Connect with us

Infrastrukturë

Aliu: Mbi 352 mijë ndërtime pa leje në Kosovë

Published

on

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se mbi 75% e ndërtimeve në Kosovë janë pa leje, gjë që ndikon në zhvillimin ekonomik dhe planifikimin hapësinor të vendit.

Aliu në një konferencë për medie pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ka thënë se aprovimi i projektligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje është i rëndësishëm sepse lidhet me zhvillimin ekonomik dhe planifikimin hapësinor në Kosovë.

Aliu ka thënë se në Kosovë mbi 3/4 e ndërtimeve janë pa leje, gjë që ka ndikuar në fushën e planifikimit në vend.

“Në Kosovë në regjistrimet e ndërtimeve pa leje figurojnë 352 mijë e 836. 75% të ndërtimeve ekzistuese janë pa leje, kjo ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se me anë të këtij projektligji të miratuar të mërkurën mundësohet që të gjitha këto ndërtime të legalizohen.

“Thjeshtësimi i madh i procedurave që ka sjell ky ligj, po përpiqemi edhe për metoda lehtësuese tek ndërtimet kolektive”, ka vijuar ai.

Ndërsa i pyetur se pse nuk ka vepruar inspektorati në aksionin e konfiskimit të vilave në Brezovicë, ai ka thënë se ndërtimet janë të natyrave të ndryshme.

“Përpos ndërtimeve janë hidrocentralet, prerja e pyjeve. Kur flasim për Brezovicën ka një dallim esencial mes pjesës se Brezovicës dhe pjesëve tjera”, ka thënë ai.

Gjersa ka shtuar se dualizmi i kompetencave me komunat ka qenë shkaktari kryesor për këtë problem./EO

Ferizaj

Me mbi 700 mijë euro punë dhe dy vjet vonesa, uji mbetet mbi nënkalim

Published

on

Autor: Shqipron Xhema

Në kuadër të projekteve të nënkalimeve që në Ferizaj njihen me emrin “Bashkimi i Qytetit”, më 1 nëntor të vitit 2018 u nënshkrua kontrata për ndërtimin e nënkalimit për vetura dhe këmbësorë në fshatin Nikadin të Ferizajt.

Ky projekt i quajtur “LOT-II Ndërtimi i nënkalimit ne fshatin Nikadin te Xhamia” ishte nënshkruar në vlerën prej 671,148.68 euro dhe sipas kontratës parashihej që punët të fillonin dy ditë pas nënshkrimit të kontratës dhe të përfundonin pas 2 vitesh, që i bie 1 nëntori i vitit 2020.

Nënkalimi në Nikadin u përurua tek më 22 tetor 2022, apo përafërsisht 2 vjet pasi që punimet është dashur të kryhen sipas kontratës bazë për këtë procedurë të prokurimit.

Për këtë çështje, Drejtori i Infrastrukturës në Ferizaj, Meriton Hajdini, që në kohën e nënshkrimit të kontratës ishte njëri nga dy menaxherët e kontratës të emëruar për këtë projekt thotë se deri tek vonesat erdhi për shkak të autoritetit të hekurudhave, Infrakos-it.

“Fillimisht hekurudha na e ka dhënë pëlqimin për me i fillu punimet por për shkak të disa procedurave të hekurudhave na është kërku me u ndërru projekti dhe derisa është bërë revidimi dhe riprojektimi i këtij nënkalimi nuk kanë fillu punimet”.

Meriton Hajdini – Drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Ferizajt

Në analizën e dokumenteve të këtij projekti shohim se arsyet e vonesave janë më ndryshe se nga ajo çka ka deklaruar Hajdini.

Ndonëse kontrata parashihte fillimin e punëve dy ditë pas nënshkrimit të saj, pra më 3 nëntor 2018, sipas Ditarit Ndërtimor të këtij projekti, operatori ekonomik punimet i filloi tek më 11 mars të vitit 2019 kur edhe filluan me vëzhgimin e trasesë, matjen dhe incizimin gjeodezik për ndërtimin e kanalizimit.

Punimet sipas Ditarit Ndërtimor vazhduan deri më 22 mars të atij viti dhe aty u stopuan.

Sipas dokumenteve zyrtare të Komunës së Ferizajt, me operatorët ekonomik “Arlindi“ dhe “Infra-Plus”, më 1 nëntor 2020 nënshkroi marrëveshje mbi zgjatjen e afateve të periudhës së ekzekutimit të punëve deri në fundin e vitit 2021, me arsyetimin se mungonte leja e ndërtimit në pronën e hekurudhës, mungesa e mjeteve financiare dhe pandemia COVID-19.

Në këtë dokument asnjëherë nuk arsyetohet se pse punimet për këtë nënkalim u kryen vetëm për 11 ditë dhe ato nuk vazhduan më, teksa tek më vonë u kërkua shtyerja e afatit të punëve me arsyetimin e mungesës së lejes nga Infrakos-i.

Komuna e Ferizajt lidhi kontratë për fillimin e punimeve për këtë nënkalim nën hekurudhë pa pas pëlqimin përfundimtar nga pronari i hekurudhës “Infrakos”,  punët vazhduan vetëm me kushtet teknike të ofruara nga këta të fundit edhe pse në këto kushte teknike thuhej se “Investuesi është i detyruar të hartoj elaboratin/projektin e vendkalimit për këmbësor nën hekurudhë dhe një kopje t’i dërgoj hekurudhave të Kosovës-Infrakos në Fushë Kosovë për revizionin dhe dhënien e pëlqimit përfundimtar”. Moskryerja e detyrimeve nga Komuna e Ferizajt solli edhe shtyrjen e punimeve për këtë projekt.

Pra, Komuna e Ferizajt është dashur që para se të filloj punimet për ndërtimin e këtij nënkalimi një herë t’ia dërgoj elaboratin/projektin Infrakos-it, i cili si pronar i hekurudhës nën të cilën është ndërtuar ky nënkalim t’i jep pëlqimin që të kryhen ato punime. Me neglizhencën e institucionit komunal dhe mosdërgimin me kohë të elaboratit rrjedhimisht mos marrjes me kohë të pëlqimit, punët aty filluan pa këtë leje gjë e cila solli vonesa.

Punimet rinisën tek më 12 korrik 2021 dhe vazhduan deri më 3 nëntor të po atij viti.

Më 22 dhjetor të vitit 2021, u bë një kërkesë e re për vazhdimin e kësaj kontrate, me arsyetimin se kishte mungesë të mjeteve financiare dhe se projekti duhet të harmonizohet me projektin e BERZH-it, andaj duhet kohë për përfundimin e punimeve edhe për një vit. Më 27 dhjetor të atij viti u mor vendimi që afati të shtyhet deri më 30 dhjetor të vitit 2022.

Për më tepër, pasi më 2021 ky projekt duhej të harmonizohej me projektin e BERZH-it, Komuna e Ferizajt u detyrua që të nënshkruaj aneks-kontratë me operatorët ekonomik për shkak të punëve shtesë që iu dolën.

Me aneks-kontratën e nënshkruar më 7 prill 2022 në vlerë prej 64,296.00 euro vlera totale e projektit të nënkalimit në Nikadin shkoi në 735,444.68 euro të taksapaguesve.

Ngjashëm si tek kontrata bazë edhe punët e dakorduara me aneks-kontratë nisën me vonesë. Punimet për nënkalimin do të duhej që të fillonin menjëherë që nga data e nënshkrimit, megjithatë sipas Ditarit Ndërtimor punimet aty rifilluan tek më 31 maj 2022, shkelje kjo e afatit kohor të dakorduar mes Komunës dhe operatorit ekonomik.

Në dokumentet e ofruara nga Komuna e Ferizajt për këtë projekt, nuk evidentohen askund vërejtje të lëshuara ndaj operatorit ekonomik për vonesat në kryerjen e punimeve.

Komuna e Ferizajt, si qasje në dokumente dha vetëm planin për menaxhimin e kontratës ku tregohen datat e kryerjes së punëve por jo edhe raportet e menaxherëve të kontratës ku do të duhej të ishin edhe vlerësimet e punimeve apo vërejtjet eventuale.

Për këtë procedurë të prokurimit kishte plot nëntë oferta nga operatorë të ndryshëm ekonomik, disa nga këto oferta më të lira se ajo e fituesit e disa më të shtrenjta.

Sipas raportit të vlerësimit të ofertave, oferta e grupit të Operatorëve Ekonomik “ARLINDI” SHPK; N.N. ” Infra – Plus” në vlerë prej 671,148.68 euro u shpall fituese si oferta më e lirë nga ato që u shpallën të përgjegjshme.

Më poshtë një tabelë ku shfaqen të gjitha ofertat e operatorëve ekonomik për këtë procedurë të prokurimit si dhe tregohet se a u shpall ajo ofertë e përgjegjshme apo jo nga komisioni vlerësues i ofertave.

Ministria e Infrastrukturës në bazë të një memorandumi bashkëpunimi që kishte lidhur në vitin 2018 me Komunën e Ferizajt, kryen pagesat për këtë aktivitet prokurimi. Kjo Ministri ka lëshuar gjithsej gjashtë urdhërpagesa për punët e kryera në këtë projekt, pagesa këto që kapin shifrën prej 735,444.68 euro.

Urdhërpagesat nga Ministria u lëshuan për punët të cilat u monitoruan nga Komuna e Ferizajt.

Për këtë projekt, Komuna e Ferizajt më 10 tetor 2022 bëri edhe pranimin teknik.

Komisioni për pranimin teknik pranoi punët si teknikisht në rregull dhe mori vendim që të jepet leja për përdorimin e projektit.

Mbi 700 mijë euro të taksapaguesve u dhanë për këtë projekt por në pjesën e nënkalimit për këmbësorë në pamjet e kohës me shi, uji nuk u drenua por mbeti mbi sipërfaqen e udhës nga ecin banorët e fshatit Nikadin.

Pamje e nënkalimit për këmbësorë ku shihet mbledhja e ujit nga të reshurat – Qershor 2023
Pamja e pusetës tek nënkalimi për këmbësorë – Qershor 2023

Për problemet që pati ky nënkalim me mbledhjen e ujit, drejtori i Infrastrukturës në Ferizaj, Meriton Hajdini thotë se faji nuk ishte tek punimet.

Për mbledhjen e ujrave kemi hasë në mbyllje të pusetave me dushk, gjë që ka ndiku që me pas në kohën kur ju e keni vizitu pak ujë në nënkalim por me intervenimin dhe pastrimin e pusetave gjithçka është në rregull, gypi aty është Φ1000 dhe nuk ka me pas kurrë problem“.

Meriton Hajdini – Drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Ferizajt

Nga fotografitë vërehet edhe tavani në gjendje jo të mirë.

Tavani i nënkalimit ka njolla në të që duken sikur kanë mbetur aty nga uji, rrjedhimisht reshjet e shiut.

Njollat në tavanin e nënkalimit për këmbësorë – Qershor 2023

Për këto pamje të tavanit, Hajdini thotë se ky nënkalim ka izolim funksional.

Në tavan nuk kam vërejt asnjëherë lagështi, izolimin e ka të përfunduar, ky izolim ka qenë funksional dhe nuk ka pasur telashe por që do e shohim dhe shqyrtojmë se a ka nevojë për intervenime në të ardhmen por që s’besoj që ka nevojë“.

Meriton Hajdini – Drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Ferizajt

“Qyteti i nënkalimeve” po quhet shpesh Ferizaj, rrallë herë kthehen sytë të shikohen edhe punët e kryera në këto nënkalime.

Muri i kësaj pjese të nënkalimit për vetura, është në gjendjen siç shihet në fotografitë më poshtë.

Edhe tavani i nënkalimit për vetura, ngjashëm si ai për këmbësorë ka njolla të mbetura në të.

Gjendja e tavanit dhe murit anësor në nënkalimin për vetura – Qershor 2023
Pamje e nënkalimit për vetura – Qershor 2023
Pamja e murit anësor në nënkalimin për vetura – Korrik 2023

Drejtori i Infrastrukturës thotë se në këtë nënkalim nuk ka plasaritje në asnjë segment, teksa komentoi edhe fotografitë.

Ajo është fuga e dilatimit të projektit ku bëhet ndërlidhja e vazhdimit të mureve, pra është fugë e dilatimit dhe nuk është plasaritje“.

Meriton Hajdini – Drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Ferizajt

Në përgjithësi, Hajdini thotë se si Komunë janë të kënaqur me punët e kryera tek nënkalimi në Nikadin.

Punimet në këtë projekt kanë qenë të cilësisë së mirë, të lartë. Janë bërë të gjitha testet edhe siç i kanë kërkuar hekurudhat e Kosovës, të gjitha testet kanë dal mirë dhe projekti është funksional dhe shumë mirë“.

Meriton Hajdini – Drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Ferizajt

Mbi këtë nënkalim nuk kanë kaluar ende treni i udhëtarëve dhe ai i mallrave.

Ky artikull është botuar në kuadër të projektit “Qeverisje e mirë: prokurim publik dhe politik-bërje e avancuar” i financuar nga BE, zbatuar nga Demokraci Plus (D+). Përmbajtja e këtij shkrimi është përgjegjësi e vetme e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e D+ dhe të Bashkimit Evropian.

Continue Reading

Ferizaj

Kritikohet improvizimi për kalimin e hekurudhës në Ferizaj

Published

on

Rreth-rrotullimi në Ferizaj, në rrugën për Shtime është bllokuar për kalim nga punët që po kryhen aty për ndërtimin e nënkalimit të ri.

Për të kaluar tek hekurudha për në rrugën “Ahmet Kaçiku” janë improvizuar disa shkallë për kalimin e këmbësorëve.

Ky improvizim po shfaq telashe për qytetarët që po kalojnë aty.

Nga fotografitë e postuara në Facebook nga Rexhep Maloku, gazetar dhe menaxher i projekteve në OJQ INPO shihen disa qytetarë që e kanë të vështirë kalimin në këtë improvizim.

Në fotografitë e postuara nga Maloku shihet një qytetar që detyrohet të bartë karrocën e fëmijëve në këto shkallë dhe një qytetar tjetër në moshë të shtyer tek bartë biçikletën.

Është në kryeqendrën ekonomike të Kosovës, qysh ka qejf me u krenu pushteti me zhvillimin e Ferizajt. Qysh b’e këta ekspertat e Komunas dinë me ba projekte disamilionësh për nënkalime tokësore për kerre e nuk ua bashkëngjesin edhe zgjidhjet e përkohshme për kalimtarë. Sidomos për prindërit me fëmijë a pleqtë“, shkruan Maloku në postimin e tij.

Nënkalimi i ri që po ndërtohet në Ferizaj po bëhet në afërsi të stacionit policor.

Ky nënkalim do të vendos nëntokë rreth-rrotullimin në rrugën “Brahim Ademi” dhe rreth-rrotullimin para stacionit policor.

Dy kontratat e nënshkruara për këtë nënkalim të ri, faza e parë dhe e dytë arrijnë shifrën prej 7,911,111.1 euro.

Fotografitë e postuara nga Rexhep Maloku:

Continue Reading

Ferizaj

Bllokohet ujëmbledhësi në Nerodime, Ferizaj me mungesë të ujit

Published

on

Për shkak të shiut të rrëmbyeshëm që kaploi Ferizajn gjatë së mërkurës mbrëma, qyteti sot po përballet me mungesën e ujit.

Një burim anonim i ka treguar TV TEMA-s se tek Lumi i Madh në Nerodime është bllokuar kaptazha e ujëmbledhësit dhe se sot gjatë ditës qytetarët do të përballen me mungesën e ujit.

Kjo u konfirmua edhe nga një postim i KRU “Bifurkacioni”, ku thuhet se për shkak të vërshimeve është bllokuar ujëmbledhësi tek Lumi i Madh dhe Lumi i Vogël.

Sipas burimit të TV TEMA-s, furnizimi me ujë ka gjasë të mos kthehet në suazat normale deri të premten në orët e paradites.

Ekipet e KRU “Bifurkacioni” janë duke punuar në zhbllokimin e ujëmbledhësit.

Postimi i plotë i KRU “Bifurkacioni”:

NJOFTIM,

Të nderuar konsumatorë ju njoftojmë se për shkak të vërshimeve nga reshjet e theksuara të shiut gjatë dy ditëve të fundit, ka ndikuar që të bllokohen ujëmbledhësit tek Lumi i Madh dhe Lumi i Vogël në Jezerc si dhe dëmtimin e një pjese të infrastrukturës, ka bërë të pamundur furnizimin në suaza të normalës.

Ekipet tona operacionale janë duke bërë përpjekje maksimale që furnizimi me ujë të kthehet në normalitet sa më parë që është e mundur.

Meçense prodhimi është në kuota minimale, Kompania Bifurkacioni u bën thirrje gjithë konsumatorëve, që ujin e pijes ta përdorin në mënyrë sa më racionale.

Faleminderit për mirëkuptimin tuaj!

KRU “Bifurkacioni” Sh.A

06.07.2023

KRU “Bifurkacioni” Sh.A

Continue Reading

Trending