Në kuadër të subvencioneve që shpërndan Drejtoria e Bujqësisë, sot në Ferizaj u ndan 330 koshere bletësh për qytetarë të kësaj komune, projekt ky në vlerë rreth 36 mijë euro. Kryetari i komunës Agim Aliu, tha se po shpërndajnë një lloj të veçantë të koshereve të cilat rrisin prodhimtarinë e mjaltit dhe nuk gjenden në Kosovë.
“Duke kalur pandeminë dalëngadalë do t’i japim gjallëri veprimtarive të bujqësisë, bletarëve e veprimtarive të tjera sado pak për të kontribuar në kthimin e normalitetit. Qeveria jonë është treguar në mënyrë permanente mbështetëse ndaj fermerëve, por ajo që na ka veçuar gjatë qeverisjes sonë ka qenë ndryshimi i profilit të mbështetjes së fermerëve me programe dhe projekte risi, edhe sot kemi një projekt risi në kuadër të shpërndarjes së koshereve të bletëve. Jemi duke shpërndarë 330 koshere të bletëve që janë për herë të parë në Republikën e Kosovës dhe të cilat e rrisin dukshëm produktivitetin e prodhimtarisë së mjaltit nga këto koshere në bazë të vlerësimit të ekspertëve”, tha Aliu.
Se këto koshere bletësh janë të veçanta e thotë edhe Adhurim Halili, kryetar i shoqatës së bletarëve “Apikultura”.
“Këto koshere janë me një standard pak më të veçantë që i kemi përdor ne në Kosovë, është një lloj koshere që përdoret në vende të Evropës. Kanë një formë të veçantë të plastikës dhe mundësitë janë që ushqimi me u hedhë në mënyrë më të lehtë dhe më profesionale, po besojmë se për 20% i rrit rendimentet, përndryshe kjo ka qenë kërkesë e fermerëve për me qenë ky lloj i kosheres këtu, ky lloj i kosheres i ikë lagështisë dhe po ashtu mbledhja e polenit është më e lehtë”, tha Halili.
Kurse Ramadan Vrajolli, njëri ndër përfituesit e këtyre koshereve, thotë se ky lloj i ri i koshereve u mundëson që të punojnë me metoda të reja.
“Jam përfitues i 5 koshereve, kam diku 90 koshere me bletë dhe merrem me to para vitit 2000, është një biznes i mirë familjarë, ka të ardhura të mjaftueshme dhe ia vlen të punohet me to. Këto koshere janë tjera në krahasim me ato që kanë qenë më herët dhe këto na mundësojnë që ne bletarët të punojmë me reforma më të reja”, tha Vrajolli.
Bletarët e Ferizajt thanë se bazuar në kushtet klimatike që parashihen, këtë vit rendimentet e mjaltit do të jenë më të larta se në gjithë këto 5 vitet e fundit.