Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, ka shpalosur ato që i quan fakte për skandalin në Ministrinë e Infrastrukturës në të cilin thotë se janë të përfshirë zëvendësministri Hysen Durmishi dhe ish-zyrtari Nexhat Krasniqi.
Berisha thotë se si është e mundur që një zyrtar i shkarkuar nënshkruan kontrata, derisa kërkon edhe nga kryeministri Kurti që të deklarohet.
“Ftoj kryeministrin Kurti të deklarohet për këtë skandal dhe të japë llogari për “meshqit” e tij të cilët po tregohen mjaft aktiv në dallaveret me tenderë”, deklaroi Berisha.
“Bëhet fjalë për katër kontrata kornizë për mirëmbajtje verore dhe dimërore të cilat janë nënshkruar nga Krasniqi dhe Durmishi. Si ka mundësi që zyrtari i shkarkuar të nënshkruajë kontrata me vlerë qindra mijë euroshe, për derisa ishte i shkarkuar?”, ka pyetur Berisha duke prezantuar edhe katër kontratat për të cilat pretendon se janë të paligjshme, pasi janë nënshkruar pas shkarkimit të Krasniqit.
Kontratat për të cilat foli Bekë Berisha i AAK-së, janë nga :
- Kontrata publike kornizë Nr. 205-22-865-2-1-1/c303 dhe 037/2022 në vlerë prej 138,953.44 euro, e nënshkruar nga Nexhat Krasniqi dhe Hysen Durmishi më datë 27.06.2022;
- Kontrata publike kornizë Nr. 205-22-865-2-1-1/c304 dhe 036/2022, në vlerë prej 123,262.41 euro, e nënshkruar nga Nexhat Krasniqi dhe Hysen Durmishi më datë 27.06.2022;
- Kontrata publike kornizë Nr. 205-22-865-2-1-1/c306 dhe 034/2022 në vlerë prej 61,221.61euro e nënshkruar nga Nexhat Krasniqi dhe Hysen Durmishi më datë 25.07.2022, dhe
- Kontrata publike kornizë Nr. 205-22-865-2-1-1/c305 dhe 036/2022 në vlerë prej 88,472.00 euro e nënshkruar nga Nexhat Krasniqi dhe Hysen Durmishi më datë 25.07.2022.
Ndryshe, Nexhat Krasniqi u shkarkua nga poztia e tij si shef i prokurimit në Ministrinë e Mjedisit dhe Infrastrukturës më 24 maj 2022 dhe në vend të tij është caktuar Ndriqim Mustafa.