Connect with us

Kosovë

Këshilli Gjyqësor i pakënaqur me ligjin e pagave

Published

on

Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj thotë se Projektligji për paga i cili aktualisht ndodhet në diskutim publik është i papranueshëm për sistemin gjyqësor. E të njëjtin mendim Zogaj ndan edhe për Projektligjin për zyrtarët publik. Sipas tij të dy këto dy ligje rrezikojnë sistemin gjyqësor dhe pavarësinë e sistemit.

Zogaj, në një intervistë për KosovaPress, shprehet se të dyja këto dokumente nuk janë në pritshmëritë e KGJK-së, pasi ai i Pagave ul rrogat e gjyqtarëve deri në 40%, ndërsa për Zyrtarët Publik vështirëson procedurat e rekrutimit për stafin e administratës.

Sipas tij të dy këto projektligje janë në kundërshtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Sipas draftit fillestar nën supozimin se koeficientet do të jenë ato që janë diskutuar edhe në publik, pagat e gjyqtarëve do të ulën deri në masën 40% dhe kur kemi parasysh edhe inflacionin në masë 20% kjo është definitivisht një qasje krejtësisht e papranueshme në Ligjin aktual për pagat, por e njëjta logjik vlen edhe për Ligjin për zyrtarët publik sepse ne si institucion i pavarur duhet për çdo pozitë të marrim një konfirmim nga ministria përkatëse, diçka që e vështirëson shumë procesin e reduktimit të zyrtarëve. Ne kemi dhënë argumente tona që janë edhe kushtetuese por edhe referencat ndërkombëtare por edhe të brendshme që paga e gjyqtarit nuk mund të ulet… Ky draftligj duhet të korrektohet dhe duhet të shikohet me vëmendje të veçantë edhe statusi i gjyqtarëve në kuptimin e pagës por edhe administrata gjyqësore”, ka thënë Zogaj.

Kreu i KGJK-së konsideron se ulja e pagave të gjyqtarëve do të ndikojë në humbjen e motivit për punë, por edhe do të rris rrezikun për korrupsion.

“Ne do të kemi dekurajim të të rinjve për t’u bërë pjesë e sistemit gjyqësor, nën dy do të largohen besoj një numër i gjyqtarëve të mirë që i kemi në sistem që kanë ekspertizë të lartë profesionale sidomos në nivele të larta gjyqësore pa asnjë diskutim sepse nuk und të jenë të motivuar për punë, madje ne duhet pas parasysh se të gjithë bëjnë planifikime sipas pagës që marrim dhe një pjesë e mirë e tyre dhe obligime ndaj institucioneve financiare për shkak se kanë bërë investimit në familje, dhe ajo që është po ashtu e rrezikshme dhe është shqetësim serioz i Këshillit Gjyqësor ka gjasa edhe mund të ketë korrupsion në sistem nëse ulet pagat. Nuk mund të justifikohet performanca e gjyqësorit, ose kritika ndaj gjyqësorit, me uljen e pagës. Pra, nënkupton se duhet të ndërtojmë një sistem të mirëfilltë, funksional, objektiv të vlerësimit të performancës dhe disiplinimit por nuk mund të kushtëzohet me pagën në asnjë mënyrë. Ka vërejte ndaj gjyqësorit edhe ne jemi krejtësisht të vetëdijshëm edhe për efikasitetin edhe për cilësinë por ajo që shihet besoj sepse transparenca është në maksimumin në sistem gjyqësor shihen përpjekjet e sistemit për të ngritur nivelin e efikasitetit në të gjitha gjykatat”, theksoi ai.

Zogaj u shpreh se Projektligjin për paga por edhe atë për zyrtarët publik do e dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese në rast se miratohet nga Kuvendi i Kosovës.

“As që diskutohet (dërgimi në Kushtetuese), Këshilli Gjyqësor është organ, respektivisht institucion që administron gjyqësorin dhe përgjegjësia numër një e këtij organi është ruajtje e pavarësisë së gjyqësorit, prandaj, pavarësia e gjyqësorit duhet të shikohet edhe në dimensionin që të duhet statusi i gjyqtarëve të avancohet, statusi i gjyqtarit në kuptimin e njëjtë me referenca në rajon dhe më tej, por edhe në dimensione të tjera që mund të atakohet sepse Ligji për zyrtarët publik e redukton pavarësinë e gjyqësorit për rekrutimin e stafit, ne kemi punuar me vite sidomos prej viti 2013 është punuar shumë në avancimin e gjyqësorit dhe krijimin e parakushteve dhe tani është absolutisht e papranueshme çfarëdo iniciative që tenton me të reduktojë pavarësinë e gjyqësorit”, u shpreh Zogaj.

Në lidhje me procesin e vettingut në sistemin e drejtësisë, i cili është kundërshtuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Zogaj beson se si i tillë nuk do të arrijë të kalojë në Kuvendin e Kosovës.

“Para një viti e gjysmë kemi thënë se kjo qasje nuk kalon, pra çka do të ndodh do të humbin kohën dhe mundësinë e bashkëpunimit të institucioneve dhe koordinimit me mënyrën më të mirë të mundshme sepse kanë ekzistuar vullnetet. Pra, unë jam thellë i bindur që kjo qasje nuk mund të kalojë, do të kalojë patjetër dhe do të bëhet patjetër krijimi i mekanizmave të brendshëm sepse është edhe vlerësim i yni dhe do të bëhet vettingu permanent. Ne mund të kalojmë procese vettingu ad-hock çdo pesë vite, 10, 15 vite nuk e duron sistemi. Sistemi do garanci, askush nuk bëhet pjesë e sistemit duke llogaritur se cilado parti që vjen në pushtet do të bëjë vetting, jo neve na duhen mekanizmat e brendshëm të verifikimit në mënyrë adekuate profesionale të kandidatëve për gjyqtarë që është proces permanent dhe definitivisht jemi të gatshëm… ne do të humbim 1 vit e gjysmë, dy vite kohë dhe në fund të gjithë do të ulemi në tryezë për të diskutuar atë që e ka dhënë si propozim KGJK, ndryshimin e ligjeve sistemore për sistemin e drejtësisë, Ligjin për KGJK, për gjykatat, për përgjegjësinë disiplinore këto janë mekanizmat nuk mund të dal përtej kësaj”, theksoi ai.

Zogaj tha se kundërshtimi i KGJK-së asnjëherë nuk duhet të shihet si sfidë ndaj dikujt por si përpjekje për të ruajtur atë që është ndërtuar me shumë mund në këtë sistem.

“Ka pas një qasje jo të pranueshme për KGJK-në sepse është shkuar në opsionin e fundit pa u testuar dhe pa u vlerësuar opsionet e tjera dhe ky kundërshtim i Këshillit tash pas opinionit të Venecias nuk vjen për shkak se është bërë vetting për KGJK, absolutisht jo, sepse të gjithë anëtarët e Këshillit do të ishin të gatshëm për performacnën e gjyqësorit dhe një sistem më të avancuar, të gjithë do të ishin të gatshëm në mënyrë vullnetare të lironin pozitën që kanë në sistem gjyqësor, por neve na duhet vlerësimi pse duhet të ndodh një ndryshim kushtetues për të bërë një vetting të anëtarëve të Këshillit ose kryetarit të gjykatave pa u testuar format e tjera të cilat kanë qenë në adresim të opsionit të Venecias dhe rrjedhimisht edhe në përgjigjet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Asnjëherë nuk duhet të shihet kundërshtimi si sfida e përbërjes aktuale të Këshillit Gjyqësor se të gjithë e dinë se vetë ndryshimet kushtetuese dhe aktet pasuese do të marrin periudhën e duhur dhe ndoshta të gjithë do të përfundojnë mandatin, nuk është ky shqetësimi, shqetësimi është për të ruajtur atë që është ndërtuar me shumë mund”, është shprehur kryesuesi i KGjK-së.

Lidhur me mospajtimet në mes të KGJK-së dhe Ministrisë së Drejtësisë, kreu i këtij Këshilli, Albert Zogaj thotë se fatkeqësisht ka më shumë protestim të institucioneve dhe jo veprime konkrete që do ndikonin në përmirësimin e gjendjes së gjyqësorit në Kosovë.

“Të gjitha institucionet duhet të jenë në respekt të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore duke respektuar pavarësinë e institucioneve. Absolutisht nuk ka, asnjë lloj hezitimi dhe kritike për njerëzit që protestojnë nuk është e natyrshme që institucioni të protestojë, institucionet ndërmarrin veprime, ndërmarrin masa, zbatojnë politika të shëndetshme për zhvillimin e institucionit dhe përgjegjësive të tyre. Pra, ne këtu për fat të keq kemi më tepër një lloj protestimi të institucioneve përmes një institucioni tjetër dhe jo veprime konkrete për përmirësimin e gjendjes në gjyqësor, në këtë kontekst unë nuk e shoh mirë gjuhën që përdorin institucionet me replikat e tyre, përndryshe kundërshtimet janë të zakonshme. Megjithatë, duhet theksuar se pavarësisht kësaj ne kemi pas komunikim të mirë me MD madje kemi pas edhe nisma të përbashkëta, Këshilli Gjyqësor është i hapur dhe realisht kemi mbështet të gjitha iniciativat e MD-së“, ka thënë ai.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kosovë

Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë ujdi për krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore

Published

on

Prokuroritë speciale të Kosovës dhe të Shqipërisë e kanë zgjeruar bashkëpunimin duke e nënshkruar të hënën një marrëveshje për krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore, njoftoi Prokuroria Speciale e Kosovës.

Marrëveshja u nënshkrua gjatë një takimi të përbashkët pune në Prishtinë mes Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Shqipërisë, apo SPAK.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, dhe shefi i SPAK-ut, Klodjan Braho, shprehën gatishmërinë për angazhim të përbashkët për ta çuar përpara bashkërendimin ndërinstitucional, thuhet në njoftim.

Delegacioni shqiptar u prit sot në takim edhe nga ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj.

“Gjatë këtij takimi u riafirmua angazhimi i përbashkët institucional në funksion të forcimit të sundimit të ligjit në të dyja shtetet, si dhe u diskutua për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit, koordinimin dhe efikasitetin në luftën kundër krimit në të dyja shtetet”, tha Prokuroria kosovare.

Sipas njoftimit, palët u pajtuan se forcimi i bashkëpunimit dhe bashkërendimi ndërmjet dy prokurorive në fushën e drejtësisë penale është thelbësor për përballimin e sfidave të përbashkëta dhe trajtimin e çështjeve me interes të ndërsjellë.

Autoritetet kosovare dhe ato shqiptare kanë kryer operacione të përbashkëta kundër krimit të organizuar në të kaluarën.

Ato kishin shkatërruar një grup të trafikut të armëve që vepronte në të dy vendet gjatë një operacioni në vitin 2024, i cili ishte mbështetur edhe nga Eurojust dhe Europol.

Të dyshuarit ishin përgjegjës për furnizimin, transportin dhe shitjen e armëve dhe materialeve shpërthyese, duke krijuar një rrugë të ndërlikuar importi dhe eksporti drejt Bashkimit Evropian.

Gjatë atij operacionit të përbashkët më 2024 ishin arrestuar 14 të dyshuar në Shqipëri dhe Kosovë.

Puna e SPAK-ut në vitet e fundit është mbështetur dhe përshëndetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Vetëvendosje e dërgon në Kushtetuese dekretin e Osmanit, Presidenca pret vendimin

Published

on

Partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje (LVV) është ankuar zyrtarisht në Gjykatën Kushtetuese kundër dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, teksa Presidenca njoftoi se po e pret vendimin e gjykatës më të lartë të vendit para se të vendosë të shpallë apo jo datën për zgjedhjet e reja.

Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, njoftoi në Facebook të hënën se krahas kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit, i kanë kërkuar Gjykatës ta pezullojë përkohësisht dekretin e presidentes deri në nxjerrjen e aktgjykimit përfundimtar.

“Është e qartë se Presidentja e Republikës nuk ka të drejtë diskrecionale për të ndërhyrë në funksionimin e pushtetit legjislativ, e aq më pak për të ndërmarrë veprime që çojnë në shpërndarjen e Kuvendit”, shkroi ajo.

Osmani e nxori më 6 mars dekretin për ta shpërndarë Kuvendin, gjë që do ta çonte vendin e zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Presidentja ende nuk e ka nënshkruar dekretin për datën e zgjedhjeve sepse është në pritje të vendimit të Kushtetueses, tha të hënën këshilltari i saj për media, Bekim Kupina.

“Nëse Gjykata Kushtetuese e vlerëson si të nevojshme caktimin e një mase të përkohshme, Presidenca e mirëpret atë, duke ritheksuar se masa në asnjë moment nuk paragjykon vendimin përfundimtar të Gjykatës lidhur me kushtetutshmërinë e dekretit”, tha ai.

Osmani e ka arsyetuar këtë vendim, duke thënë se 5 marsi ka qenë afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës – meqë mandati i saj përfundon më 4 prill – por që deputetët kanë dështuar t’i përmbushin afatet ligjore.

Nagavci argumentoi se roli i presidentit në këtë proces “është strikt i kushtëzuar dhe aktivizohet vetëm në rrethanat e përcaktuara qartë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës”.

Më tej, Nagavci shtoi se “përpjekjet për të ushtruar kompetenca që nuk janë të përcaktuara qartë me Kushtetutë jo vetëm që dëmtojnë rendin kushtetues, por rrezikojnë edhe vetë funksionimin demokratik të institucioneve”.

Më herët gjatë ditës së hënë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se organi ligjvënës nuk mund ta vazhdojë punon derisa Kushtetuesja të nxjerrë një vendim.

Partia në pushtet thirret në nene të tjera të Kushtetutës dhe beson që dekreti nuk ka bazë, meqë procedurat për zgjedhjen e presidentit i ka nisur më 5 mars dhe ka afat prej 60 ditësh për ta finalizuar procesin.

Osmani, në anën tjetër, ngul këmbë se afati 60-ditor do të duhej të shfrytëzohej para 5 marsit dhe ajo e mbajti menjëherë një takim partitë politike për të folur për datën e zgjedhje të parakohshme.

Në takim morën pjesë kryetarë të partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, por jo edhe partia e kryeministrit Albin Kurti.

Në seancën e 5 marsit, Lëvizja Vetëvendosje i paraqiti dy kandidatë për president: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxhën.

Seanca u ndërprerë në mungesë kuorumi, pasi ishte braktisur nga partitë opozitare.

Disa juristë kanë interpretuar se Kuvendi do të duhet ta zgjedhë presidentin brenda 60 ditësh nga fillimi i seancës për zgjedhjen e presidentit.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, tha për Radion Evropa e Lirë më 6 mars se dekreti i Osmanit ishte “jokushtetues”.

Sipas tij, Osmani nuk kishte të drejtë ta shpërndante Kuvendin dhe se deputetët, nga 5 marsi, kanë 60 ditë kohë për ta zgjedhur presidentit.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

Për partitë opozitare, dy figurat e prezantuara nga LVV-ja kanë qenë të papranueshme dhe ato kanë ngulur këmbë në marrëveshje politike ose të prezantohet një figurë konsensuale.

Palët kanë zhvilluar disa runde bisedimesh në javët e fundit, mirëpo nuk kanë arritur pajtueshmëri.

Vetë Osmani e ka synuar edhe një mandat të dytë, mirëpo emrin e saj nuk e ka propozuar askush. Për LVV-në ajo nuk i ka pasur votat e nevojshme, ndërsa për partitë tjera ajo nuk e ka personifikuar unitetin e nevojshëm që i duhet figurës së presidentit.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Rashiq korrigjon deklaratën për tokën e Manastirit të Deçanit

Published

on

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, e tërhoqi deklaratën e tij se kryeministri Albin Kurti, për shkak të tij, i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës në mars të vitit 2024 të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese nga viti 2016 për kthimin e tokës te Manastiri i Deçanit.

Në një intervistë për radion lokale, Radio Gorazhdevci, Rashiq tha se Kurti i ka thënë atëkohë: “Këtë e kemi bërë për ty”.

“Deklarata ime nuk ishte plotësisht e saktë, sepse e ngatërrova atë fjali me një bisedë që ndodhi më parë, kur miratova vizitën e Patriarkut serb. Gabimi im ishte i paqëllimshëm dhe ndërrimi i ngjarjeve ndodhi sepse kanë kaluar disa vite që nga ajo kohë”, tha Rashiq në reagimin dërguar mediave.

Deklarata e Rashiqit se 24 hektarë tokë iu kthyen Manastirit të Deçanit për shkak të tij, nxiti reagime të shumta, ndërsa zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka, e mohoi menjëherë atë.

Ai deklaroi se çështja e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, u sqarua qartë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës dhe në konferencën për shtyp më pas, dhe se ishte kusht i Këshillit të Evropës kur Kosova aplikoi për anëtarësim në këtë organizatë.

“Ajo çka ka ngatërruar ministri Nenad Rashiq, është pranimi i kërkesës së tij për vizitë të Patriarkut Porfirije, për Krishtlindjet ortodokse të vitit 2023, siç mund ta shihni në fotografinë më poshtë”, shkroi Manxhuka në një postim në llogarinë e tij në Facebook.

Enver Hoxhaj, nga Partia Demokratike e Kosovës në opozitë, vlerësoi se deklarata e Rashiqit tregon se Qeveria e Kurtit ndjek politika me “logjikë feudale”, sepse territori i shtetit trajtohet si pronë që jepet “për hatër” të dikujt.

Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës në opozitë, Driton Selmanaj, e përshkroi deklaratën e Rashiqit si “shqetësuese”, sepse tregon, sipas tij, se Qeveria aktuale e trajton pronën shtetërore si pronë personale.

“Çështje kaq të ndjeshme, që lidhen me territorin dhe pronën në Republikën e Kosovës, nuk mund të trajtohen si favore personale mes politikanësh”, shkroi Selmanaj.

Për vite me radhë, autoritetet lokale në Deçan refuzuan t’i lejonin Manastirit të regjistronte 24 hektarë tokë dhe pyje në kadastër, duke konsideruar se prona u përkiste ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria”.

Atëkohë, vlerësohej se Gjykata Kushtetuese kishte “legalizuar” vendimin e ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, të vitit 1997, kur ai vendosi t’ia dhuronte pronën Manastirit të Deçanit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas vendimit që tokat t’i ktheheshin Manastirit të Deçanit, tha se qëndrimi i tij ndaj “këtij vendimi më të dëmshëm ndonjëherë” nuk do të ndryshojë.

Megjithatë, ai shtoi se nuk ka asnjë dyshim që anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës “nuk do të ishte vetëm një fitore historike, por edhe një hap gjigant” drejt njohjes së Kosovës nga pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë marrë ende një vendim të tillë.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending