Connect with us

Ferizaj

Opozita kritikon pushtetin për keqmenaxhim të parasë publike

Published

on

Janë bërë gati një vit që kur është rrënuar objekti në të cilin ishte e vendosur Organizata e Pensionistëve në Ferizaj, mirëpo edhe pas kësaj periudhe ndërtimi i objektit për këtë organizatë nuk ka filluar. Marrëveshja e nënshkruar mes Organizatës së Pensionistëve dhe komunës se Ferizajt parashihte që përpos objektit të ri, komuna atyre t’ua paguaj qiranë dhe të gjitha shpenzimet e tjera deri në vitin 2023, gjë e cila po kritikohet nga opozita meqë, sipas tyre, paraja publike po harxhohet pa nevojë.

Balton Dërguti nga Lidhja Demokratike e Kosovës në Ferizaj, po konsideron se me këtë projekt komuna ka krijuar shpenzime të panevojshme, duke keqmenaxhuar paratë e taksapaguesve.

“Komuna e Ferizajt në seancën e fundit ka marrë vendim për ndërtimin e qendrës së pensionistëve projekt ky që kushton 1 milion e 310 mijë euro, mirëpo për vitin 2021 i kanë paraparë vetëm 32 mijë euro, para këto me të cilat mbetet vetëm sa për ta filluar. Duke pasur parasysh që nga viti i kaluar kjo qendër është rrënuar dhe komuna është e obliguar t’ua paguaj qiratë banorëve për çdo muaj dhe kur kihet parasysh që sipas këtij projekti edhe 3-4 vitet e ardhshme nuk mund të realizohet po i bie që kostoja e këtij projekti po del të jetë shumë e lartë pasi vetëm si ndërtim është 1 milion e 310 mijë  e lëre  më ku janë edhe pagesat e qirasë”, tha Balton Dërguti nga LDK-ja.

Në anën tjetër, drejtori i Urbanizmit në Ferizaj Lulzim Aliu, thotë se krahasuar me vlerën e tokës ku ishte i ndërtuar objekti i pensionistëve, e që tani i takon komunës,  shpenzimet e paguara për ta janë minore.

Një gjë duhet të kemi parasysh, atë tokë se kemi pasur, ajo tokë s’ka qenë e komunës, i kemi marrë nëse nuk gaboj 23 ari në qendër të qytetit që është një vlerë jashtëzakonisht e madhe që do të thotë se ka përfituar komuna, nuk është e rëndësishme me i matë tash sa shpenzime mujore jemi duke bërë për ta, për mu është e parëndësishme vlera që jemi duke e kompensuar banimin dhe aktivitetin e shoqatës karshi vendit që e kemi marrë, pasi me këtë vend që e kemi marrë kemi bërë zgjidhje të jashtëzakonshme për qytetin, një zgjidhje që  e kemi pasur synim nga fillimi“, tha Lulzim Aliu, drejtor i Urbanizmit.

Dërguti thotë se ky projekt ia ka rritur koston edhe projektit “Bashkimi i Qytetit”.

“Rrënimi i shtëpisë së pensionistëve është bërë para kohe për shkak se projekti i nënkalimit ka qenë mos me rrënu qendrën e pensionistëve mandej ai u rrënua dhe kësisoj ne po krijojmë një kosto të lartë. Edhe projektit milionësh të nënkalimit që nuk dihet sa është vlera e këtij projekti që pushteti është duke e mbajtur të fshehur këtë shumë dhe kështu paratë e taksapaguesve po shkojnë dëm derisa komuniteti ka shumë nevoja të tjera“, theksoi Dërguti.

“Kur me një projekt nuk përfshihen krejt pjesët e atij projekti është e drejtë ligjore me shpallë tender të ri, me plotësu atë tender, e dyta ka raste kur mundet me u ndryshu një projekt i tërë në të cilin projekt janë disa paramasa për punë të ndryshme të cilat me volum mundesh me i ndryshu gjatë projektit, pastaj me tender të ri kemi shpallur nënkalimin tek semaforat dhe nënkalimi i këmbësorëve tek trafo, pra pjesë që kanë pas me u bë me projektin e parë por që nuk kanë mundur me u mbulu me para janë shpallur tenderë të tjerë dhe këtu nuk ka asgjë në kundërshtim me ligjin”, tha Aliu.

Në vendin ku ndodhej objekti i Organizatës së Pensionistëve në rrugën “Ramadan Rexhepi” tashmë është ndërtuar një rrethrrotullim. Në të ardhmen komuna ka planifikuar t’i rrënojë edhe objektet e tjera publike që ndodhen në atë pjesë si Emërgjencën, Spitalin dhe QKMF-në,  siç është thënë,  me qëllim të ndërtimit të parkut të qytetit që lidhet me projektin “Bashkimi i Qytetit”.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ferizaj

Arrestohet një ish zyrtar i gjendjes civile në Ferizaj

Published

on

Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Ferizaj, ka arrestuar një ish zyrtar të gjendjes civile në Ferizaj, tani me pozitë tjetër, të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se i dyshuari derisa ishte zyrtar i gjendjes civile deri në vitin 2019,   si ofiqar, ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke regjistruar një shtetas turk në sistemin elektronik të gjendjes civile në komunën e Ferizajt, edhe pse i njëjti nuk i kishte plotësuar kriteret e fitimit të shtetësisë.

Si rrjedhojë e këtyre veprimeve, shtetasi turk ishte pajisur me letërnjoftim dhe me patentë shofer të Republikës së Kosovës.

Sipas policisë, më 23.04.2024, është siguruar prezenca e të dyshuarit për intervistë në prezencë të avokatit mbrojtës kurse me aktvendim të prokurorit, i njëjti është ndaluar për 48 orë.

Ndërkaq personi me shtetësi turke i dyshuar për veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” është ekstraduar në Turqi.

Continue Reading

Ferizaj

Arrestohet ferizajasi pasi kanosi një grua përmes rrjeteve sociale

Published

on

Një person është arrestuar nga Policia në Ferizaj, pasi i njëjti ka kanosur përmes rrjeteve sociale viktimën femër me të cilën kishte bashkëjetuar.

Rasti ka ndodhur të dielën rreth orës 10:00, njofton Policia e Kosovës.

Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

“Viktima femër kosovare ka njoftuar se përmes rrjeteve sociale, ishte kanosur nga i dyshuari mashkull kosovar me të cilin kishte bashkëjetuar. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, shkruhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Continue Reading

Ferizaj

Arrestohet një person në Ferizaj – Policia i gjen 343 gram marihuanë në shtëpinë e tij

Published

on

Policia në Ferizaj të hënën ka arrestuar një person, pasi të njëjtit gjatë kontrollit në shtëpinë  e tij i është gjetur dhe konfiskuar 343 gramë substancë narkotike e llojit marihuanë.

Siç bëhet e ditur në raportin e Policisë së Kosovës, me vendin të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur dhe konfiskuar 343 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, njofton Policia e Kosovës.

Continue Reading

Trending