Connect with us

Kosovë

Qeveria Hoti e paligjshme, Kosova shkon në zgjedhje

Published

on

Gjykata Kushtetuese e Kosovës sot ka publikuar vendimin e vet të lëndës KO 95/20, sipas të cilës mandati i deputetit Etem Arifi në legjislaturën e shtatë është kundërkushtetuese, rrjedhimisht edhe votimi për qeverinë Hoti më 3 Qershor 2020 ishte voti i dështuar. Me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese vendosi se janë konsumuar dy mundësitë për votimin e kryeminstrit të vendit, prandaj vendi duhet të shkojë në zgjedhje brenda 40 ditësh pas dekretimit nga Presidenti i vendit, në këtë rast nga UD e Presidentes, znj.Vjosa Osmani. Në vazhdim po e sjellim aktgjykimin e plotë:

Vendimet nga seanca shqyrtuese e mbajtur më 21 dhjetor 2020

Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 21 dhjetor 2020, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesën: 1. KO 95/20. Më poshtë mund të lexoni përmbledhjen e shkurtër të vendimit (teksti i plotë i vendimit do t’u dorëzohet palëve, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):

  1. Lënda: KO 95/20

            Parashtrues: Liburn Aliu dhe 16 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së

            Kosovës

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nr. 07/V-014, të 3 qershorit 2020, për Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të cilin pala parashtruese pretendonte se nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë], në lidhje me nënparagrafin 6 të paragrafit 3, të nenit 70 [Mandati i Deputetëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kërkesa bazohej në paragrafin 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 42 [Saktësimi i kërkesës] dhe 43 [Afatet] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 74 [Kërkesa në pajtim me nenin 113.5 të Kushtetutës dhe me nenet 42 dhe 43 të Ligjit] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.

PËRFUNDIME

  1. Me datat 28 mars dhe 20 gusht 2019, Etem Arifi ishte dënuar me Aktgjykim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit, me një vit e tre muaj burgim. Më 6 tetor 2019, u mbajtën zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Etem Arifi kandidoi dhe u zgjodh deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Më 27 nëntor 2019, KQZ certifikoi rezultatin e zgjedhjeve dhe në listën e deputetëve të certifikuar ishte edhe Etem Arifi. Më 26 dhjetor 2o19, u mbajt mbledhja konstituive e Kuvendit ku u konfirmua mandati i Etem Arifit. Që nga ajo kohë, Etem Arifi vazhdoi të ushtronte funksionin e deputetit, edhe pse ndaj tij rëndonte një dënim gjyqësor i formës së prerë, për një vepër penale, me një vit e tre muaj burgim.
  • Në këtë kërkesë kushtetuese, 17 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës kontestuan kushtetutshmërinë e Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nr. 07/V-014, për zgjedhjen e Qeverisë, të nxjerrë më 3 qershor 2020. Parashtruesit pretendojnë se Vendimi në fjalë është në kundërshtim me Kushtetutën, përkatësisht me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë], në lidhje me nënparagrafin 6 të paragrafit 3 të nenit 70 [Mandati i Deputetëve] të Kushtetutës. Kjo sepse, sipas parashtruesve, në procedurën e votimit të Vendimit të kontestuar ka marrë pjesë edhe Etem Arifi, vota e të cilit ishte e pavlefshme për shkak të dënimit të tij me një vit e tre muaj burgim, me vendim gjyqësor të formës së prerë.
  • Gjykata vlerëson se, çështja themelore që ngërthen kjo kërkesë është se a kishte pasur mandat të vlefshëm Etem Arifi në kohën e nxjerrjes në Kuvend të Vendimit të kontestuar për zgjedhjen e Qeverisë (në votimin e të cilit ai kishte marrë pjesë).
  • Në lidhje me këtë çështje, Gjykata mori parasysh: përgjigjet e dorëzuara nga shtetet anëtare të Forumit të Komisionit të Venecias, qëndrimet e Komisionit të Venecias; si dhe praktikën e mëhershme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për situata të ngjashme.
  • Për sa i përket dispozitave kushtetuese dhe ligjore në Republikën e Kosovës, që i japin përgjigje çështjeve të ngritura nga kjo kërkesë, Gjykata gjeti se:
  • Neni 71.1 i Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 29.1(q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, përcakton se asnjë person nuk mund të jetë kandidat për deputet për zgjedhjet për Kuvend, nëse është dënuar për vepër penale me vendim gjyqësor të formës së prerë në tri vitet e fundit;
  • neni 70.3 (6) i Kushtetutës përcakton se mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm nëse ai/ajo dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë, me një ose më shumë vite burgim. Ky përcaktim kushtetues përforcohet edhe me nenin 8.1.6 të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, nenin 112.1.a të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, si dhe nenin 25.1.d të Rregullores së Kuvendit;
  • Gjykata konsideron se, për sa i përket të drejtës për kandidim në zgjedhje parlamentare, nenet 45, 55 dhe 71.1 të Kushtetutës duhet lexuar në mënyrë të ndërlidhur. Kështu, neni 45 i Kushtetutës flet përgjithësisht për të drejtat zgjedhore, duke përcaktuar në mënyrë të përgjithësuar se ato mund të kufizohen me vendime gjyqësore, kurse neni 55 përcakton kushtet kumulative në bazë të të cilave mund të kufizohen të drejtat e njeriut të garantuara me Kushtetutë. Ndërsa neni 71 i Kushtetutës – i cili flet ekskluzivisht për “kualifikimet” për të kandiduar për deputet të Kuvendit – përcakton se secili shtetas i Republikës së Kosovës i cili është tetëmbëdhjetë vjeç ose më i madh dhe përmbush kriteret ligjore, mund të jetë kandidat për deputet.  Këto “kriteret ligjore”, të cilave iu referohet neni 71 i Kushtetutës, i përcakton Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili në nenin 29.1 (q) thekson qartë dhe shprehimisht se asnjë person nuk mund të jetë kandidat për deputet për zgjedhje për Kuvend, nëse është dënuar për vepër penale me vendim gjyqësor të formës së prerë në tri vitet e fundit. Ky përcaktim kushtetues dhe ligjor është në linjë edhe me praktikën që ndiqet nga shumë vende demokratike, siç vërehet edhe nga dokumentet përkatëse të Komisionit të Venecias, si dhe nga përgjigjet e vendeve anëtare të Forumit të Komisionit të Venecias.
  • Gjykata thekson se normat e mësipërme kushtetuese dhe ligjore, të cilat kanë të bëjnë me pamundësinë (papërshtatshmërinë) për t’u kandiduar për deputet në zgjedhjet e përgjithshme, si dhe me mbarimin apo pavlefshmërinë e mandatit të deputetit, si pasojë e dënimit me burgim për kryerjen e veprave penale, nuk duhen parë si qëllim në vetvete. Në thelb, këto norma nuk kanë synim parësor ndëshkimin e individëve të caktuar duke ua pamundësuar atyre ushtrimin e funksionit të deputetit, por kanë si qëllim themelor mbrojtjen e integritetit kushtetues dhe besueshmërisë qytetare në organin ligjdhënës, si shtyllë e demokracisë parlamentare.
  • Gjykata konsideron se besueshmëria qytetare në Kuvendin e Republikës së Kosovës cenohet nëse – pavarësisht ndalesave që vë neni 71 i Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme – lejohet që mandatin e deputetit ta fitoj dhe ta ushtroj një person që është dënuar për vepër penale, me vendim gjyqësor të formës së prerë të vlefshëm në Republikën e Kosovës.
  • Në lidhje me këtë, Gjykata sjellë në vëmendje Raportin e Komisionit të Venecias, i cili thekson se “ligjshmëria është element i Sundimit të Ligjit dhe nënkupton që ligji duhet të respektohet nga individët dhe autoritetet. Ushtrimi i funksionit politik nga personat të cilët kanë shkelur ligjin në mënyrë serioze vendos në rrezik zbatimin  e këtij parimit [sundimit të ligjit], që është njëri nga parakushtet e demokracisë, dhe për këtë arsye rrezikon natyrën demokratike të shtetit”. (Shih Raportin e Komisionit të Venecias për Përjashtimin e Kryerësve të Veprave të Paligjshme nga Parlamenti, CDL-EL(2015)026, i 23 nëntorit 2018, paragrafi 168).
  • Në këtë frymë, Gjykata vlerëson se është kërkesë e qartë kushtetuese e mishëruar në nenin 71.1 në ndërlidhje me nenin 70.3 (6) të Kushtetutës, se është e papajtueshme me Kushtetutën që një person ta fitoj dhe mbaj mandatin e deputetit nëse është i dënuar për vepër penale, me vendim gjyqësor të formës së prerë, siç është përcaktuar me këto dispozita. Kjo kërkesë përforcohet me nenet 29 dhe 112 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, si dhe nenin 8.1.6 të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë Deputetit.
  1. Më tutje, Gjykata thekson se fakti që neni 70.3 (6) i Kushtetutës, neni 8.1.6 i Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit dhe neni 112.1 (a) i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme i referohen dënimit të deputetit (pra dënimit pasi ai ta ketë fituar mandatin), është reflektim i prezumimit se neni 29.1 (q) i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili mbështetet në nenin 71.1 të Kushtetutës, nuk lejon që një person i dënuar me burgim gjatë tri viteve të fundit para zgjedhjeve të kandidoj për deputet dhe të fitoj mandatin e deputetit.
  1. Rrjedhimisht, duke u bazuar në gjuhën e qartë të nenit 71.1 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, si dhe nënparagrafit 6 të paragrafit 3 të nenit 70 të Kushtetutës, Gjykata konsideron se asnjë person nuk mund të fitoj dhe mbaj mandat të vlefshëm të deputetit nëse është i dënuar për vepër penale sikurse parashihet me këto dispozita, me vendim gjyqësor të formës së prerë, nëse kundër tij/saj ka një vendim dënues që është në fuqi në Republikën e Kosovës.
  1. Gjykata vëren sqarimin e KQZ-së se sipas Aktgjykimit AA.-Uzh.nr.16/2017, të 19 shtatorit 2017 të Gjykatës Supreme, “askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për të garuar në zgjedhje, nëse një e drejtë e tillë nuk i është hequr me vendim gjyqësor, e që don të thotë, se kandidati duhet me vendim të formës së prerë, të shpallet fajtor dhe gjykata, t’i ketë shqiptuar dënimin plotësues “heqjen e të drejtës për tu zgjedhur”.
  1. Megjithatë, Gjykata konsideron se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk kërkon që personave të dënuar për vepra penale t’iu shqiptohet medoemos si dënim plotësues “heqja e të drejtës për t’u zgjedhur”, në mënyrë që ata të mos lejohen të kandidojnë në zgjedhje parlamentare. Kjo meqë, sipas nenit 29.1 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndër të tjera, parashihen edhe këto dy baza: (i) heqja e të drejtës për të qenë kandidat në zgjedhje me vendim të PZAP-it dhe gjykatës; si dhe (ii) pamundësia për të qenë kandidat për shkak të shpalljes fajtor për një vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit. Këto janë baza të ndryshme/të ndara që shkaktojnë pamundësinë/papërshtatshmërinë për të qenë kandidat. Gjykata është e mendimit se ky interpretim përputhet edhe me leximin e ndërlidhur të neneve 45, 55 dhe 71 të Kushtetutës.
  1. Gjykata konsideron të rëndësishme të vë në dukje se kandidimi në zgjedhje parlamentare i Etem Arifit, zgjedhja e tij si deputet dhe ushtrimi i mandatit të deputetit – të gjitha këto pasi që ai ishte dënuar me një vit e tre muaj burgim, me vendim gjyqësor të formës së prerë – shpërfaqë ekzistimin e paqartësisë normative dhe të metave serioze në mekanizmat institucional të Republikës së Kosovës, që janë kompetent për të garantuar ligjshmërinë dhe integritetin kushtetues të proceseve zgjedhore dhe veprimtarisë parlamentare.  Kjo paqartësi është e dukshme edhe në përgjigjet që janë dhënë nga trupat përkatës të Kuvendit dhe nga KQZ-ja.  
  1. Në lidhje me këtë, Gjykata potencon nevojën që Kuvendi i Republikës së Kosovës me komisionet e tij, në bashkëveprim me institucionet gjegjëse, duke përfshirë edhe KGJK-në dhe KQZ-në, të qartësojnë dhe konsolidojnë bashkëpunimin ndër-institucional dhe aspektet normative që kanë të bëjnë me kandidimin në zgjedhje parlamentare dhe ushtrimin e mandatit të deputetit, nga ana e personave të dënuar për vepra penale.
  1. Kjo është e domosdoshme për të shmangur situatat paradoksale, nga këndvështrimi kushtetues, ku një person, pasi është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë sikurse parashihet me nenet përkatëse të Kushtetutës dhe ligjeve, i lejohet të kandidojë në zgjedhje parlamentare, të zgjedhet deputet, t’i verifikohet mandati, si dhe të vazhdojë të ushtrojë funksion e deputetit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, madje edhe gjatë vuajtjes së dënimit me burgim. Ndërkohë që Kushtetuta dhe ligjet përkatëse vënë barriera të qarta normative për të mos lejuar personat e dënuar me burgim për kryerjen e veprave penale, që të zgjedhën deputet dhe të ushtrojnë mandatin e deputetit.
  1. Për sa i përket zgjedhjes së Qeverisë, Gjykata thekson se në mënyrë që Qeveria të zgjedhet, konform paragrafit 3 të nenit 95 të Kushtetutës, “për” Qeverinë duhet të votojnë të paktën gjashtëdhjetë e një (61) deputetë të Kuvendit. Në rastin konkret, sipas dokumenteve zyrtare të Kuvendit, Gjykata vëren se më 3 qershor 2020,  gjashtëdhjetë e një (61) deputetë kishin votuar “për” Qeverinë, gjegjësisht për vendimin e kontestuar. Për miratimin e Vendimit të kontestuar kishte votuar edhe Etem Arifi. Pasi Gjykata gjeti se mandati i Etem Arifit kishte qenë i pavlefshëm para votimit të Vendimit të kontestuar, ai Vendim kishte marrë vetëm gjashtëdhjetë (60) vota të vlefshme. Për pasojë, procedura për të zgjedhur Qeverinë nuk është zhvilluar në përputhje me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
  1. Gjykata vë në pah se neni 95 i Kushtetutës, siç është interpretuar përmes praktikës së saj gjyqësore, parasheh dy tentativa për zgjedhur Qeverinë nga Kuvendi. Në të dyja rastet, Qeveria për t’u konsideruar e zgjedhur duhet të këtë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përkatësisht gjashtëdhjetë e një (61) vota. Nëse as pas tentimit të dytë nuk zgjedhet Qeveria, neni 95.4 i Kushtetutës parasheh shpalljen e zgjedhjeve nga ana e Presidentit të Republikës së Kosovës.
  • Gjykata rikujton që Qeveria e votuar përmes Vendimit nr. 07/V-014 të Kuvendit të 3 qershorit 2020 është bazuar në Dekretin e Presidentit nr. 24/2020, të datës 30 prill 2020, të nxjerrë bazuar në paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës, përkatësisht në tentativën e dytë për zgjedhjen e Qeverisë. Në lidhje me këtë, Gjykata rikujton interpretimin e dhënë në Aktgjykimin KO72/20 ku kishte theksuar se “zgjedhjet do të jenë të pa evitueshme në rast të dështimit të zgjedhjes së Qeverisë edhe në tentativën e dytë, […] me ç’rast, bazuar në paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës, Presidenti shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”.
  • Në dritën e kësaj, Gjykata thekson se në rastin konkret vihet në lëvizje paragrafi 4 i nenit 95 të Kushtetutës, sipas të cilit Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.
  • Gjykata e konsideron të rëndësishme të theksoj se është e vetëdijshme se Etem Arifi ka marrë pjesë edhe në procedura të tjera votuese në Kuvend, edhe pasi ai nuk kishte mandat të vlefshëm. Megjithatë, duke u mbështetur në parimin non ultra petita (“jo përtej kërkesës”), Gjykata kufizohet në vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktit të kontestuar më kërkesën e paraqitur para saj, gjegjësisht Vendimit nr. 07/V-014, të Kuvendit të Republikës së Kosovës, përkitazi me Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Republikës së Kosovës.
  • Gjykata e sheh të nevojshme që të sqarojë po ashtu se, duke u nisur nga parimi i sigurisë juridike, si dhe nga fakti se ky Aktgjykim nuk mund të ketë efekt prapaveprues, vendimet e Qeverisë aktuale mbeten në fuqi, si dhe Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.

PËR KËTO ARSYE

Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të nenit 113, paragrafi 5, të Kushtetutës, neneve 42 dhe 43 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe në mbështetje të rregullave 59 (1) dhe 72 të Rregullores së punës, njëzëri

VENDOS

  1. TË SHPALLË kërkesën të pranueshme;
  1. TË KONSTATOJË se, në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitoj mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës;
  1. TË KONSTATOJË se, Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës;
  1. TË KONSTATOJË se, marrë parasysh se Qeveria nuk është zgjedhur sipas paragrafit 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, atëherë mbështetur në paragrafin 4 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre;
  • TË KONSTATOJË se, ky Aktgjykim nuk ka efekt prapaveprues dhe mbështetur në parimin e sigurisë juridike vendimet e Qeverisë mbeten në fuqi, si dhe Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re;

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kosovë

Arrestohet një burrë nën dyshimin për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës

Published

on

Autoritetet kosovare e kanë arrestuar të mërkurën një burrë nën dyshimet se kishte sulmuar pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në vend, si dhe të Policisë së Kosovës, gjatë protestave të vitit 2023 në veri të vendit.

Në një njoftim të shkurtër në Facebook, Prokuroria Speciale e Kosovës nuk dha më shumë hollësi për të dyshuarin, duke e identifikuar atë vetëm me inicialet S.R.

Ai u arrestua gjatë një aksioni mes prokurorëve dhe hetuesve policorë nga Drejtoria për Krime të Rënda dhe Krim të Organizuar të mërkurën, sipas njoftimit.

“Në vendbanimin e të dyshuarit është zbatuar urdhër kontrolli, ku janë gjetur prova materiale që do të shërbejnë gjatë procedurës penale”, thuhet në njoftim.

Ai është ndaluar për 48 orë mbi dyshimet për veprat penale si, bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, si dhe sulm ndaj personit zyrtar.

Prokuroria tha se do të kërkojë nga gjykata në Prishtinë që i dyshuari të mbahet në paraburgim, teksa hetimet ndaj tij vazhdojnë.

Më shumë se 90 pjesëtarë të KFOR-it kishin pësuar lëndime – disa prej tyre lëndime të rënda – pas përleshjes me protestuesit serbë në maj të vitit 2023 në Zveçan.

Të lënduar nga kjo përplasje pati edhe në anën e protestuesve.

Dhuna në Zveçan shpërtheu pasi serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më herët po atë vit, që u bojkotuan nga serbët.

Autoritetet kosovare kanë arrestuar dhe akuzuar dhjetëra të dyshuar për dhunën në Zveçan vitin e fundit.

Deri tani, disa persona janë dënuar me burgim pas marrëveshjeve me prokurorinë për pranimin e fajësisë.

Për dhunën në Zveçan, Kosova e ka fajësuar Serbinë, duke thënë se pas dhunës qëndruan “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Por, Beogradi e ka hedhur poshtë këtë akuzë, duke thënë se Qeveria e Kosovës po synonte që të shtynte serbët “drejt një konflikti të ri me NATO-n”.

NATO-ja vazhdimisht ka kërkuar që autorët e dhunës të mbahen përgjegjës.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Sorensen në Prishtinë: Do të sigurohemi që Kosova e Serbia të zhvillojnë bisedime

Published

on

Peter Sorensen – i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – tha gjatë një vizite në Prishtinë të mërkurën se do të punojë për të gjetur një mënyrë që dy vendet fqinje të zhvillojnë bisedime të nivelit të lartë, në përpjekje për t’i normalizuar marrëdhëniet.

Sorensen u takua mëngjesin e së mërkurës me udhëheqësit e Kosovës, kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.

Duke folur për media pas takimit me presidenten, Sorensen tha se “kam shpresa se viti 2026 do të na japë atë që viti 2025 nuk na e dha”.

“Prandaj, po e nisi vitin e ri me një udhëtim pune këtu dhe në Beograd më vonë gjatë javës. Çfarë do të bëjmë ne është të sigurohemi që palët të ulen dhe të bisedojnë. Duhet ta gjejmë një mënyrë që kjo të ndodhë”, theksoi Sorensen.

Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar takim të nivelit të lartë që nga viti 2023, pas rritjes së tensioneve mes tyre për shkak të një sulmi nga një grup serbësh të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në veriun e banuar me shumicë serbe në shtator të atij viti.

Kurti – i cili pritet të jenë në krye të qeverisë së vendit edhe për një mandat të tretë katërvjeçar – e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me dorëzimin e të dyshuarit për sulmin në Banjskë të Zveçanit që la një rreshter të vrarë, Millan Radoiçiq.

Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës kur ndodhi sulmi dhe e mori përgjegjësinë për të.

I pyetur nga gazetarët nëse BE-ja do të bëjë trysni ndaj Serbisë për ta plotësuar kushtin e Kurtit për dorëzimin e Radoiçiqit para një takimi të mundshëm me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Sorensen nuk u përgjigj.

Sorensen pritet të ketë takim edhe me opozitën kosovare më vonë.

Pas takimeve në Prishtinë, Sorensen do udhëtojë drejt Beogradit për takime me udhëheqës të Serbisë.

Vizita e tij në Kosovë vjen në një kohë kur vendi është në pritje të themelimit të institucioneve të reja shtetërore pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit – të cilat i fitoi bindshëm Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit.

Kjo ishte vizita e tij e parë qëkurse iu vazhdua mandati edhe për dy vjet të tjera si i dërguar për dialogun mbi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve fqinje.

Gjatë mandatit të parë, ai zhvilloi vetëm dy takime në nivel kryenegociatorësh, të cilat nuk dhanë fryt.

Mungesa e përparimit në dialog gjatë kësaj kohe iu atribuua kryesisht zhvillimeve të brendshme politike në Kosovë dhe Serbi, e jo mungesës së angazhimit të ndërmjetësit evropian.

Pak njerëz në Bruksel besojnë se Kosova dhe Serbia do të jenë të gatshme të angazhohen së shpejti në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Besohet se Kaja Kallas, e cila ende nuk ka ndërmjetësuar ndonjë rund dialogu në nivelin më të lartë politik, do të përpiqet të arrijë diçka në Ballkanin Perëndimor, pas një fillimi të vështirë që ka pasur si diplomate kryesore e BE-së.

Marrë parasysh se Brukseli është anashkaluar shpesh në çështje si: bisedimet për paqe për Ukrainën, lufta në Gazë dhe situata në Iran, zyrtarët e BE-së thonë me shaka se arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë “fryti më i lehtë” që mund ta arrijë blloku në këtë moment.

Kosova dhe Serbia veçse arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, më 2023, por nuk janë duke e zbatuar atë.

Edhe pse marrëveshja nuk është nënshkruar, Bashkimi Evropian këmbëngul se ajo është e detyrueshme për të dyja palët.

Kjo marrëveshje prej 11 nenesh, ndër tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut 15-vjeçar.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Vërshime në disa rrugë në Kosovë

Published

on

Ministria e Infrastrukturës njoftoi se në disa rrugë të Kosovës ka probleme për shkak të reshjeve të shiut. Ndërkaq, Agjencia për Menaxhim Emergjent dha detaje të tjera për rrugët që janë vërshuar pas reshjeve të shiut.

Një segment i rrugës nacionale Ferizaj-Prishtinë u mbyll për qarkullim për automjete më 10 janar, për një kohë të caktuar për shkak të ujit të madh në rrugë, tha Ministria e Infrastrukturës dhe Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës tha se segmenti që kalon nëpër fshatin Llapnasellë, segmenti nga rrethi i “Prishtina Mall” në drejtim të Prishtinës dhe segmenti nga rrethi i “Marigona” në drejtim të Ferizajt, është mbyllur plotësisht për qarkullimin e automjeteve, “për një kohë të caktuar”.

“Ky veprim është ndërmarrë si masë e domosdoshme për mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve dhe parandalimin e rrezikut në trafik”, u tha në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës ky segment do të hapet për qarkullim brenda ditës.

Ajo tregoi se edhe në nënkalimin në Mazgit, në drejtim të autostradës, ka grumbullim të ujit “si pasojë e bllokimit të kanalit atmosferik”, duke shtuar se po punohet që të zhbllokohet rruga.

Ministria e Infrastrukturës tha se në autostradën “Ibrahim Rugova” ka rrëshqitje të dheut.

Në Sllatinë, në rrugën Fushë Kosovë -Gjurgjicë, sipas njoftimit, gjithashtu ka grumbullim të ujit në rrugë.

“Në rrugën Zhur–Dragash kemi lëvizje të trupit të rrugës. Është vendosur sinjalizimi përkatës dhe aktualisht qarkullimi zhvillohet në një shirit”, u tha në njoftim.

Kjo ministri kërkoi nga qytetarët që të evitojnë këto rrugë deri në sanimin e plotë të problemeve.

Agjencia për Menaxhim Emergjent tha se situata është e qëndrueshme dhe e menaxhueshme.

Ky institucion raportoi për vërshime në dy rrugë në Prishtinë, në fshatin Smallush të Lipjanit, vërshime në rrugën Shtime-Reçak, në Graçanicë afër një qendre tregtare.

Në Mitrovicë ndërkaq është evakuuar një familje, ndërkaq ka pasur intervenime edhe në pjesë të tjera të Kosovës si pasojë e grumbullimit të ujit.

Mëngjesin e 10 janarit, Kosova është përballur me reshje të shiut, teksa Instituti Meteorologjik i Kosovës ka paraparë që më vonë gjatë ditës, me uljen e temperaturave, të ketë edhe reshje bore.

Ditëve të fundit, për shkak të reshjeve të shiut, disa zona në Kosovë u përballën me vërshime që shkaktuan dëme në pronat private dhe në infrastrukturën rrugore.

Po ashtu, për shkak të vërshimeve, disa zona kanë pasur probleme me energji elektrike dhe furnizim me ujë të pijshëm, teksa Ministria e Arsimit ka vendosur që të shtyjë për 12 janar rinisjen e vitit shkollor pas pushimit dimëror.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending