta kemi parasysh që mësimdhënësit mund të kenë ndonjë sëmundje ku mundet me qenë pengesë e mosvaksinimit të tyre por do të jetë me rekomandimin e mjekëve dhe nuk do të ketë ndonjë telash.”

Afrim Llabjani – Drejtor i Drejtorisë së Arsimit

Në anën tjetër për nxënësit, Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje të gjithë qytetarëve të grup-moshës mbi 16 vjeç, sikurse edhe kategorisë së fëmijëve të moshës prej 12-15 vjeç, me indikacione mjekësore, që të vaksinohen, si mënyra më e përshtatshme për t‘u mbrojtur dhe për të frenuar përhapjen e COVID-19.

Në ndërkohë, pas mbajtjes së takimit online të Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci me drejtorët e drejtorive komunale u shpreh gatishmëria për të filluar vitin e ri shkollor, por vendimi përfundimtar do të merret në ditët në vijim pas rekomandimeve përfundimtare të institucioneve shëndetësore.