Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka insistuar se dialogu është mënyra e vetme për të ecur para dhe se SHBA-ja përkrah fuqishëm dialogun Kosovë – Serbi të ndihmuar nga Bashkimi Evropian.

Hill i ka thënë këto gjatë takimit me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq.

“Hill ka theksuar se vazhdimi i bisedimeve është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e hapura dhe ka theksuar se SHBA-ja përkrah fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Serbisë.

E Bërnabiq gjatë takimi ka shprehur besimin e takimi në Bruksel më 18 gusht mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, do të jetë konstruktiv.

“Bërnabiq ka thënë se ruajtja e paqes dhe stabilitetit në rajon është një nga prioritetet kyçe dhe se Serbia mbetet e angazhuar për të zhvilluar lidhje rajonale në të gjitha fushat. Serbia po ashtu ofron përkrahje të fortë rajonale nëpërmjet iniciativës ‘Ballkani i Hapur’, që po del e suksesshme në zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme për qytetarët tanë. Duke folur për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, kryeministrja ka shprehur besimin se takimi në raundin e radhës të dialogut më 18 gusht në Bruksel do të jetë konstruktiv, veçanërisht pas situatës aktuale dhe lëvizjeve të njëanshme të Prishtinës”, thuhet nga Qeveria e Serbisë./Koha

Të ngjashme

Të tjera