Kujtim Dobruna: Faleminderit Gjermani

Pranimi i KOSTT si anëtare më të drejta të barabarta e Operatorëve të Sistemeve të Transmisionit të Europës është një lajm i jashtëzakonshëm dhe tejet pozitiv për pavarësinë dhe sigurinë energjetike të Kosovës.

Tash Kosova ka nën kontroll të gjithë rrjetin e vet të transmisionit dhe mund ta aktivizojë më në fund edhe linjën prej 400 kV me Shqipërinë. Deri më tani me Shqipërinë ishim të lidhur me një linjë prej 220 kV me kapacitet maksimal te transferit prej 200 MW. Linja e re, që është projektuar dhe financuar nga qeveria gjermane, ka kapacitet prej 900 MW.

Marrë parasysh se prodhimi i energjisë në Kosovë bazohet në thëngjill, ndërsa ai në Shqipëri në burime të ujit, atëherë komplementariteti është i plotë. Kjo i bie që, në rast të deficitit në cilëndo anë të Drinit, tani e tutje nuk do të ketë më pengesa për shkëmbim të energjisë. Kjo e rritë atraktivitetin e të dyja vendeve për investime të huaja. Njëkohësisht, kjo në të ardhmen arsyeton investime të shtetit shqiptar në kapacitete gjeneruese në Kosovë (p.sh. Kosova e Re) dhe të shtetit të Kosovës në burime të ripërtritshme në Shqipëri. Krejt çka duhet është pakëz vullnet politik.

Ky zhvillim i rëndësishëm është kryekëput meritë e përkushtimit dhe seriozitetit të diplomacisë gjermane, e cila që nga viti 2017 ka punuar intensivisht në arritjen e kësaj marrëveshje. Mirënjohja dhe falënderimi i takojnë popullit gjerman.