Në plantacionin e fermerit Bujar Bytyqi në Mirash të Ferizajt, ekzekutivi ferizajas nisi së implementuari projektin e  shtrirjes së sistemit kundër breshërit.

Kryetari i komunës së Ferizajt Agim Aliu tha se po nisin edhe një projekt unik i cili do t’iu dalë në ndihmë fermerëve të kësaj komune, të cilët thuajse për çdo vit po përballen me dëme nga breshëri.

”Kemi ardhur këtu me një mbështetje të veçantë, me një mbështetje unike e të munguar jo vetëm në Ferizaj, por në gjithë territorin e Kosovës, në fakt atë që do të duhej ta bënte Ministria e Bujqësisë po e fillojmë ne si komunë e Ferizajt, është projekt unik për mbrojtje të prodhimtarisë bujqësore nga ana e breshërit. Ne shumë shpesh jemi ballafaquar me situata të ndryshme dhe një stuhi ose breshër i gjithë mundi i fermerëve shkon dëm, prandaj duke e parë mundin që këta bëjnë ne tashmë  do të planifikojmë mjete ku do të jemi në shërbim për fermerët dhe bujqit tanë”, deklaroi Aliu.

Fermeri Bujar Bytyqi tha se shumë herë është dëmtuar nga breshëri, prandaj ky sistem do t’i hy shumë në punë, duke kërkuar më shumë përkrahje nga niveli qëndror dhe ai lokal.

“Ky projekt është shumë i rëndësishëm pasi mbron frutat nga breshëri, por edhe nga dielli, kemi pas përkrahje edhe nga ministria më herët në vitin 2015, ndërsa edhe tani nga komuna që i falënderoj. Është një projekt i qëlluar, tani më nevojitet edhe një frigorifer për ruajtjen e mollës pasi kam mbi 200 ton mollë dhe pa frigorifer është problem të ruhen”, tha Bytyqi.

Sa i përket krijimit të ndonjë fondi emërgjent për kompensimin e  dëmeve që po u bëhen fermerëve nga breshëri, kryetari Agim Aliu tha se për këtë duhet të mendoj Qeveria e Kosovës.

“Jo vetëm komuna e Ferizajt, por të gjitha komunat në nivel të Kosovës  e kanë të pamundur që në qindpërqindëshin  e kompensimit t’iu përgjigjen fermerëve dhe bujqve të cilët dëmtohen nga fatkeqësitë natyrore dhe sigurisht që më shumë për këtë duhet të mendoj Qeveria e Kosovës, por ajo që ka qenë në mundësitë tona kemi bërë, ne gjithë ata fermerë edhe pa pasur dëme nga breshëri i kemi mbështetur si në subvencione, makineri, serra apo të ngjashme, ne i kemi mbështetur fermerët dhe do t’i mbështesim edhe në të ardhmen”, tha Aliu.

Buxheti i komunës së Ferizajt për këtë vit për sektorin e bujqësisë është rreth 960 mijë euro.

Të ngjashme

Të tjera