Para tri javësh, Inspektorati i Punës ka dënuar me 3800 euro gjobë Drejtorinë e Arsimit në Ferizaj dhe drejtorin e saj, Afrim Llabjani, për shkeljet ligjore në punësime të mësimdhënësve pa konkurs dhe me “të njofshëm”.

Në vendimin nr. 170-1/21 të Inspektoratit të Punës, të nënshkruar nga Inspektori Naser Sopa thuhet:

“Drejtoria Komunale e Arsimit në Komunën e Ferizajt, si punëdhënës në cilësinë e personit juridik, është përgjegjës për cenimin e dispozitës së nenit 8 pika 1 dhe 2 të ligjit të punës, e sanksionuar me nenin 7 pika 4, nën pika 4.2 të udhëzimit administrativ, nr.07/2012 për përcaktimin e gjobave dhe shumave konkrete për shkeljen e dispozitave të Ligjit të punës. Gjithsej i shqiptohet gjobë në lartësinë prej 3500 euro”, thuhet në njërin vendim të Inspektoratit të punës.

Vendimi i Inspektoratit të Punës për gjobën 3500€ ndaj DKA Ferizaj
Vendimi i Inspektoratit të Punës për gjobën 3500€ ndaj DKA Ferizaj (vazhdim)

Këtë vendim Inspektorati e kishte marrë 16 shtator të këtij viti, mbi bazën e ankesave që kishin ushtruar vëlla e motër, Liron e Lirona Krasniqi nga Ferizaj, me arsyetimin se DKA-ja nën udhëheqjen e Llabjanit, i kishte punësuar nëntë (9) mësimdhënës pa kualifikim dhe pa shpallje të konkursit, duke i eliminuar ata dhe duke ua mohuar të drejtën e konkurrimit të barabartë.

“Unë si student i masterit në filozofi, në përfundim të vitit të dytë, kam bërë kërkesë për shpallje të orëve zgjedhore të filozofisë, të cilat nuk janë shpallur asnjëherë 3 vite radhazi dhe janë mbajtur të fshehura nga z.Afrim Llabjani, kërkesa ime është refuzuar për shpalljet e orëve dhe Afrim Llabjani ma ka lëshu vendimin që refuzohet kërkesa ime sepse publikimi për konkurs del në webfaqe, edhe këtë vit po përsëritet e njejta, pasi Afrim Llabjani ka dërguar mësimdhënës në gjimnazin “Kuvendi i Arbërit” të punojë pa konkurs dhe pas asnjë dokument në shkollë dhe vazhdon ta mbrojë mësimdhënësin qe 3 vite radhazi, unë kam bërë kërkesë për qasje në dokumente zyrtare për dokumente të këtij mësimdhënësi dhe kjo më është refuzuar”. tha Liron Krasniqi

Liron Krasniqi nga Kosina, i dëmtuar me diskriminim në punësim si mësimdhënës

Krasniqi  thotë se lidhur me ankesën e tij, përpos Drejtorisë Komunale të Arsimit ishte dënuar edhe vet drejtori i saj,  Afrim Llabjani me gjobë prej 300 eurosh, lëshuar nga Inspektorati i punës në Ferizaj.

Vendimi i Inspektoratit të Punës për gjobën 300€ ndaj drejtorit të DKA-së, Afrim Llabjanit

“Pastaj unë kam shku në inspektoriatin e punës me ankesën për mësimdhënësin në fjalë, ata e kanë dënuar Afrim Llabjani me shumën prej 300 euro dhe në bazë të këtij vendimi është gjetur se ka lidhur kontratë pa shpallë konkurs publik, por edhe pse është dënuar prap e ka dërgu këtë mësimdhënës të punoj edhe për këtë vit”. u shpreh studenti i masterit nga Kosina.

Krasniqi shton se ai duke dashur të gjejë një zgjidhje, i është drejtuar zyrtares së DKA-së, Selvete Bajraktari-Bytyqit lidhur me ankesën e tij, por që e njejta, sipas Krasniqit ka refuzuar ta adresojë këtë çështje:

“Pastaj kam bisedu edhe me Selvete Bajraktari-Bytyçin, lidhur me rastin e këtij mësimdhënësi, por ajo më thotë “Shko ku të duash sepse ne i kemi njerëzit e tonë”, e vazhdon rrëfimin e tij Liron Krasniqi.

Lidhur me këto zhvillime, ekipi i TV TEMA, ka kërkuar përgjigje nga Drejtori i Arsimit Afrim Llabjani dhe zyrtarja  Selvete Bajraktari-Bytyqi. Drejtori nuk ishte në zyrë, dhe nuk e pa të udhës që t’i përgjigjej pyetjeve tona me sms, ndërsa zyrtarja Bajraktari Bytyqi u “zotua” se do të reagojë pas  publikimit të stories sonë.

DKA nuk u prononcua lidhur me gjobat e shqiptuara nga Inspektorati i Punës

Me llogarinë e bllokuar të Komunës së Ferizajt, ende mbetet e paqartë nëse janë paguar detyrimet e gjobës ndaj inspektoratit të punës. Në ndërkohë i dëmtuari Krasniqi tregoi se tashmë për këtë padrejtësi ndaj tij i është drejtuar edhe  Gjykatës Themelore në Ferizaj.

“Pas kësaj, iu kam drejtuar Gjykatës Themelore në Ferizaj për këto padrejtësi që po më bëhen. Përveç këtyre shkeljeve, janë bërë shkelje të tjera edhe në shkolla të tjera për mësimdhënëse klasore, për motrën time në këtë rast, ku motra ime ka bërë kërkesë që të shpallet konkursi për në shkolla të caktuara dhe në 8 shkolla kemi gjetë se ka mësimdhënëse pa kualifikim pa asgjë duke punuar, dhe motra ime është refuzuar dhe prapë Afrim Llabjani u ka dalë në mbrojtje, pastaj edhe motra ime ka bërë ankesë në IP dhe për të gjitha këto DKA-ja është dënuar me 3500 euro”, përfundon Krasniqi.

Krasniqi shpreson në paanshmërinë dhe efikasitetin e Gjykatës së Ferizajt, si instancë e fundit për korrigjimin e kësaj padrejtësie dhe diskriminimi që ka i ndodhur ndaj familjes së tij “për arsye politike” siç shprehet ai në intervistë.

Të ngjashme

Të tjera