Connect with us

Kosovë

Rizvanolli hapë thirrjen e dytë për subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje

Published

on

Ministrja e Ekonomisë në Kosovë, Artane Rizvanolli, ka prezantuar të premten rundin e dytë për ndarjen e subvencioneve për qytetarët që blejnë pajisje efiçiente për ngrohje.

Në një konferencë për media, Rizvavolli, ka thënë se pas shqetësimeve të qytetarëve, është vendosur që të ndërhyhet në disa kritere ku njëkohësisht janë shtuar edhe disa kategori tjera.

 “Tani në thirrjen e dytë përveç kritereve që kanë qenë janë edhe ndryshimet në vijim. Qytetarët që janë në skemën sociale, është rritur subvencioni për inverter nga 40% me maksimum 400 euro, deri në 60% të vlerës ose jo më shumë se 550 euro. Për stufat individuale me biomasë dhe për klimat inverter, këtyre kategorive do të mundësohet që të aplikojnë me profaturë. Jemi në komunikim me komunat dhe qendrat sociale, në mënyrë që qendrat për punë sociale të shohin mundësitë për t’u ofruar mbështetje qytetarëve gjatë aplikimit ne e-Kosova. Për nënat vetushqyese kemi paraparë subvencion më të lartë për stufat individuale me biomasë deri në 90% e vlerës investime jo më shumë se 560 euro”, ka thënë Rizvanolli.

Rizvanolli qartësoi se në rundin e dytë mund të aplikojnë edhe të gjithë individët që kanë aplikuar në fazën e parë, e që nuk kanë arritur të montojnë pajisjet e tyre në kohë.

Për më shumë, në këtë rund janë përfshirë edhe konsumatorët që kanë harxhuar më pak se 800 kilovat energji elektrike dhe se për këtë kategori, mjafton që konsumatorët të kenë orën të regjistruar nga

1 nëntori 2021 deri më 31 tetor 2022 dhe do të mund të përfitojnë subvencione.

Ministrja e ekonomisë gjithashtu bëri të ditur se vitin e ardhshëm do të subvencionojnë edhe izolimet e kulmeve dhe ndërrimin e dyerve e dritareve.

Ne qysh nga viti në vijim do të fillojmë me skema më të mëdha të efiçiencës së energjisë që përfshijnë termoizolime, izolime të kulmeve, ndërrim të dyerve dhe dritareve, por edhe pajisje efiçiente për ngrohje siç kemi bërë sivjet. Plani është që gjatë vitit tjetër 30 milionë euro së paku t’i investojmë në efiçiencë të energjisë në programe të reja e kam fjalën, përveç programeve ekzistuese që janë dhjetëra miliona në programet e efiçiencës në ndërtesa publike”, ka thënë Rizvanolli.

Sipas ministres Rizvanolli afati për aplikim në fazë e parë do të jetë i hapur nga sot deri më 25 nëntor, ndërsa afati i fundit për fazën e dytë është më 9 dhjetor 2022.

Kosovë

Nesër do të mbahet seanca për Qeverinë e re të Kosovës

Published

on

Të mërkurën e 19 nëntorit është caktuar që të mbahet seanca e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës.

Ajo do të nisë në orën 14:00.

Ndërkaq, në orën 11:00 është thirrur një seancë tjetër me disa pika të rendit të ditës, sikurse janë formimi i komisioneve parlamentare, më pas shqyrtimi i parë i projektligjit për ndarjet buxhetore, miratimi i buxhetit për tri komuna të Kosovës (Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok), çështja e financimit të Radio Televizionit të Kosovës dhe ratifikimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare.

Seanca për Qeverinë mbahet në ditën e fundit të mandatit kushtetues, pasi presidentja Vjosa Osmani, mandatoi më 4 nëntor Glauk Konjufcën nga Lëvizja Vetëvendosje për formimin e ekzekutivit të ri.

Sipas praktikave, Konjufca pritet të paraqesë një ekspoze para 120 deputetëve dhe të prezantojë kabinetin e ri qeverisës, për votimin e të cilit kërkohen të paktën 61 vota.

Pas propozimit si mandatar nga LVV-ja, Konjufca tha se dëshiron bashkëpunim me partitë parlamentare, por jo edhe ndonjë marrëveshje koalicioni.

Ai tha se kërkon mbështetjen e deputetëve për Qeverinë e tij, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet parlamentare në dhjetor dhe që vendi të ketë ekzekutiv “së paku” deri në prill, kur duhet të zgjidhet presidenti i ri i vendit.

Ndërkaq, kreu i LVV-së, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk sheh as “mundësi teorike” që të arrihet një koalicion me partitë e tjera shqiptare, të cilat, sipas tij, kanë “ndërtuar një urrejtje hibride ndaj meje”.

Gjatë propozimit të Konjufcës për mandatar, Kurti tha se ai do të marrë postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm dhe Diasporës – post, që Kurti e kishte propozuar Konjufcën në ekzekutivin e propozuar më 26 tetor. Atëkohë, Kurti dështoi të siguronte 61 votat e nevojshme të deputetëve.

Kurti ishte mandatuar më 11 tetor nga Osmani për të formuar ekzekutivin e ri.

Mandatari i parë për kryeministër, sipas Kushtetutës i takon partisë së parë.

Pas dekretimit të Konjufcës, Osmani tha se partitë e tjera të mëdha shqiptare nuk kishin emër për mandatar, duke shtuar se në Kushtetutë thuhet se nëse ka emër të propozuar për mandatarin e dytë, presidentja duhet ta emërojë atë, e nuk ka hapësirë që të refuzojë emërimin e tij.

LVV-ja i ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk ka siguruar ulëse të mjaftueshme në Kuvend që do t’i mundësonin që të formonte Qeverinë pa bashkëpunim me partitë e tjera.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 24 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 20, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pesë dhe tre deputetë ka Nisma Socialdemokrate, që në zgjedhje garoi në listë të përbashkët me AAK-në.

Lista Serbe ka nëntë nga dhjetë ulëset e garantuara për minoritetin serb, një e ka partia e Nenad Rashiqit dhe dhjetë ulëse të tjera i kanë fituar përfaqësuesit e minoriteteve të tjera.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Bedri Hamza është zgjedhur kryetar i ri i PDK-së

Published

on

Bedri Hamza u zgjodh kryetar i ri i Partisë Demokratike të Kosovës.

Në konventën e mbajtur sot në Prishtinë, Hamza u zgjodh me votim të hapur pasi nuk kishte kundër kandidat tjetër.

Zgjedhja e tij vjen pasi Memli Krasniqi ditë më parë dha dorëheqje nga kreu i partisë.

Pas zgjedhjes, Hamza falënderoi delegatët dhe bashkëpartiakët e tij për besimin e dhënë.

“Sot më dhatë një përgjegjësi të madhe, një nder të jashtëzakonshëm dhe një detyrë që e pranoj me nder dhe përkushtim të plotë. Falë punës, sakrificës dhe besimit tuaj, PDK-ja vazhdon të jetë shtëpia jonë e përbashkët”, ka thënë Hamza duke premtuar hapjen e partisë për kuadro të reja, forcimin e strukturave partiake, ndërtimin e frymës së bashkëpunimit dhe të përgjegjësisë.

Bedri Hamza, 62 vjeç, dy herë ka shërbyer si ministër i Financave i Kosovës dhe në katër vjetët e fundit ishte kryetar i Mitrovicës së Jugut.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare ai ishte kandidati i PDK-së për kryeministër.

Continue Reading

Kosovë

Clark: Thaçi nuk ishte përgjegjës në UÇK

Published

on

Wesley Clark u pyet nga avokati i Thaçit për takimin me komandantin Çeku dhe komandantët lokalë të UÇK-së për çështjen e demilirarizimit.

Ai u pyet nëse Thaçi kishte ndikim të kufizuar ndaj komandantëve lokalë, dhe ai u përgjigj me po.

“Më kujtohet që e kam parë Thaçin. Ishte i veshur mirë, dukej më perëndimor se të tjetër. Nuk duhej se kishte qenë në mal duke luftuar. Ishte e qartë se nuk ishte përgjegjës aty, nuk komandonte aty”, tha Clark.

“Ai [Thaçi] ishte aty. Ishte njëri prej personave që e njihja më mirë. Nuk e kisha takuar më parë me Çekun. Por nuk mund të merresha përmes Thaçit. Ai nuk ishte përgjegjës”, shtoi ai.

Sipas tij, UÇK-ja nuk ishte një ushtri e organizuar, por kishte grupe luftëtarësh në nivel rajonal dhe lokal “që ishin mbledhur për të mbrojtur komunitetet e tyre”.

Clark: UÇK-ja nuk kishte zinxhir komandues

Më shumë lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Clark theksoi se nuk ka pasur kontroll civil mbi UÇK-në.

Ndërsa i pyetur nëse ka qenë e mundur që UÇK-ja të ketë pasur zinxhir komandues funksional me hierarki të plotë e NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara të mos e kenë ditur, Clark tha shkurtimisht: “Jo”.

Clark: Nuk kishte shumë informacion për UÇK-në më 1998

Tani Misetiq po e pyet Clarkun se sa shumë dinte ai në verën dhe vjeshtën e 1998-tës për strukturën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Clark theksoi se “nuk kishte shumë informacione, nuk kishte shumë gjëra për të folur për sa i takon komandës”.

“Më sa dinim ne bëhej fjalë për grupe lokale, që ishin krijuar pak a shumë si përgjigje ndaj shtypjes serbe ndër vite. Në veçanti, pas vrasjes së familjes Jashari, u krijua në alarmi i përgjithshëm dhe për këtë arsye njerëzit gjithnjë e më tepër po i formonin këto grupe lokale. Kaq dinim ne”, tha ai.

Ai tha se asokohe “unë sigurisht mora më shumë informata lidhur me UÇK-në nga serbët, sesa nga forcat tona”.

“Serbët kishin pika në identifikuar në hartë, të cilat i identifikonin si të ashtuquajtura pika terroriste. Ata po mundoheshin të grumbullonin informacione në to, por shumica e njerëzve në këto grupe kishin shtëpi dhe familje. Ata mundoheshin ta jetonin jetën e tyre dhe ta mbronin familjen dhe veten”, dëshmoi Clark.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending