Në komunën e Ferizajt këtë vit janë mbjell afër 4 mijë hektarë me grurë. Edhe pse sipërfaqja e mbjellur me grurë është gati se e njëjtë me vitet e kaluara, por për dallim prej dy viteve të fundit sivjet tokat e bukës pritet të japin rendimente më të larta të grurit.

Fermeri Arsim Sahiti i cili ka të mbjella afër 100 hektarë me grurë në fshatin Sazli të Ferizajt, thotë se gjendja e  grurit është e mirë dhe kjo për shkak se mbjellja e tyre dhe masat agroteknike janë bërë në kohë optimale.

“Ka një fotografi shumë të mirë krahasuar me vitet e kaluara, gjendja e grurit është shumë e mirë dhe kjo duke pasur parasysh që të gjitha masat e nevojshme janë kryer me kohë, mbjellja është bërë në afatin optimal, po ashtu edhe masat mbrojtëse janë marrë me kohë  dhe po shpresojmë që do të ketë rendiment mbi mesataren”,tha Sahiti.

Sahiti thotë se para korrjes gruri ka nevojë edhe për një masë preventive.

“Shumica e fermerëve kosovarë e kanë kryer riplehrimin e pare, mbrojtjen ndaj barojave dhe më nuk marrin masa tjera, ndërsa rasti konkret në këtë parcelë që është e mbjellur për prodhim të farës së grurit dhe në fazën e lulëzimit duhet ta marrim edhe një masë kundër virozave, prandaj pas dy javësh është mirë të merret edhe një masë”,tha Sahiti.

Sahiti thotë se fermerët që mbjellin këtë kulturë bujqësore përballen me shumë telashe. Sipas tij, përkundër  që gruri është kultura kryesore që zë sipërfaqen më të madhe të tokës bujqësore, fermerët nuk gëzojnë mbështetje aq sa duhet nga institucionet.

“Nuk thuhet kot që bujqësia është fabrikë pa kulm, në vazhdimësi ka stress, ka prokupime derisa të futet në hambar, por edhe pas saj shqetësimi është çmimi, por edhe ajo që neve si prodhues vendor na dëmton është  tregu,  pasi gruri hyn tek ne nga Serbia. Mbështetje ka nga institucionet edhe nga niveli lokal, por edhe nga ai qëndror, por  nuk është e kënaqshme, subvencionet po na vonohen shumë, ndoshta në kohën kur më së shumti na duhen ato na vonohen, më pas është edhe dokumentacioni i stërngarkuar”,tha Sahiti.

 Ndërsa në Drejtorinë  e Bujqësisë në Ferizaj, thonë se çdo vit janë duke e rritur vlerën e subvencioneve për fermerë.

“Fermerët vazhdimisht vitet e fundit po përkrahen nga komuna. Vitin e kaluar janë përkrahur me pleh artificial në një vlerë prej 35 mijë euro, kurse në këtë vit e kemi rritur vlerën në 45 mijë euro, por kësaj here ende nuk kemi mundur ta realizojmë për shkak të procedurave të prokurimit, por ky projekt do të realizohet në vjeshtë. Poashtu janë përkrahur me një projekt që nuk janë përkrahuar asnjëherë, ata janë përkrahur me rreth 100 pajisje që ka qenë në vlerë prej 60 mijë euro, i njëjti projekt edhe sivjet do të bëhet për fermerët që kultivojnë kultua lavërtare”,tha Elfete Bislimi, zyrtare në Drejtorinë e Bujqësisë në Ferizaj.

Të ngjashme

Të tjera