Shkruan: Visar Hoti, drejtor programi RTV TEMA



Kur e pyetën Nasradinin:

– “Nasradin pse po i shet gjërat më lirë se sa që i ke blerë?”, Nasradini u përgjigj:

– “S’asht me ransi fitimi, me ransi asht qarkullimi..”

Njësoj po më tingëllojnë edhe njoftimet publike të KEK-ut, i cili dy ditë radhazi (më 20 dhe 21 Korrik 2022) doli me i bindë qytetarët e Kosovës, se situata me furnizim të energjisë është krejt OK, ndërsa rryma nga blloku i cili është ndalë për inspektim (A5) po zëvendësohet me deponimet e KEK-ut në KESH (Shqipëri).

Epo, si thonë kroatët “MALO MORGEN!” (shq./turq. “N’hamam!”)

Ja si dukej fotografia energjetike e Kosovës më 20 Korrik 2022, sipas shënimeve të siguruara nga ENTSO dhe HUPX, pasi që i sintetizova në një tabelë (Tabela 1):

Tabela 1: Fotografia energjetike e Kosovës 20.07.2022

Në ndarjet për çdo orë, në kolonën e dytë (TCA+TCB) është prodhimi i tërësishëm i KEK-ut në dy termocentralet. Duke ditur se blloqet në gjendjen e tanishme ofrojnë këto fuqi nominale: B1 dhe B2 me nga 250-260 MW, dhe Blloqet A3,A4 dhe A5 me nga 130-150 MW, nga niveli i prodhimit  shihet se atë ditë punonte një bllok i TCB dhe një i TCA, ndërsa 3 blloqe ishin futur në pauzë.

Në kolonën e gjashtë të Tabelës 1. janë të renditura shënimet e Interkoneksionit ndërshqiptar (XK-AL), dhe numrat me ngjyrë të zezë simbolizojnë megavatët që “kanë shkuar në plazhet e Mëmëdheut”, ndërsa me të kuqe janë megavatët e lodhur nga noti, ata të “Deponimit në KESH” të cilët po i  përmend KEK-u.

Pra 607 MWh të “zhdeponuara” prej mëmëdheu  nga 4025 MWh që i kemi BLERË atë ditë, shumicën nga Maqedonia dhe Serbia (kolonat 5 dhe 8), me çmim nga 351 EUR deri në 700.19 EUR për MWh.

(Ose që të jetë më i kapshëm për konsumatorë, nga 35 deri në 70 cent për një kilovat).

MONOLOG

Sa i ka kushtuar Kosovës atë ditë idea e Gipës për ndaljen e tri blloqeve të termocentraleve njëkohësisht?

1.87 milionë euro.

– Sa rrymë nuk e kemi shitur më 20.07.2022, e që kemi pasë mundësinë me e eksportu në Shqipëri dhe Mal të Zi, po të mos ishte idea e Gipës?

– 2 milionë euro.

Pra, sa është minusi i afarizmit të Kosovës në atë ditë?

3.87 milionë euro.


(Shënim me rëndësi: Komplet remonti general i bllokut A4 vjeshtën e kaluar ka kushtuar 3.3-4 milionë euro)

Vazhdojmë me datën 21.07.2022 (E enjte)

Tabela 2: Fotografia energjetike e Kosovës 21.07.2022

MONOLOG

Sa kemi blerë rrymë më 21.07.2022?

– 4271 MWh

Me çfarë çmimi?

Prej 389 EUR deri 674 EUR për megavat (ose 39 deri 67 cent për kwh)

Sa kushtoi ky mastraf?

-2 milionë euro.

E sa para i humbëm atë ditë me ide të Gipës, sepse nuk eksportuam energji sikur para 7 korrikut?

2.35 milionë euro.

Sa është pra minusi i afarizmit i së enjtes (21.07.2022)?

-4.35 milionë euro.

Opa, shkuan edhe paratë për riparimin e një blloku tjetër.


T’i shohim tani tabelat edhe të së premtes dhe së shtunës:

Tabela 3: Fotografia energjetike e Kosovës 22.07.2022
Tabela 4: Fotografia energjetike e Kosovës 23.07.2022

Për me e “Lli punën” më mirë, të shtunën në mbrëmje (23.07.2022) Gipës i vjen një ide edhe më e fortë, me e ndalë edhe bllokun e katërt të prodhimit, dhe me na lënë me vetëm 250 MW/h prodhim nga termocentralet e Kosovës.

E për mos me u diktu tani importi i rëndë nga Maqedonia (si Niksoni me mikrofona në DNC më 1972 “..no fuckers gonna know!”), disi u prishën lexuesit e raportimit të rrjedhës së interkoneksionit ndërshtetëror MDK-RKS, dhe mbrëmë nga ora 18:00 nuk dihet se kush po ha, e kush po pi….e kanë lënë ENTSO-E-në n’terr ( në Tabelën 4, rrethuar me të kuqe). Përndryshe, bilansi i djeshëm negativ do të shfaqej i dyfishuar edhe në letra publike online. Në faturat që i fshehin gjithsesi do të jetë i shfaqur edhe shumë i dukshëm për xhepat tonë të cekët.   

Suma sumarum, vetëm për 4 ditë të kësaj jave, sipas bilansit dhe kostos në bursën ndërkombëtare, del se Kosova ka blerë rrymë në vlerë 7.31 Milionë euro, ndërsa e ka humbur mundësinë që të inkasojë edhe 8.48 milionë euro të tjera nga eksporti.

Pra vetëm për katër ditë, po del se idea e Gipës ia ka “zhbë” Kosovës rreth 15.79 milionë euro.

E tash t’i kthehemi pak regjionit dhe t’i shohim bilancet javore të transmisioneve ndërkombëtare të shteteve të “Open Ballkanit” me Kosovë. Do e krahasojmë situatën e javës së tretë të qershorit, kur Kosova me të madhe po eksportonte energji në rajon, me situatën tani, në epokën e idesë së Gipës.

Tabela 5: Rrjedha ndërkufitare e Kosovës Java 24.

Nga tabela e rrjedhës ndërkufitare gjatë javës 24 (Tabela 5), mund të shihet se Kosova po eksportonte drejt Shqiperisë dhe/apo Malit të zi  diku rreth 44.48 GWh, ndërsa hyrjet nga Maqedonia dhe Serbia ishin transit për fqinjët tanë. (Eksporti ynë = Daljet e tërësishme(AL+MNE) minus hyrjet e tërësishme (SRB+MKD)). Ishte kjo koha e artë e qershorit kur i eksportuam diku rreth 150 GWh, dhe i inkasuam diku mbi 45 milionë euro (shënim: sipas çmimores HUPX, ndërsa shenimet e sakta i posedojnë ZRRE dhe MZHE).

Në qershor, Maqedonia importonte kryesisht nga Bullgaria e më pak nga Greqia e Serbia. Përmes tranzitit nëpër Kosovë edhe i shiste pak rrymë Malit të Zi (Italisë?) e Shqipërisë.

Tabela 6: Rrjedha ndërkufitare e Maqedonisë së Veriut,  Java 24.

Edhe Shqipëria gjatë verës është shumë e varur nga importi, dhe gjatë qershorit, ishte rryma jonë dhe e grekëve që ua ftohte dhomat vëllezërve tanë nga Ksamili e Velipoja. Bile edhe atyre nga Ulqini.

Tabela 7: Rrjedha ndërkufitare e Shqipërisë,  Java 24.

Gjatë javës së 29 së vitit 2022 (të cilën po e mbyllim sot), Kosovës i ndryshoi rrjedha, dhe u bë e varur nga importi. Ra idea (e Gipës) edhe Shkupin e dridhi. Ama edhe Athinën e Beogradin.

Tabela 8: Rrjedha ndërkufitare e Maqedonisë,  Java 29.

Krahasuar me situatën një muaj më herët, Maqedonia e rriti tranzitin javor kah Kosova nga 17.47 GWh në 38.40 GWh, ndërkaq nëse e krahasoni me tabelën përkatëse të qershorit (Tabela 6), edhe Serbia e Greqia e rritën dukshëm tranzitin/eksportin për në Maqedoni. Serbia e pesëfishoi, e Greqia e bëri gati dhjetëfish, në llogari të Bullgarisë.

Në anën tjetër, Mëmëdheu vazhdoi të importonte natën nga Kosova, por mungesën e importit ditor nga Kosova (më të shtrenjtin) e zevendësoi me energjinë nga Sirtakillendi.

Tabela 9: Rrjedha ndërkufitare e Shqiperisë,  Java 29.

Pra edhe nga shënimet e institutit gjerman Fraunhofer, po vërehet se Shqipëria dhe Maqedonia janë në deficit të thellë energjetik, dhe s’kanë energji as për veti, e lëre më me ia kthy deponimet KEK-ut.

Ku janë ato deponime? Ndoshta i paska përhapë Edvini depotë e energjisë së KESH-it në Maqedoni, Greqi e Serbi, për të cilat s’paskam dëgjuar ende (me më pasë thanë se janë depo të sativës, ndoshta iu kisha besu më shumë).

 A po shihni lëvizje të energjisë nga Shqipëria në Kosovë në tabelat gjermane? Jo pra, se janë lëvizje aq të vogla, sa  neglizhohen kur krahasohen me volumet e tjera. Pitja ndoshta hahet, por tepsia gjithnjë mbetet.

Kur Gipa e hjekë kabllën, Serbia dhe Greqia e vërshojnë rajonin me energji. Pra, kë e ka shef Gipa? Supertalenten gjumashe, dilerët rajonal të energjisë apo prodhuesit nga Greqia e Serbia?

Në fund, më duhet t’i bëj thirrje qeverisë, komisionit hetimor parlamentar dhe hetuesisë që të merren pak më seriozisht me këtë sport, sepse disa matrapazë janë kah naj fyejnë intelegjencën me mosdije dhe arrogancë, e na e morën në qafë edhe shtetin! 

Lehtë është me i kapë hajnat e pulave dhe me i burgosë për një kaçik të vjedhun. Fillimisht kqyrni ata që po naj avullojnë milionat në pikë të verës, në kohë të krizës së paparë!

(Shënim: Në këtë opinion të vetin, autori ka përmbledhur në tabela shënime që burojnë nga rrjeti Europian i Operatorëve të Sistemeve të Transmisioneve të Energjisë ENTSO-E, bursa hungareze e energjisë HUPX dhe nga Instituti gjerman Fraunhofer. Çmimet e shitblerjes së energjisë mund të jenë të ndryshme nga tabela dhe në diskrecion të operatorëve të energjisë në Republikën e Kosovës dhe rajon) .

Të ngjashme

Të tjera