Connect with us

Kosovë

Kurti thotë se Radoiçiq po përgatit sulme të reja ndaj Kosovës

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Millan Radoiçiq, po përgatit sulme të reja ndaj Kosovës.

Ai këto komente i bëri gjatë një konference për media së bashku me ministrin e tij të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Kurti, pa dhënë dëshmi, tha se sulmet e reja po përgatiten nga pjesëtarët e grupit që kryen sulmin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe tre sulmues.

Sipas Kurtit, Radoiçiq mban takime të rregullta me inteligjencën serbe dhe se pjesëtarët e grupit të tij, paguhen 2.000 euro në muaj, ndërkaq bashkëshortet e tyre, që gjenden në Kosovë, po punësohen, në mënyrë, që sipas tij, të mos ketë pakënaqësi.

Ai përmendi disa lokacione në Serbi, përfshirë poligone ushtarake, ku pretendoi se po stërviten pjesëtarët e grupit të Radoiçiqit.

Kurti tha se kumtimi i urdhrit për sulmin në Banjskë, ishte dhënë në ambientet e kompanisë Novi Pazar Put, në pronësi të Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, që kanë qenë partnerë biznesi të Radoiçiqit.

“Pas sulmit terrorist, Millan Radoiçiq u lirua nga gjykata serbe në kohë rekorde. Ai tash po vazhdon përgatitjet për sulme tjera në Kosovë, bashkë disa pjesëtarë të organizatës terroriste ‘Mbrojtja Civile’. Radoiçiq është duke mbajtur takime të rregullta me zyrtarë të lartë të BIA-s. Ambientet e firmës, Jabllanovica në Rashkë, si ato të Novi Pazar Put, po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve eksplozive për sulmet e ardhshme nga Radoiçiq dhe grupi i tij. Realisht, në këtë ndërtesë strehohen disa anëtarë të ‘Mbrojtjes Civile’, që kryejnë vëzhgime në territorin e Kosovës”, tha Kurti.

Sipas tij, automjetet dhe armët e përdorura në Banjskë, janë dërguar në kompaninë Novi Pazar Put.

Kurti pretendoi se një grup prej 80 personash që janë larguar nga Kosova po vazhdojnë ushtrimet në poligonin Zimovnik, afër Rashkës, dhe se stërvitjet po drejtohen nga ushtarakët serbë në pension.

Po ashtu, ai përmendi edhe poligonin e ushtrisë serbe në Peshter, ku sipas tij, kanë rinisur ushtrimet e një grupi prej 60 personash të “Mbrojtjes Civile”, që Kurti tha se kanë marrë pjesë në sulmin në Banjskë.

“Ky grup kishte planifikuar sulme ndaj Policisë tonë pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi në lokacionet kufitare që lidhen me rrugët ilegale alternative”, tha Kurti, duke thënë se ky grup përbëhet prej njerëzve të besueshëm të Radoiçiqit.

“Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” në Kosovë cilësohen organizata terroriste dhe autoritetet kanë thënë se ato veprojnë në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Kurti po ashtu përmendi një plan për një sulm në nëntor për, siç tha, rimarrjen e vilës së Radoiçiqit afër Liqenit të Ujmanit, që autoritetet kosovare sekuestruan pas sulmit të 24 shtatorit.

Planet kanë ndryshuar për shkak të zgjedhjeve në Serbi, tha Kurti, duke shtuar se ato janë të destinuara që të dështojnë.

Ai tha se Kosova, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, është e përgatitur që të zmbrapsë sulme të tilla.

Kryeministri kosovar po ashtu tha se Rajska Banja, që ditëve të fundit u mor nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, është përdorur gjatë sulmit në Banjskë.

Sveçla, ndërkaq, bëri një kronologji të gjithë ngjarjes që ndodhi më 24 shtator. Ai paraqiti fotografi, harta dhe pamje të shkëputura nga droni, për vendndodhjen dhe lëvizjen e pjesëtarëve që sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë.

Ai madje paraqiti informacione për të dyshuarit e sulmit, duke publikuar fotografi dhe informacione të tjera personale për ta.

Sveçla tha se që nga viti 2021 deri më tani, Policia e Kosovës ka qenë cak i 114 sulmeve në veri, kryesisht të kryera nga grupi, që sipas tij, kreu sulmin në Banjskë.

Kosova sulmin në Banjskë e konsideron terrorist dhe e fajëson Serbinë për të. Beogradi mohon përfshirjen në këtë ngjarje.

/REL/

Kosovë

Aktakuzë ndaj gjashtë personave për ngritjen e barrikadave në veri më 2022

Published

on

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, të cilët tha se dyshohen për veprat penale kundër rendit kushtetues. Rasti ka të bëjë me ngritjen e bllokadave komunat veriore të Kosovës – të banuara me shumicë serbe – më 10 dhjetor 2022, të cilat ishin larguar më 29 dhjetor të atij viti.

Prokuroria Speciale tha se D.M., D.D., M.R., N.J., N.O., dhe S.V., nga 10 dhjetori deri më 29 dhjetor në komunat veriore të Kosovës, “duke vepruar në bashkëkryerje dhe përmes përdorimit të forcës dhe dhunës, kanë penguar institucionet e Republikës së Kosovës në vendosjen e rendit kushtetues, ushtrimin e autoritetit shtetëror dhe kryerjen e detyrave zyrtare në këto komuna”.

Sipas organit ndjekës, ndaj 11 personave të tjerë të identifikuar me iniciale M.R., A.S., A.F., A.J., R.S., S.A., D.V., S.P., V.R., M.R., dhe M.R., janë pezulluar hetimet, “pasi ata deri më tani janë të paarritshëm” për organet e drejtësisë së Kosovës.

Të gjashtë të akuzuarit, tha Prokuroria, dyshohet se kanë bllokuar rrugët kryesore me mjete të forta, përfshirë kamionë të mbushur me zhavorr, ekskavatorë, autoambulanca, autobusë dhe automjete të tjera.

“Po ashtu, nga veprimet e tyre rezulton se, në rast të ndërhyrjes së Policisë së Kosovës për largimin e barrikadave dhe rivendosjen e lirisë së lëvizjes, pjesëtarët e grupit kanë qenë të gatshëm t’i sulmonin zyrtarët policorë me mjetet që kishin në dispozicion”, tha Prokuroria Speciale përmes një njoftimi.

Ata dyshohen për veprat penale: Bashkim për veprimtari kundërkushtetues me qëllim të të sulmit kundër Rendit Kushtetues të Republikës se Kosovës dhe pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.

Çfarë kishte ndodhur dhjetorin e vitit 2022 në veri?

Më 6 dhjetor të vitit 2022, në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut ishin hedhur dy mjete shpërthyese, por vetëm njëra kishte shpërthyer.

Zyrtarët zgjedhorë në atë kohë po organizonin mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, pas tërheqjes së kryetarëve serbë në katër komunat në veri, që vinin nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – në shenjë pakënaqësie ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato RKS – Republika e Kosovës. Për shkak të tensioneve, votimet u shtyn për prillin e vitit pasues.

Për shkak të sulmit ndaj zyrave të KQZ-së, autoritetet kishin arrestuar ish-pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, më 9 dhjetor në pikën kufitare të Jarinjës, e cila e lidh Kosovën me Serbinë.

Arrestimi i tij rriti edhe më shumë tensionet, me serbët lokalë që më pas ngritën barrikada.

Në atë kohë, Serbia kishte vendosur në gatishmëri ushtrinë dhe kishte rritur praninë ushtarake në vijën kufitare me Kosovën, përkatësisht në Rashkë të Serbisë.

Barrikadat ishin larguar më 29 dhjetor, pas ndryshimit të masës së sigurisë së Pantiqit nga paraburgim në arrest shtëpiak.

Për sulmin ndaj zyrave të KQZ-së, më 2025 janë dënuar me gjithsej 12 vjet burgim tre persona, përfshirë edhe ish-polici i Kosovës, Dejan Pantiq.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Numërimi i votave përfundon në 13 komuna

Published

on

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë ka përfunduar në 13 komuna derisa ky proces po vazhdon edhe më tej në 25 komuna të tjera të vendit

Sipas KQZ-së, procesi i numërimit është përmbyllur në Obiliq, Shtime, Junik, Han të Elezit, Mamushë, Shtërpcë, Partesh, Zveçan, Zubin Potok, Kllokot, Novobërdë, Ranillug dhe Mitrovicë të Veriut.

Njëkohësisht, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht nga votimi përmes postës, që deri më tani janë sjellë në Kosovë.

Deri më tani (e mërkurë, 10 qershor 2026, ora 10:00) nga pjesa më e madhe e pakove që janë sjellë në Kosovë, procesit të vlerësimit i janë nënshtruar më shumë se 7 mijë, prej të cilave janë aprovuar 7,153, ndërkaq janë refuzuar 142 pako.

Nga pakot e refuzuara deri tani, në 114 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ.

Në fund të këtij procesi të vlerësimit, KQZ do të publikojë të dhënat për numrin e pakove me fletëvotime të supozuara, të cilat do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Continue Reading

Kosovë

Numërohen rreth 20% të votave të kandidatëve për deputetë

Published

on

Me procesimin e  19.78% të votave (09.06.2026 ora 10:05), Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë ka përfunduar në Junik, Shtërpcë, Han të Elezit dhe Mamushë.

Nga rezultatet e deritanishme, në 10-shën e parë të deputetëve më të votuar tek lista e Vetëvendosjes renditen Albin Kurti, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Donika Gërvalla, Xhelal Sveçla, Avni Dehari, Mimoza Kusari-Lila, Hajrulla Çeku dhe Ejup Maqedonci.

Sipas rezultateve preliminare, në të cilat nuk janë përfshirë votat nga vendvotimet me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe ato të votimit jashtë Kosovës, Vetëvendosje pritet t’i marrë 48 ulëse në Kuvend.

Në listën e PDK-së, e cila pritet t’i ketë 24 ulëse, i prijnë Bedri Hamza, Përparim Gruda, Arian Tahiri, Uran Ismaili, Sala Jashari, Vlora Çitaku, Ganimete Musliu, Arben Mustafa, Mërgim Lushtaku dhe Enver Hoxhaj.

Listës së kandidatëve më të votuar të LDK-së i prijnë Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku, Doarsa Kica-Xhelili, Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Ukë Rugova, Kujtim Shala, Anton Quni, Lutfi Haziri dhe Armend Zemaj. LDK pritet t’i ketë 20 deputetë.

Listës së më të votuarve të AAK-së, i prijnë  Ardian Gjini, Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Besnik Tahiri, Bekë Berisha, Burim Ramadani, Time Kadrijaj, Agim Çeku, Arbër Tolaj dhe Albana Bytyqi. Sipas rezultateve preliminare, Aleanca pritet t’i ketë 8 deputetë.

Continue Reading

Trending