Ka më shumë se dy muaj që pacientët me kancer të veshkës dhe ata me kancer të mëlçisë kanë mbetur pa trajtim për shkak të mungesës së medikamentit sorafenib në klinikën e Onkologjisë në QKUK.
Në interesimin e mediumit lidhur me këtë problematikë, ShSKUK-ja disa herë gjatë verës është arsyetuar se lënda është në Organin Shqyrtues të Prokurimit dhe se po pritet vendimi i tij, që pastaj të mund të furnizohet me këtë medikament.
Por nga komunikimi ynë me OSHP-në, del se ky organ e kishte njoftuar Shërbimin spitalor përmes email-it për vendimin e vet më 18 Gusht 2022, ndërsa prokurimi i spitaleve e kishte lexuar me vonesë prej tre javësh, edhe pse ky medikament është esencial për këtë kategori pacientësh.
“Duke ju përgjigjur kërkesës tuaj, po ju njoftojmë se OSHP ka lëshuar vendimin me nr. 192/22 me datën 18.08.2022 (para 22 ditëve) me të cilin është njoftuar edhe SHSKUK-ja dhe e njëjta ka mundur të procedojë më tutje“, thuhet në përgjigjen e OSHP-së.
Nga emaili i OSHP-së dhe nga përgjigja e zyrtarit te prokurimit ne SHSKUK, e kuptojmë se për Shërbimin Spitalor të Kosovës më me prioritet është mbarëvajtja e pushimeve te zyrtarëve te prokurimit sesa angazhimi serioz për sigurimin e medikamentit kritik për pacientet me kancer, pasiqë emaili zyrtar i kësaj rëndësie nuk ishte lexuar fare gjate pushimeve verore.
Ne letrën e OSHP-se me tutje thuhet:
“Duke pasur parasysh faktin se bëhet fjalë për ilaçe shumë specifike, OSHP sot ka reaguar menjëherë duke kërkuar sqarim te SHSKUK-ja, dhe të njëjtit e kanë pranuar se nuk e kanë vërejtur vendimin të cilin e kemi dërguar tek SHSKUK-ja, me arsyetimin se kemi qenë në pushim vjetor dhe nuk e kemi parë“, shton OSHP-ja.
Nga kjo neglizhencë, me siguri përfiton dikush: farmacitë private, sepse pacientët janë të detyruar që këto barna të shtrenjta me mijëra euro t’i blejnë në sektorin privat.
Për dëmin që iu shkaktua pacientëve me këtë neglizhencë nga ana e Shërbimit Spitalor të Kosovës, ky institucion nuk pa përgjigje por vetëm na u dërgua një email formal zyrtar duke dhënë sqarime procedurale te tenderit, pa asnjë sqarim tjetër.
Krejt çka mori si përgjigje TV TEMA është një deklarim i Selami Krasniqit, shef i Prokurimit në ShSKUK i cili ndër të tjera shkruan “Pas ankesës në OSHP të njërit nga Operatoret Ekonomik në procedurë lënda është bllokuar në OSHP për një kohë të gjatë në mungesë të bordit të OSHP-së. Pas pranimit të vendimit të OSHP-së me të cilën ankesa cilësohet si e jashtafatshme për trajtim nga OSHP, AK-SHSKUK e ka anuluar procedurën në fjalë dhe ka iniciuar procedurë të re për furnizim me këtë produkt e cila do të kryhet brenda afatit sa më të shkurtër kohor“.
Në anën tjetër, drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Arben Bislimi megjithatë tregon se sorafenibi është ndër të vetmit medikament me të cilin mund të trajtojnë pacientët me kancer të veshkave dhe mëlçisë.
“Është medikament, është ilaç i listës esenciale dhe si i tillë, kur kemi në klinikë pacientët përfitojnë nga ky medikament. Është target terapi, jo si kimio e të tjera por targeton qeliza e këqija, ato malinje e duke i kursyer ato të mirat, është tretman bashkëkohor i këtyre dy indikacioneve e mos të them ndoshta edhe i vetmi“, deklaroi Bislimi.
Bislimi tregon se këto dy lloje të karcionomave nuk kanë treguar rezultate të mira nga kimioterapia dhe rrezatimi prandaj edhe sorafenibi është shumë i rëndësishëm për këta pacientë, teksa ndalimi i marrjes së këtij medikamenti për një kohë të gjatë mund të shkaktojë dëme.
“Për dallim prej kimioterapisë ku duhet strikt të ndiqet kursi i tretmanit varësisht nga protokolli, këtu kemi të bëjmë me target terapi dhe ndoshta është një komoditet më i madh nëse ka ndërprerje të tillë por prap nuk mund të themi kur është një ndërprerje më e madhe se dy muaj. Mundësia e përzgjedhjes me diçka tjetër nuk na jep shumë hapësirë tek këto dy indikacione. Ndoshta një target tjetër, sunitinib i cili edhe mund të përdoret por nuk e praktikojmë të kalojmë nga një linjë në tjetrën ashtu aq lehtë sepse mënyra e ndjekjes e humb kontinuitetin dhe efektshmërinë e ilaçit“, shtoi Bislimi.
Se a do të merren masa për neglizhencën e ketij lloji nga institucioni pergjegjes, për dëmin e shkaktuar pacientëve dhe rrezikimin e jetës se tyre, mbetet të shihet nga veprimet e SHSKUK dhe Minisitrisë së Shëndetësisë gjate ditëve ne vijim.