Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka kërkuar që punëtorëve të kujdesit parësor sa më shpejt t’u dalin pagat e muajit gusht.

Në një reagim të enjten në mesditë, FSHSK-ja ka thënë se nuk ka marrë sqarim konkret nëse faji është te Komuna apo Ministria e Financave.

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës pas informimit nga terreni në lidhje me mosmarrjen e pagave të punëtorëve shëndetësorë në kujdesin parësor kërkon nga ana e faktorëve relevantë që punëtorët shëndetësorë sa më parë t’i marrin pagat e tyre njësoj sikurse punëtorët shëndetësorë të kujdesit dytësor dhe tretësor. Deri më tani jemi konsultuar edhe nga zyrtarët komunalë, por edhe ata të Ministrisë së Financave të cilët asnjëra palë nuk japin sqarim konkret. Vonesa e pagave të punëtorëve shëndetësorë është e papranueshme dhe e dënueshme, andaj kërkojmë që sa më shpejt të ekzekutohen pavarësisht kush është përgjegjës për këtë vonesë. Mos të bëhen lojëra në kurriz të punëtorëve shëndetësorë të cilët janë në shërbim të qytetarëve për 24 orë”, thuhet në reagim të FSSHK-së.

Nga 25 gushti punëtorë të sektorit publik kanë hyrë në grevë. Në grevë aktualisht janë administratat në disa komuna dhe shumica e sektorit të arsimit. FSSHK-ja pati bërë të ditur para një jave se s’do t’i bashkohet grevës së përgjithshme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura. Shoqata Sindikale e Qendrës Klinike Universitare pati kundërshtuar FSSHK-në duke përkrahur grevën.

Të ngjashme

Të tjera