Connect with us

Kosovë

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia planifikojnë blerje të përbashkët të armëve amerikane

Published

on

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia po punojnë për ta konkretizuar në praktikë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes për të cilin u dakorduan në letër para rreth pesë muajsh, kur ministrat e Mbrojtjes nënshkruan një deklaratë të përbashkët më 18 mars në Tiranë.

Ministritë e Mbrojtjes nga Kosova dhe Shqipëria konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se grupe të ekspertëve po punojnë për planin e zbatimit të deklaratës.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, thotë se më 18 korrik në Tiranë është mbajtur takimi i grupit zbatues “për ta zbërthyer planin në nivel operacional”.

Nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, e cila ishte mikpritëse e ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, thanë se në shtator të këtij viti do t’u paraqitet për miratim ministrive të Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë udhëzuesi i cili është drejt finalizimit.

Në deklaratën që u nënshkrua nga ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ai i Shqipërisë, Pirro Vengu, dhe i Kroacisë, Ivan Anushiq, u vendosën katër pika bashkëpunimi: Promovimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimi për industrinë përkatëse; Rritja e ndërveprueshmërisë nëpërmjet edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve; Kundërpërgjigja ndaj kërcënimeve hibride dhe rritja e qëndrueshmërisë; Ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin euroatlantik.

Në tekstin e deklaratës u tha se ky bashkëpunim është për të siguruar pozicionim të mirë për t’u bërë ballë kërcënimeve dhe për të arritur objektivat e mbrojtjes dhe sigurisë.

Blerjet e përbashkëta të armatimit

Blerja e kapaciteteve mbrojtëse është angazhimi i parë në deklaratë për të cilën u zotuan ministrat e Mbrojtjes.

Në këtë aspekt, sipas Maqedoncit, synohet që të bëhet një porosi për blerje, në vend të tri porosive të veçanta nga secili shtet.

“Për shembull një sistem [armësh] që jemi të interesuar të tri shtetet ta blejmë nga SHBA-ja, ta bëjmë porosinë si një blerje, duke shfrytëzuar legjislaturën e secilit vend, por që sasia dhe koha e liferimit të determinohet si e përbashkët, sepse prej SHBA-së kur blen më shumë, kushtojnë më lirë dhe vijnë më shpejt”, thotë Maqedonci për Radion Evropa e Lirë.

Këto blerje parashihet të bëhen me fonde kombëtare të secilit shtet.

Maqedonci pret që shtetet partnere në këtë marrëveshje do të ndihmojnë Kosovën drejt integrimit euroatlantik, siç thotë se zotohen në deklaratë, në mënyrë specifike sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Partneritetin për Paqe të NATO-s.

Muaj më parë Qeveria kroate i kishte thënë Radios Evropa e Lirë se kësaj nisme mund t’i bashkohen të gjitha vendet që, po ashtu, duan t’i ofrojnë mbështetje Kosovës dhe Shqipërisë në rrugën e tyre evropiane dhe euroatlantike.

Deri më tani zyrtarisht nuk është njoftuar ende nëse këtij bashkëpunimi do t’i bashkohet edhe ndonjë shtet tjetër.

Qëllim i bashkëpunimit, sipas Qeverisë kroate, “nuk është krijimi i ndonjë aleance ushtarake”.

“Një aleancë e tillë – përveç anëtarësimit në NATO – as që është e nevojshme”, kishte thënë Qeveria kroate në mars të këtij viti.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, thotë se do ta shfrytëzojnë takimin radhës të Kartës SHBA-Adriatik [A5] që pritet të mbahet në tetor të këtij viti, për t’iu kërkuar partnerëve rajonalë të bashkohen.

Anëtare të Kartës së Adriatikut janë Shqipëria, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina, kurse Kosova mban statusin e vëzhguesit.

Pritjet nga marrëveshja

Përveç bashkëpunimit në industrinë e armatimit, shtetet pritet të kryejnë stërvitje ushtarake dypalëshe dhe trepalëshe si dhe të bashkëpunojnë në rekrutimin e personelit duke rritur mundësitë e edukimit përmes akademive dhe kolegjeve ushtarake.

Gjithashtu pritet të ketë një angazhim të përbashkët për të luftuar kërcënimet hibride “duke përfshirë kërcënimet kibernetike, fushatat e dezinformimit, si dhe ndikimin dashakeq të huaj që mund të komprometojë ose të ndikojë në sigurinë kombëtare dhe rajonale”.

Parashihet që ndërmjet shteteve partnere në këtë marrëveshje të shkëmbehen informacione dhe shërbime inteligjente për të parandaluar sfidat e përbashkëta.

Maqedonci thotë se kjo marrëveshje u mirëprit në Pentagon, kur ai zhvilloi një vizitë në SHBA në muajin qershor të këtij viti.

“E kanë parë si një mundësi të mirë të bashkëpunimit regjional për të adresuar sfidat”, thotë ai, duke shtuar se mbështetje kanë marrë edhe nga shumë shtete të NATO-s, pa specifikuar se për cilat shtete bëhet fjalë.

Megjithatë kundër këtij bashkëpunimi kishte dalë Serbia, presidenti i së cilës, Aleksandar Vuçiq, tha se po shkelet marrëveshja nënrajonale e vitit 1996.

Kjo marrëveshje, e cila ka të bëjë me kuotat e lejuara në armatim, u nënshkrua atëkohë nga dy entitetet e Bosnje e Hercegovinës – Federata e Bosnje e Hercegovinës dhe Republika Sërpska, si dhe nga Kroacia dhe nga Republika Federale e Jugosllavisë, e cila përbëhej nga Serbia dhe Mali i Zi.

Disa ditë pas nënshkrimit të deklaratës së bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, Serbia dhe Hungaria nënshkruan një dokument që konkretizon marrëveshjen për bashkëpunim strategjik në fushën e mbrojtjes të arritur në vitin 2023.

Vuçiq, asokohe, deklaroi se besonte që kjo marrëveshje do të pasohej me një afrim të mëtejshëm drejt krijimit të një aleance ushtarake midis Serbisë dhe Hungarisë.

\ Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Vërshime në disa rrugë në Kosovë

Published

on

Ministria e Infrastrukturës njoftoi se në disa rrugë të Kosovës ka probleme për shkak të reshjeve të shiut. Ndërkaq, Agjencia për Menaxhim Emergjent dha detaje të tjera për rrugët që janë vërshuar pas reshjeve të shiut.

Një segment i rrugës nacionale Ferizaj-Prishtinë u mbyll për qarkullim për automjete më 10 janar, për një kohë të caktuar për shkak të ujit të madh në rrugë, tha Ministria e Infrastrukturës dhe Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës tha se segmenti që kalon nëpër fshatin Llapnasellë, segmenti nga rrethi i “Prishtina Mall” në drejtim të Prishtinës dhe segmenti nga rrethi i “Marigona” në drejtim të Ferizajt, është mbyllur plotësisht për qarkullimin e automjeteve, “për një kohë të caktuar”.

“Ky veprim është ndërmarrë si masë e domosdoshme për mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve dhe parandalimin e rrezikut në trafik”, u tha në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës ky segment do të hapet për qarkullim brenda ditës.

Ajo tregoi se edhe në nënkalimin në Mazgit, në drejtim të autostradës, ka grumbullim të ujit “si pasojë e bllokimit të kanalit atmosferik”, duke shtuar se po punohet që të zhbllokohet rruga.

Ministria e Infrastrukturës tha se në autostradën “Ibrahim Rugova” ka rrëshqitje të dheut.

Në Sllatinë, në rrugën Fushë Kosovë -Gjurgjicë, sipas njoftimit, gjithashtu ka grumbullim të ujit në rrugë.

“Në rrugën Zhur–Dragash kemi lëvizje të trupit të rrugës. Është vendosur sinjalizimi përkatës dhe aktualisht qarkullimi zhvillohet në një shirit”, u tha në njoftim.

Kjo ministri kërkoi nga qytetarët që të evitojnë këto rrugë deri në sanimin e plotë të problemeve.

Agjencia për Menaxhim Emergjent tha se situata është e qëndrueshme dhe e menaxhueshme.

Ky institucion raportoi për vërshime në dy rrugë në Prishtinë, në fshatin Smallush të Lipjanit, vërshime në rrugën Shtime-Reçak, në Graçanicë afër një qendre tregtare.

Në Mitrovicë ndërkaq është evakuuar një familje, ndërkaq ka pasur intervenime edhe në pjesë të tjera të Kosovës si pasojë e grumbullimit të ujit.

Mëngjesin e 10 janarit, Kosova është përballur me reshje të shiut, teksa Instituti Meteorologjik i Kosovës ka paraparë që më vonë gjatë ditës, me uljen e temperaturave, të ketë edhe reshje bore.

Ditëve të fundit, për shkak të reshjeve të shiut, disa zona në Kosovë u përballën me vërshime që shkaktuan dëme në pronat private dhe në infrastrukturën rrugore.

Po ashtu, për shkak të vërshimeve, disa zona kanë pasur probleme me energji elektrike dhe furnizim me ujë të pijshëm, teksa Ministria e Arsimit ka vendosur që të shtyjë për 12 janar rinisjen e vitit shkollor pas pushimit dimëror.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Aksion në disa rajone të Kosovës, raportohet për të arrestuar

Published

on

Krimet ekonomike të Policisë së Kosovës, të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Prizren, janë duke realizuar një aksion në disa rajone të Kosovës.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, tha shkurt për Radion Evropa e Lirë se cak i këtij aksioni janë “mbi 40 të dyshuar, në pothuajse të gjitha rajonet e Kosovës”.

Betimi për Drejtësi – ueb-faqe e specializuar për fushën e sundimit të ligjit – duke u thirrur në burime raportoi se gjatë aksionit janë arrestuar disa persona në rajonet e Prizrenit, Prishtinës, Pejës, Gjilanit, Ferizajt, Mitrovicës dhe Gjakovës.

Në mesin e të arrestuarve, sipas Betimit për Drejtësi, janë Sami Mazreku, ish-drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe ish-drejtori i Financave i kësaj byroje, Valon Berisha.

Raportohet se aksioni po zhvillohet lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale: “keqpërdorim i besimit”, “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomike”, “ndihmë në keqpërdorim të besimit” dhe “falsifikim të dokumentit”.

Në këtë aksion thuhet se janë përfshirë një numër i madh i prokurorëve dhe policëve.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Numërimi i votave me postë drejt fundit, Vetëvendosje merr mbi 72% të tyre

Published

on

Në përditësimin e fundit të faqes së rezultateve zgjedhore të KQZ-së (11:50), vërehet se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë numëruar 77.92 % të votave me postë për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Nga këto vota, Lëvizja Vetëvendosje aktualisht i ka marrë 72.18%, LDK-ja 10.64%, PDK-ja 8.24 kurse AAK-ja ka marrë 4.52% të votave.

Tek faqja e rezultateve të përmbledhura ku përfshihen të gjitha votat, pas numërimit rreth 96% të votave, LVV kryeson me 50.52%,  PDK-ja është e dyta me 20.48% pasuar nga LDK-ja me 13.37% dhe AAK-ja me 5.55% të votave.

Pas përfundimit të numërimit të votave të ardhura me postë, do të fillojë edhe numërimi i atyre me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta.

Continue Reading

Trending