Connect with us

Kosovë

U.D. i Kryeprokurorit mohon bashkëpunimin me gjykatësen serbe për Reçakun

Published

on

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit i Kosovës, Besim Kelmendi, i mohoi të mërkurën raportimet se ka bashkëpunuar me gjyqtaren serbe, Danica Marinkoviq, më 1999, e cila e kishte përsipër rastin e masakrës së Reçakut.

Atëbotë, Marinkoviq punonte si gjyqtare në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, dhe e kishte cilësuar masakrën si “ngjarje të trilluar”.

Në atë masakër u vranë 45 civilë shqiptarë.

Kelmendi konfirmoi në një konferencë të jashtëzakonshme për media se gjatë ditës së mërkurë është paraqitur si dëshmitar në Prokurorinë Speciale të Kosovës lidhur me punën e tij në gjykatë në kohën kur ka ndodhur masakra.

Sipas tij, në atë periudhë ishte i punësuar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë si bashkëpunëtor profesional, duke theksuar se kryente punën e procesmbajtësit, andaj i mohoi akuzat se ishte asistent i Marinkoviqit.

Sipas tij, Marinkoviq ishte gjyqtarja që “zhduku provat për masakrën e Reçakut”.

Deklarimet e tij vijnë pas pretendimeve të medias lokale në Kosovë, Paparaci, se Kelmendi kishte qenë i përfshirë në trajtimin e rastit të Reçakut më 1999.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur t’i verifikojë pretendimet e këtij mediumi.

“Kurrë në jetën time, deri në vitin 2001 nuk kam qenë në Reçak, s’kam qenë gjyqtar, prokuror, as hetues para vitit 2000 kur jam zgjedhur për herë të parë gjyqtar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. E kisha fatin të jem gjyqtar, bashkë me dy gjyqtarë ndërkombëtarë dhe një prokuror ndërkombëtar në rastin e Reçakut, ku është akuzuar një pjesëmarrës në kryerjen e vrasjeve të Reçakut dhe i cili falë kontributit tim është shpallur fajtor dhe ka aktgjykim të formës së prerë. Ky aktgjykim ka shërbyer si provë në gjykimin ndaj kasapit të Ballkanit, Sllodoban Millosheviq”, tha Kelmendi, duke iu referuar ish-liderit serb.

“Të lexoj sot një gënjeshtër se Besim Kelmendi ishte në anën serbe në ditën e masakrës së Reçakut, kur është bërë vendshikimi, është turp i madh, gënjeshtër”, tha mes tjerash Kelmendi.

Mediumi Paparaci i ka cilësuar deklaratat e Kelmendit si sulm, dhe që ai e ka përmendur se ka punuar në gjykatë në atë kohë.

Kelmendi u pyet edhe pse u ftua si dëshmitar në Prokurorinë Speciale.

“Jam thirrur si dëshmitar sepse një person, që ka qenë prokuror në atë kohë, me emrin Ismet Shufta, kur e kanë pyetur se kush ka punuar në Gjykatë, ai ka përmendur emrat e njerëzve që i kanë rënë ndërmend. I kishte rënë në mend edhe emri im sepse sot jam U.D. i Kryeprokurorit. Nuk e di pse, sepse s’kam marrë asnjë arsyetim”, tha Kelmendi.

Ai shtoi se është i gatshëm të shkojë sërish në Prokurori për këtë rast.

“Unë sot e kam përfunduar deklaratën në Prokurorinë Speciale, por i kam thënë prokurorit të rastit sa herë që është nevoja – sepse unë i kam disa çështje që do të ndihmojnë në gjykimin e Reçakut, kam aktgjykime ku unë kam marrë pjesë dhe çfarë sjellje ka pasur dikush në atë kohë në këtë proces – dhe të gjitha i kam dorëzuar në Prokurorinë Speciale”.

Kelmendi tha se nëse vërtetohet se ai ka qenë në Reçak në janar të vitit 1999 – sikurse pretendon mediumi Paparaci – ai do të japë dorëheqje.

Për Reçakun

Pretendimet e atëhershme të gjyqtares serbe, Marinkoviq për masakrën e Reçakut, janë në linjë të njëjtë edhe me narrativin e tanishëm që kanë autoritetet serbe për këtë ngjarje.

William Walker, që gjatë vitit 1999 kishte shërbyer si shef i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) kishte dokumentuar krimet e kryera në këtë fshat.

Pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999, NATO-ja i sulmoi caqet ushtarake policore në ish-Jugosllavi.

Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, kishte mundësuar edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800.000 refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.

Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Afër 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

| Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Numërimi i votave me postë drejt fundit, Vetëvendosje merr mbi 72% të tyre

Published

on

Në përditësimin e fundit të faqes së rezultateve zgjedhore të KQZ-së (11:50), vërehet se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë numëruar 77.92 % të votave me postë për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Nga këto vota, Lëvizja Vetëvendosje aktualisht i ka marrë 72.18%, LDK-ja 10.64%, PDK-ja 8.24 kurse AAK-ja ka marrë 4.52% të votave.

Tek faqja e rezultateve të përmbledhura ku përfshihen të gjitha votat, pas numërimit rreth 96% të votave, LVV kryeson me 50.52%,  PDK-ja është e dyta me 20.48% pasuar nga LDK-ja me 13.37% dhe AAK-ja me 5.55% të votave.

Pas përfundimit të numërimit të votave të ardhura me postë, do të fillojë edhe numërimi i atyre me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta.

Continue Reading

Kosovë

Fillon numërimi i votave nga diaspora

Published

on

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ka filluar numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit në përfaqësi diplomatike.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, bëri të ditur se në përfaqësitë diplomatike fizikisht kanë votuar 16,165 persona dhe këto fletëvotime do t’i nënshtrohen numërimit. Pas përfundimit të numërimit të fletëvotimeve nga votimi fizik në përfaqësitë diplomatik, do të vazhdohet me numërimin e fletëvotimeve nga votimi përmes postës, që deri më tani janë tërhequr më shumë se 28,500 pako me fletëvotime nga dy kutitë postare jashtë vendit, ajo në Berlin (Gjermani) dhe në Bernë (Zvicër)”, tha ai.

Numri i shtetasve të regjistruar për votim me postë ka qenë rreth 58 mijë, derisa pakot e fundit të zarfeve me fletëvotime do të tërhiqen sot dhe me 5 janar 2026, tha mes tjerash Elezi.

Deri më tani numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara nga të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit është rreth 92% .

Continue Reading

Kosovë

Rashiq thotë se ka hyrë në Kuvendin e Kosovës

Published

on

Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit ka thënë të hënën se me 4.600 votat e fituara në zgjedhjet e së dielës, e ka siguruar një ulëse në Kuvendin e Kosovës për katër vjetët e ardhshme.

“Këtë besim e përjetojmë si një nder të madh, por edhe si një detyrim që të jemi edhe më të fortë, edhe më të pranishëm dhe edhe më të përkushtuar ndaj interesave të qytetarëve”, tha kjo parti në një njoftim në Facebook një ditë pas ditës së zgjedhjeve.

Më herët, të dielën në mbrëmje, Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit – pretendoi se me 90 për qind të votave të fituara të komunitetit serb, i ka fituar të gjitha 10 ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvend.

Megjithatë, kryetari i kësaj partie, Zllatan Ellek, pretendoi se Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Rashiqit “ka marrë vota në mjedise ku serbët nuk jetojnë”, dhe se janë të detyruar të presin edhe vlerësimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës.

Zyrtari i Listës Serbe, Igor Simiq, shtoi gjithashtu se po pritet edhe numërimi i votave me kusht, si dhe se janë në përpunim mbi 1.000 vota të personave të zhvendosur nga Kosova, të cilët gjithashtu kanë votuar në zgjedhjet e së dielës.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, Lista Serbe ka marrë rreth 41.800 vota. Nga subjektet serbe në zgjedhje ka marrë pjesë edhe Aleanca Kosovare e Goran Marinkoviqit, e cila ka fituar rreth 550 vota.

Sipas uebsajtit të KQZ-së, numërimi në të gjitha komunat me shumicë serbe nuk ka përfunduar ende plotësisht.

Edhe në zgjedhjet parlamentare të muajit shkurt të këtij viti, Lista Serbe kishte pretenduar se i kishte fituar të gjitha dhjetë mandatet, por një mandat deputeti megjithatë përfundoi në duart e Rashiqit.

Rashiqi ishte ministër për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e kaluar të kryeministrit Albin Kurti, i cili e kishte emëruar në këtë pozitë pasi Lista Serbe i kishte braktisur institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022.

Megjithatë, Lista Serbe këmbëngul në qëndrimin se Rashiqi nuk ka numër të mjaftueshëm votash për të përfaqësuar komunitetin serb.

Lista Serbe e kishte kundërshtuar gjithashtu në Gjykatën Kushtetuese zgjedhjen e Rashiqit nënkryetar të Kuvendit tashmë të shpërbërë nga radhët e komunitetit serb, duke pretenduar se ishin shkelur Kushtetuta dhe Rregullorja. Ende pritet vendimi i gjykatës lidhur me këtë çështje.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, njëri nga nënkryetarët duhet të jetë nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komunitetit serb.

Nga ana tjetër, sipas Rregullores së Punës, kandidatin për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb e propozon shumica e deputetëve nga ai komunitet.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending